Parkojme nga halli policia po na merr shpirtin

'Parkojme nga halli, policia po na merr shpirtin'

Në rrugët e Tiranës ka nisur një aksion ndëshkues ndaj drejtuesve të mjeteve që parkojnë në trotuare dhe anës rrugës. Drejtuesit e mjeteve pranojnë në disa raste mosrespektimin e rregullave për shkak të pamundësisë për të gjetur zgjidhje në parkim, por nga ana tjetër bëjnë të ditur se kjo masë po merret pa asnjë lajmërim zyrtar. Ne kontaktuam me njerëz, të cilët i gjetëm në momentin e marrjes së gjobës. Të nervozuar ata përpiqeshin të zgjidhnin konfliktin me punonjësit e policisë rrugore dhe më pas ndiheshin të dobët për të fituar anulimin e gjobës.

Në zonën e ishbllokut, në bulevardin “Zogu i Parë” dhe në rrugën e Durrësit ishte e njëjta situatë. Punonjësit e policisë rrugore shprehen se janë duke zbatuar ligjin. Në kodin rrugor janë përcaktuar pikat, sipas të cilave, ata janë të detyruar të veprojnë. Një nga punonjësit e policisë u shpreh se gjoba për parkimin e gabuar shkon nga 1000 deri në 3000 lekë të rinj dhe kjo vendoset sipas mënyrës së parkimit dhe kohëzgjatjes.

Ata nuk japin informacion të zgjeruar në lidhje me numrin mesatar të gjobave që vendosin gjatë turnit të tyre. Ne konstatuam një numër relativisht të lartë penalizimesh, të cilat në të gjitha rastet nuk u anuluan. Kontestimet nga ana e drejtuesve të automjeteve, të cilët pretendonin se ishin brenda rregullave të qarkullimit rrugor rezultuan të pasuksesshme. Duket se motivacioni më i përhapur për tu penalizuar është parkimi i gabuar dhe më pas vijnë shkeljet e tjera, të cilat lidhen me mosrespektimin e rregullave kur mjeti është në lëvizje.

Petrit Biberaj duket se është mësuar me këtë mënyrë. Ai shprehet se vetëm fati do ta shpëtojë nga gjoba, pasi e ka të pamundur të gjejë mënyrë tjetër për të zgjidhur punët e tij. “Njerëzit nuk janë mësuar me këtë stil. Kjo praktikë ka rreth dy javë që ka filluar. Ka ndëshkim masiv në këtë aspekt dhe opinioni që është krijuar, lidhet me vjeljen e parave, për të paguar policinë, pasi arka e shtetit është bosh. Në të gjithë Shqipërinë po aplikohet kjo metodë ndërkohë që askush nuk ka marrë informacion”. I pyetur nëse ka marrë gjoba te tjera gjatë kësaj periudhe, Petriti thotë se po penalizohet gati çdo ditë.

 “Jam gjobitur çdo ditë brenda këtyre dy javëve, madje kam marrë edhe 2 gjoba brenda ditës. Nuk mendoj se është ndëshkim selektiv, pasi siç thashë kjo bëhet për të vjelë sa më shumë lekë. Policia rrugore nuk mund të japë zgjidhje për këtë punë. Zgjidhjen duhet ta japë Bashkia. Në Tiranë nuk ka vende për të parkuar. Unë detyrohem të qëndroj për një punë të shkurtër dhe parkoj anës rrugës. Kur kthehem për të rimarrë makinën shoh fletën e gjobës mbi të. Njerëzit nuk janë mësuar me këtë metodë, pasi për një periudhë shumë të gjatë nuk është aplikuar kjo mënyrë e vënies së gjobës dhe tani duket se po mësohen, megjithatë është e pamundur që të mos penalizohesh.

Për Tiranën parkimi dysh mbetet gangrena më e madhe që ka filluar prej vitesh. Nuk ka vend për të parkuar makinën dhe drejtuesit e mjeteve detyrohen që të parkojnë në këtë formë, që të zgjidhin hallet e tyre”. Ndërkohë drejtues të tjerë të makinave, të gjobitur pikërisht për parkim të gabuar thonë se ka një ndëshkim selektiv, të cilin nuk na e tregojnë vetëm ne, por edhe punonjësit të Policisë Rrugore. Ata shprehen se në gjithë rrugën piketohen 2 apo 3 makina, mbi të cilat hidhet fleta e gjobës, ndërkohë që për të tjerat nuk merret asnjë masë ndëshkimore.

Drejtuesi i një mjeti në zonën e “Ish-bllokut” na fton të shohim se si vepron policia për këtë rast dhe për të, brenda një jave ky është rasti i dytë që ndëshkohet për të njëjtën arsye. “Unë ju ftoj të shikoni të gjithë rrugën dhe do të zbuloni se vetëm në disa makina janë hedhur fletët e gjobave. Këtu ekziston ende fenomeni i selektimit. Unë kam informacion që ato vajzat e reja të Policisë Rrugore kanë vendosur pardje 32 gjoba në makinat e deputetëve dhe kur vijnë në këtë zonë nuk e zbatojnë këtë praktikë. Ju shihni makinën e parkuar në trotuar, që ka zëne rrugën e këmbësorëve dhe Policia Rrugore nuk zbaton asnjë masë ndaluese.

