- Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezanton projektbuxhetin 2016 në Njësinë Administrative nr. 5 -
TIRANË, 12 Nëntor/ATSH/.- Çdo banor rezident i një zone të caktuar të Tiranës do të pajisjet me një pullë me ngjyrë të veçantë për të përfituar parking falas. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2016 në njësinë administrative nr. 5, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu përgjigj interesit të qytetarëve se si ata do mund të përfitojnë parking falas, duke theksuar se praktika që do të ndiqet është e ngjashme me disa vende të Bashkimit Europian.
"Modeli që kemi marrë parasysh është Vjena, ku qyteti është i ndarë në 24 zona të vogla. Ne kemi ndarë Tiranën e madhe në katër zona, ku një zonë zë pak a shumë 4 njësi vendore dhe për secilën zonë do të kemi një pullë me ngjyra të ndryshme, ku për banorët e asaj zone do të emetohet nga njësia administrative. Për makinat që përdor familja, banori rezident do të marrë pullën përkatëse dhe në këto katër njësi parkimi për banorët është falas 24 orë", deklaroi Veliaj. Ai tha se do t'i jepet fund zënies së vendparkimeve, që i kthejnë lagjet në tregje makinash, kurse banorët e saj nuk kanë mundësi të parkojnë.
Për sa i përket buxhetit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj theksoi se njësia administrative nr. 5 që paguan më shumë taksa, do të marrë edhe një pjesë të mirë të investimeve. "Nga tani e tutje, do të vendosim të investojmë në proporcion tek njësitë ku korrektesa e pagimit të ujit, taksës së pastrimit është më e madhe, ashtu edhe investimi do të jetë më i madh. Kështu, u bëjmë apel 24 njësive, nëse doni investime, do i merrni në proporcion me faktin se sa qytetarë të rregullt jeni", tha Veliaj. Duke iu referuar gjendjes aktuale të financave të Bashkisë, kryebashkiaku tha se është trashëguar një borxh prej 38 milionë dollarë, aq sa buxheti i realizuar i një viti.
Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se në katër vitet e fundit, institucioni që drejton nuk paguante energjinë elektrike. "Bashkia e Tiranës është pronare e hidrocentralit të Lana Bregasit, ne prodhojmë 3 megavat energji në rrjet që Bashkia nuk i faturonte. Nga tani, kemi nisur të reduktojmë disa nga këto borxhe, duke qenë se Bashkia ka hidrocentralin e vet, të paktën për dritat e qytetit, pompat, elektro-pompat, ne kemi energjinë tonë, madje mund të dalim me fitim nëse tregohemi të kujdesshëm", deklaroi Veliaj.
Ndërsa, vlerësoi njësinë nr. 5 si më aktivet e aksionit për pastrimin e Tiranës në një ditë, kryetari i Bashkisë së Tiranës ftoi sërish qytetarët në datën 20 nëntor t'i bashkohen sërish aksionit të pastrimit për të dhënë prapë një dorë që festat e nëntorit ta gjejnë qytetin më të pastër. "Nga ky muaj, në disa nga lagjet e njësisë 5, ne do të fillojmë gjithashtu një projekt pilot për riciklimin, për të mësuar fëmijët e të rriturit që plastikën, aluminin, qelqin mund t'i vëmë në kontenierë të veçantë", tha Veiaj.
Sipas tij, kjo është edhe një mënyrë se si shmangim skenat që shohim në Tiranë me sistemin e trashëguar, ku sapo një kazan pastrohet, vjen dikush tjetër që për të marrë kanaçet hedh gjithë plehrat në tokë. Në përfundim të fjalës së tij, kryebashkiaku tha se angazhimi i tij është që për vitin e ri buxhetor të rikthehet bonusi i bebeve dhe shpërblimi për nxënësit më të mirë.
Për Njësinë Administrative nr. 5 në buxhet janë parashikuar 188 milionë lekë, që do të investohen në fushën e shërbimeve publike dhe infrastrukturës rrugore. Do të përfundojë rehabilitimi i bllokut tashmë të filluar, i kufizuar nga rrugët "Ibrahim Rugova", "Pjetër Bogdani", "Gjin Bue Shpata" dhe Bulevardi "Bajram Curri".
Do të përfundojë blloku që kufizohet nga rrugët "Sulejman Delvina", "Medar Shtylla", "Skënder Luarasi", "Grigor Heba" dhe "Gjin Kuqali". Gjithashtu, do të ndërhyhet në disa rrugë të njësisë administrative numër 5, siç është rruga "Marko Boçari". Po ashtu, do të ndërhyhet në të gjitha rrugët e njësisë për mirëmbajtjen e tyre, për pajisjen me zgara dhe puseta, e cila parashikohet të shkojë në masën 75 %, si dhe për ndriçimin e rrugëve, duke parashikuar që në fund të vitit 2016 të realizohet në masën 90%./m.m/