Ka pasur protesta masive të të kuqve tek anësori, por për qetësimin e situatës ka ndërhyrë edhe trajneri Duro. Lojtarët e Partizanit, disi të nervozuar, nuk kanë pasur forcën e duhur për ta barazuar rezultatin dhe sulmet e tyre janë thyer me lehtësi nga mbrojtja e Kastriotit. Pas vërshëllimës përfundimtare të kryesorit Lorenc Jemini, në kampin krutan ka shpërthyer festa, pasi ekipi i tyre do të luajë në superligë sezonin e ardhshëm, kurse në kampin e Partizanit inati i ka kaluar kufijtë. Futbollistët dhe drejtuesit e tij, përfshirë edhe presidentin Albert Xhani, kanë sulmuar asistentin Mali, i cili anuloi golin.
Një pamje e shëmtuar në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit ishte edhe ajo e hedhjes së ndënjësve të tribunës në fushë. Megjithatë, masat do të merren nga organet kompetente në FSHF, ndërsa fakti i hidhur është zbritja e Partizanit në kategorinë e parë. Kastrioti ngjitet në superligë, ndërsa ekipi i fundit që do t\'u bashkohet më të mirëve, do të përcaktohet nga ndeshje e sotme, Bylis-Gramozi.
Gazeta Shekulli