? Partizani e ka pritur Vllazninë në stadiumin "Qemal Stafa" dhe duke ditur humbjen e Skënderbeut, ndeshja ishte e një rëndësie të veçantë. Ndonëse dita dhe orari ishin të favorshëm, prania e tifozëve nuk u ngjit në lartësinë e duhur. Partizani është rival i denjë për titull, por tifozët duken disi të ftohur, pasi dje të pranishëm nuk ishin më shumë se 3 mijë veta. Shkodranët ishin shumë të paktë mbrëmë.
? Tribuna VIP si gjithnjë mbetet e tejmbushur, ku edhe kësaj radhe nuk munguan dashamirësit e kuq të spektrit të politikës.
? Përpos të zakonshmëve, në këtë takim kishte edhe përfaqësues të artit. Prej disa kohësh, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, në shoqërinë e ish-zëdhënëses së klubit Dasara Karaiskaj, nuk i ndahet Partizanit kur luan në kryeqytet. Ajo ishte edhe dje dhe për të ndjekur ndeshjen zgjodhi tribunën e gazetarëve. Çiljeta njihet si një fanse e portierit Alban Hoxha, i cili pas shënimit të golit të tretë e ka përshëndetur me dorë që nga porta. Ndërsa vajza e ish-Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, Megi, së bashku me të fejuarin e saj, këngëtarin Luis Ejlli, dhe të vëllanë ishin në mbështetje të Vllaznisë.
? Në minutën e 31-të, Shtubina i Vllaznisë, pas një përplasjeje me një lojtar të Partizanit, bie në pistën e stadiumit, ku pa dashje gjyqtari anësor Denis Agaraj i shkeli dorën. Lojtari ndonëse ishte jashtë fushe me rrokullisje hyn në tapetin e gjelbër dhe lojtarët kërkojnë ndërprerjen e ndeshjen për t'i ardhur në ndihmë. Gjyqtari Jemini e vlerësoi si veprim për të vonuar lojën dhe e la aksionin që të përfundonte. Pas përfundimit të aksionit, ai mori ndihmën nga stafi mjekësor i skuadrës shkodrane.
? Tifozët e kuq kanë qenë të pakënaqur nga loja e ekipit në pjesën e parë dhe në mbyllje të 45 minutave ata kanë shpërthyer duke u bërë thirrje që të ndryshonin ritmin. Madje dikush i drejtohet kështu zv.trajnerit të Partizanit: "O Dalip, ndryshoni lojë se jeni copë-copë".
? Të dy trajnerët kanë qenë kritikë me lojtarët e tyre në pjesën e parë, por zemërimi i Cungut ka qenë më i madh në pjesën e dytë. Madje në minutën e 82-të trajneri shkodran, i zemëruar nga një pasim i padhënë nga Shtubina, imiton trajnerin e Juves, Masimiliano Alegri, ku në shenjë nervozizmi hoqi xhaketën duke e hedhur në pankinë.
? Pas golit të parë, trajneri Agostineli ka insistuar që skuadra të mos tërhiqej, pasi i druhej përsëritjes së sindromës së ndëshkimit në minutat e fundit.
? Ndërsa pas golit të parë, mesfushori Idriz Batha merr rolin e kapoultrasit, pasi nga fusha, me duar, kërkon që të karikojë tifozët.
? Astrit Fazliu dhe Asjon Daja dolën në nxehje që në minutën e 28-të dhe deri në fund ata vazhduan me këtë mision, por pa pasur mundësi që të hidheshin në fushë. Në minutën e 91-të, trajneri Agostineli i ka befasuar, pasi i jep mundësi debutimi Ylber Ramadanit, që ndodhej në stol. Ndonëse Fazliu dhe Daja kishin rreth 80 minuta që bënin nxehje, trajneri preferon Ramadanin.
? Emiljano Vila e nisi ndeshjen me një maskë mbrojtëse, por në pjesën e dytë lojtari doli në fushë pa "maskën e Zorros". Por në minutën e 80-të Vila e ka vënë sërish maskën, pasi me sa duket e kishte të nevojshme që ta mbante.
? Pas fitores, si zakonisht, të kuqtë kane festuar në një nga "pub"-et e kryeqytetit.