Disa ditë më parë, të gjitha mediat italiane patën si lajm dite dhunën e ushtruar ndaj balerinit shqiptar, Kledi Kadiu, nga një grup italianësh, në ambientet e Akademisë së tij të Baletit. Ngjarja ka ndodhur përpara një grupi të madh dëshmitarësh, nxënës dhe prindër, të mbledhur me rastin e saxhos së fundvitit. Sipas mediave italiane, balerini është dhunuar fizikisht, por ka marrë edhe kërcënime. Kadiu është shfaqur para kamerave italiane i tronditur dhe nuk ka ditur se ç’emër t’i vërë kësaj ngjarjeje. Ai është shprehur se aty ku banon prej 4 vjetësh, në Rrugën “Castro dei Volsci” në lagjen “Appio” në Romë, gëzon respektin e gjithë banorëve dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që të jetë përballur me presione, apo tendenca raciste. “Do të doja të dija përse e kanë bërë dhe mbi të gjitha kush janë këta tre persona që hynë në shkollën time. Po flisja me prindërit e disa vajzave të kursit tim, ashtu siç bëj çdo vit, përpara provimeve përfundimtare të vitit. E ndërsa flisja me ta, ishte sekretarja ime që më njoftoi se në sallë ishin tre individë, që po regjistronin me telekamera dixhitale. U afrova dhe i pyeta se kush ishin dhe pse po filmonin”, - është shprehur Kadiu për mediat italiane, pas agresionit. Pikërisht këtu nisi dhe dhuna. Njëri prej tre të panjohurve e ka kapur prej qafe balerinin, duke e përplasur në katedrën e klasës. “Ta tregoj unë kush jam, shqiptar m…”, - mësohet t’i jetë drejtuar balerinit dhe më pas është larguar bashkë me dy personat e tjerë. Fillimisht u mendua se ishte që sulm ksenofob për shkak të kombësisë së artistit, i cili vendosi të mos denoncojë sulmin në polici. “Nuk dua t’i zmadhoj gjërat, por është padyshim e pakuptueshme dhe e paimagjinueshme”, - tha ai. Edhe pak javë më parë, kur balerini erdhi në Tiranë, për të dhënë ca orë mësimi në Akademinë e Dancit, u shpreh se nuk bëhet fjalë që ndaj tij, apo kolegëve të tjerë shqiptarë, që kanë bërë emër në Itali, të shfaqen tendenca të tilla. “Arti nuk duhet të ketë ngjyrë dhe kombësi”, - tha pak kohë më parë Kadiu. Por vetëm pak kohë më pas, iu desh të përballej me një situatë të pakëndshme, e cila sipas autoriteteve përkufizohet si për motive “ekonomike”.
a.m : Gazeta Shekulli