Part-time fenomeni qe ka pushtuar Europen

Part-time, fenomeni qe ka pushtuar Europen
Në kontinentin e vjetër, një në pesë persona punon me kohë të pjesshme. Ky fenomen është bërë një mënyrë të punuari dhe jetuari gjithmonë e më e përhapur. Ndoshta është mënyrë për të mos ngelur pa punë. Holanda mban vendin e parë në Europë.

Part-time, me kohën e shoqërisë gjithmonë e më fleksibël është bërë një mënyrë të punuari e të jetuari gjithmonë e më e përhapur. Ndoshta, sepse arrin, më shumë se instrumentet e tjera, të përfshijë në botën e punës ata, si për shembull gratë, që rrezikojnë të mbeten jashtë saj. Në Europë sot, një punëtor në pesë të tillë ka një kontratë me kohë të pjesshme. Në disa vende, përqindja është shumë e madhe. Zakonisht janë femrat ato që preferojnë të bëjnë një punë part-time, por në këto kohët e fundit ky fenomen ka përfshirë edhe drejtues dhe menaxherë. Part-time është tashmë pjesë e formave moderne të botës së punës.

Të dhënat kanë dalë nga një hetim i “Eurofond”-it, fondacionit europian për përmirësimin e kushteve të jetës dhe punës, që ka analizuar gjendjen në shumë sektorë ekonomikë në 30 vende europiane. Vendi që e ka më të përhapur këtë fenomen është Holanda ku 48.3 për qind e atyre që kanë një punë, ka në xhep një kontratë me kohë të pjesshme. Në vendet e ulëta më shumë se 90 për qind e kompanive ka mes punonjësve të saj të paktën një punëtor part-time. Vendi i dytë është Suedia, megjithëse me shifra më të ulëta, rreth 27 për qind e kontratave të përgjithshme.

Gjithmonë në Holandë, por edhe në Belgjikë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar ekziston përqendrimi më i lartë i kompanive që punësojnë me kohë të pjesshme më shumë se 20 për qind të forcës së punës. Nga ana tjetër, Italia mban rekordin e kompanive me më pak se 20 për qind të punëtorëve part-time. Brenda një dhjetëvjeçari, përmasat e këtij fenomeni kanë ndryshuar frikshëm.

Në Gjermani, përqindja ka shkuar nga 19 në 26.1%. Në vendin e drejtuar nga Angela Merkel rreth 82 për qind e kompanive kanë një kontratë part-time mes punëtorëve të tyre. Edhe Zvicra ka kaluar nga 19.7 për qind në 27 për qind. Në Mbretërinë e Bashkuar nga 24.1 në 26.1 për qind. Në Spanjë, kuota e punëtorëve part-time ka kaluar nga 8 për qind në 12.8 për qind. Mesatarja e përgjithshme në 27 vendet e Bashkimit Europian ka kaluar nga 15.9 në 18.8 për qind.

Ndryshimet dhe arsyet

Sipas autorëve të këtij studimi janë të shumta dhe të ndryshme arsyet nga një vend në tjetrin ato që i kanë shtyrë njerëzit të mendojnë se një punë part-time ia vlen. Për femrat, puna më e përhapur part-time është ajo e babysiter-it, që nuk kërkon edhe ndonjë kualifikim të madh dhe çmimet janë shumë të kënaqshme. Pastaj janë edhe diferencat kulturore për sa u përket orareve të punës. Në disa vende si Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian konsiderohet i pranueshëm nga ana sociale të punosh me orare shumë të zgjatura, ndërsa në vende të tjera si për shembull në Francë, Suedi dhe Holandë, janë të pranishme sjellje që karakterizohen nga orare më të shkurtra pune. Gjithsesi, duhen përmendur edhe faktorë të tjerë.

Gratë

Sigurisht që ky fenomen mund të identifikohet me imazhin e gruas. Mesatarja e kontinentit është 32 për qind për femrat dhe 8.3 për qind për meshkujt. Rreth katër herë më shumë. Edhe në Holandë ashtu si në vende të tjera, gratë përbëjnë elementin kryesor në fenomenin e punësimit part-time. Tri gra në katër punojnë part-time, ndërsa për meshkujt ky raport është një me katër. Edhe në Gjermani raporti është 9.7 kundrejt 45 për qind. Në Mbretërinë e Bashkuar 11,8 kundrejt 43. Në Suedi dhe Danimarkë, mes vendeve ku fenomeni i punës part-time është më i zhvilluar shifrat janë pak më të zbutura. Por vendet ku kjo lloj pune si për femrat ashtu edhe për meshkujt nuk praktikohet thuajse fare është Bullgaria, Rumania, Sllovakia dhe Lituania.

Kualifikimet

Edhe për pozicionet e larta drejtuese part-time nuk është më një tabu absolute. Rreth 26 për qind e kompanive të përfshira në studim janë përgjigjur se kanë në stafin e tyre dikë që mbulon role menaxheriale, supervizorë apo kualifikim të lartë që ka një kontratë me kohë të pjesshme. Edhe këtu Holanda është më përpara se të gjithë. Në fakt, në vendet e ulëta rreth 47 për qind e kompanive ka në staf një drejtues me kontratë part-time. Shumë prej kompanive thonë se është një zgjidhje normale, ndërsa të tjerat e bëjnë në raste përjashtuese.

Karrierë

Pse kjo zhvendosje drejt këtij fenomeni? Sipas analizës, shumë prej atyre që punojnë me kohë të plotë tregojnë se ka një volum shumë të madh pune dhe detyra komplekse, ndërsa për ata që punojnë part-time kjo ndodh vetëm në 49 për qind të rasteve. Ndërkaq, mundësitë për të bërë karrierë në kompanitë ku punohet me kohë të pjesshme janë të vogla. Këtu mendojnë 6 në dhjetë veta. Po kështu, 45 për qind e të punësuarve part-time thonë se kanë shumë pak mundësi për t’u ngritur në detyrë dhe provuar eksperienca të reja, ndërsa kjo ndodh te 54 për qind e atyre që e kanë një kontratë të plotë. Megjithatë, kënaqësia që merret nga puna në të dyja grupet, si ata part-time si ata full time është e njëjtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama