Sipas tyre, brenda pak ditëve do të jetë gati vendimi. Edhe këtë vit të pakënaqur nga numri i kuotave kanë qenë ata që aplikojnë për një program të dytë studimi. Këtyre kandidatëve u është lënë deri 20 për qind e numrit total të pranimeve. Ndërkohë që kërkesat për të vazhduar një fakultet të dytë me kohë të pjesshme janë tepër të larta. “Kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 4:1, përkatësisht 80% e kuotës jepet për pranimet e reja për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 20% për pranimet e reja për programe të dyta studimi”, përcakton vendimi i qeverisë.
Kjo do të thotë se për çdo fakultet pjesa më e madhe e kuotave do t’u takojë atyre kandidatëve që nisin për herë të parë studimet e larta. Aplikantët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme në një program të dytë studimi, brenda kuotës së përcaktuar, e fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë. Mesatarja e shkollës së mesme do të jetë një ndër kriteret kryesore që komisionet e përzgjedhjes do të marrin parasysh në përcaktimin e kandidatëve fitues.
“Ky rregull do të jetë i vlefshëm për të gjithë aplikantët që do të konkurrojnë për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi apo i dytë”, sqarojnë specialistët e MASH. Për rrjedhojë, kandidatët që nuk kanë një notë të mirë mesatare, do ta kenë tejet të vështirë të ndjekin studimet e pjesshme këtë vit. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet do të përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar.