Parkimi i makinave është kthyer në një problem shqetësues për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Mungesa e një parkingu të posaçëm pranë kryesisë së Kuvendit, por dhe frika e gjobave nëse mjetet lihen në rrugë, ka bërë që ligjvënësit ta ngrenë këtë shqetësim në mbledhjet e komisioneve, për ta përcjellë më tej dhe në strukturat drejtuese të Kuvendit. Në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ka mbërritur tashmë një letër nga kryetari i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollo, ku kërkohet një zgjidhje për këtë problem. Pritet që çështja të diskutohet dhe në Byronë e Kuvendit.
Mungesa e parkingut
Anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për disa mbledhje me radhë kanë ngritur si shqetësim mungesën e vend-parkimit për makinat e tyre. Sipas ligjvënësve dhe ato pak vende që janë, zihen nga administrata e Kuvendit e cila mbërrin më herët në punë. E nëse ligjvënësit zgjedhin t’i lënë jashtë Kuvendit makinat e tyre, në trotuar, me parkime dyshe, tashmë nuk janë më të privilegjuar si më parë dhe do të duhet t’u nënshtrohen gjobave nga policia rrugore. Por mungesa gjithashtu e shoferit i cili u hoq disa vite më parë me vendim të ish-kryeministrit Sali Berisha, vështirëson edhe më tej punën dhe pengon mbërritjen në kohë, të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fillimisht u duhet të bëjnë një xhiro të gjatë përreth gjithë ambienteve të kryesisë së Kuvendit për të gjetur parkim. Të gjitha këto shqetësime të ngritura në mbledhje, kreu i komisionit, Genc Pollo ia ka përcjellë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. “Në vijim të shqetësimit të ngritur nga shumë prej jush në mbledhjet e mëparshme lidhur me çështje të administrimit, përfshirë edhe parkimin e makinave, unë i kam dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, duke i bashkëngjitur të gjitha shqetësimet, të redaktuara nga sekretarja e komisionit”, - ka informuar Pollo anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Nënkryetari i komisionit, Alfred Peza e ka mirëpritur përcjelljen e këtij shqetësimi edhe tek kryeparlamentari, por ka kërkuar që fillimisht të informohet komisioni për çdo shkresë që dërgohet në emër të tij. “Në lidhje me komunikimin zyrtar, zoti kryetar, ju sapo thatë se i keni dërguar një shkresë Kryetarit të Parlamentit lidhur me shqetësimet për çështjet administrative të anëtarëve të komisionit. Gjykoj se edhe një komunikim i tillë duhej të ishte bërë, duhej të kishit vënë në dijeni në lidhje me këtë komunikim, pasi gjykoj që nuk është hera e parë dhe do të doja që të merrte fund kjo praktikë. Komunikimet e kryetarit të komisionit në emrin tonë duhet të jenë në dijeni të anëtarëve të komisionit. Nuk ka asgjë, nuk bëhet fjalë për një teori konspirative apo për të fshehur diçka, por thjesht si praktikë pune, në mënyrë që edhe ne të jemi në dijeni për komunikimet dhe për korrespodencat, zyrtare bëhet fjalë, në emër të komisionit, për shkak se kështu ndihmojmë dhe lehtësojmë edhe më shumë punën e njëri-tjetrit”, - i është drejtuar Peza kreut të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Genc Pollos në mbledhjen e 3 marsit.
Diskutimi në Byronë e Kuvendit
Byroja e Kuvendit të Shqipërisë pritet të mblidhet së shpejti. Pika kryesore e axhendës së saj do të jetë statusi i deputetit, ngritja e zyrave të ligjvënësve në rrethe, funksionimi i tyre etj. E ndërsa në diskutim pritet të shtohet dhe shqetësimi i deputetëve për mungesën e parkimit të makinave veçanërisht pranë kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Shqetësimin pritet ta përcjellë deputeti Fatmir Toçi i cili është pjesë e kësaj byroje në funksionin e sekretarit për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën dhe Botimet Parlamentare. “Ndoshta, mund ta ngremë në një nga Konferencat e Kryetarëve, por vendi më i përshtatshëm është Byroja e Kuvendit, ku përfaqësuesi i komisionit është zoti Toçi, i cili ndoshta mund të marrë edhe një kopje të letrës, por çështjet janë të njohura për t’i ndjekur, në mënyrë që administrata të marrë masat e nevojshme që të kemi kushtet e kërkuara për punën”, - ka informuar Pollo deputetët e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Parkimi i gabuar, rreth 30 deputetë të gjobitur nga policia
Deputetët, apo zyrtarët e tjerë nuk janë më të privilegjuar, të paktën për sa i përket rregullave të qarkullimit rrugor. Policia rrugore nuk ka hezituar që të gjobisë shumë prej tyre, të cilët kanë lënë makinat vend e pa vend nëpër trotuaret rreth kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë apo në hyrje të Parlamentit ku zhvillohen seancat plenare. Gjobat 1 mijë lekëshe apo 3 mijë lekëshe nuk kanë munguar as në xhamat e makinave luksoze. Vetëm gjatë një aksioni pak muaj më parë janë gjobitur rreth 30 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Shkak është bërë parkimi në vende ku nuk lejohej, parkimi dysh apo mbi trotuare edhe pse sinjalistika e ndalonte një gjë të tillë. Mes zyrtarëve të gjobitur janë deputetë si Majlinda Bregu, Paulin Sterkaj, Arben Imami, Edi Paloka, Blendi Klosi apo dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Fleta e gjobës nuk është mirëpritur nga deputetët por ndërkohë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri në mbrojtje të aksionit të policisë, ka shpejtuar të deklarojë se nuk do të ketë asnjë tolerancë apo diferencim për çdokënd që shkel rregullat e qarkullimit rrugor.