Ky është fenomen që ndodh vetëm këtu dhe këta ndjekin disa parime seleksionimi sepse kanë ose miqësi ose frikë ndaj disa individëve”. Në “Rrugën e Durrësit” problematika mbetet e njëjtë. Ajo që konstatojmë është lehtësia dhe shpejtësia e punonjësve të policisë rrugore për të vendosur sa më shumë gjoba. Duket se ky është një problem shqetësues për drejtuesit e mjeteve të cilët e kanë gjetur veten të papërgatitur përballë një situate të tillë.

Thyhen tabutë, gjobiten deputetët

Nësë do të shohësh një rrugë ku mbizotëron kaosi në mënyrën e parkimit, mjafton të shkosh para zyrave të Kuvendit të Shqipërisë. Seanca plenare i detyron deputetët të mos i kushtojnë shumë vëmendje automjeteve të tyre në parkim. Prej vitesh kanë pasur privilegjin për të mos i kushtuar rëndësi kodit rrugor, pasi ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë parandaluese nga ana e punonjësve të policisë rrugore. Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur ditën e enjte, gjoba ndaj deputetëve që kishin parkuar në mënyrë të parregullt në zonën para Kryesisë së Kuvendit.

Punonjësit e rinj të Policisë Rrugore e kanë thyer këtë tabu duke vendosur më shumë se 30 gjoba në automjetet e deputetëve. Ato janë shprehur se nuk marrin parasysh përkatisinë e automjeteve dhe thonë se janë duke zbatuar kodin rrugor. Mësohet se gjoba për kundërvajtjet ka qenë nga 1000 deri në 3000 lekë të rinj, në varësi të shkeljes që kishin kryer dhe vendit ku ishin vendosur automjetet. Nisur nga ky fakt, në seancën e plenare, deputeti i Partisë Socialiste. Paulin Stërkaj, i kërkoi kreut të Kuvendit, Ilir Meta që ta zgjidhë këtë çështje.“Nisur nga fakti që ne kemi një seancë parlamentare në javë, por kemi disa seanca në komisionet përkatëse, problem i madh është bërë puna e parkimit të mjeteve të deputetëve. Duhet të merrni masa që ne të vendosim makinat në vendet e caktuara , që të mos gjobitemi, sepse nuk është reklamë e mirë për ne.”- u shpreh Stërkaj gjatë seancës plenare. Kreu i Kuvendit, Meta u shpreh se do ta shohë me vëmendje këtë problem pa dhënë detaje për mënyrën se si do të praktikohet. Mbetet për t’u parë në seancat e mëtejshme se si do të veprojë Policia Rrugore nëse do të përsëritet e njëjta situatë nga ana e deputetëve.

Policia rrugore: Burgim deri në 3 vjet për shoferët e dehur

 Nga analiza e Policisë Rrugore për numrin e madh të aksidenteve dhe shkeljeve që ndodhin në vend, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka kërkuar Policisë së Shtetit, të marrë masa për çdo drejtues mjeti që gjendet nën ndikimin e alkoolit. Duke përdorur si akuzë nenin 291 të Kodit Penal, ai ka kërkuar masën ekstreme që parashikon deri në tre vjet burg. Në strategjinë që Ministria e Brendshme do të përdorë që nga e shtuna e kësaj jave e në vazhdim, për të ulur numrin e aksidenteve, plani konkret mbetet arrestimi i shoferëve të dehur, që deri më parë praktikohej vetëm me heqje patente. Procedimit penal nuk do t'i shpëtojnë as drejtuesit pa patentë, apo edhe mosbindja e shoferëve ndaj sinjalizimeve të punonjësve të policisë.

 Mosbindja ndaj policit dhe fyerja e tyre nga drejtuesit e mjeteve, është një veprim që është hasur shpesh në rrugë dhe e ka ulur ndjeshëm personalitetin e policit te qarkullimit rrugor. Për këtë, ministri i Brendshëm ka vendosur të këshillojë Policinë e Shtetit se në këtë rast, duke parë edhe praktikën ligjore, mund të arrestojë ata dhe t'i çojë për ndjekje penale. Ndërkohë që më herët, pa u lëshuar kjo deklaratë, Drejtoria e Policisë Rrugore ka proceduar penalisht 20 persona që kanë shkelur rregullat e qarkullimit. Sipas kësaj policie në disa raste janë konstatuar shkelje nga ana e drejtuesve të mjeteve.

“Aktualisht janë proceduar rreth 20 persona lidhur me shkeljet, si drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë. Shkelje që dënohen me burgim deri në 3 vjet.”- bëhet e ditur nga policia.. Pavarësisht se për këto veprime, Kodi Penal parashikonte procedime, ato nuk janë kryer. Por praktika e re që do të ndjekë policia do të duhet të japë efektet, vetëm atëherë kur policia do të ketë provat e mjaftueshme për të bindur gjykatat, për procedime penale dhe burgosje sidomos për shoferët e dehur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama