Partizani gati per KAS kunder FSHF-se per denimin Rast unik

Partizani, gati për KAS kundër FSHF-së për dënimin: Rast unik

Data 6 korrik ka sjellë gëzim dhe hidhërim në kampin e kuq. Pasdite UEFA i bëri dhuratë Partizanit pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ndërsa afër mesnatës, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka vendosur që skuadra B të mbetet sërish në Kategorinë e Dytë. Partizani B fitoi 4-1 ndaj Sopotit në "play off", por librazhdasit e ankimuan rezultatin, pasi dy lojtarë të kuq kishin luajtur një ditë më parë në Superiore ndaj Teutës.

13248497_507487529445648_4484807686153430304_o

Disiplina është kujtuar pas një muaj e gjysmë që të vendosë për këtë takim, ku të mërkurën në darkë është vendosur që Sopoti ta fitojë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Për të kuqtë e kryeqytetit ky vendim i Disiplinës është absurd. Në argumentin e bërë është pranuar se Partizani nuk ka faj, por dënohet për një parregullsi të vet FSHF-së në mospasqyrimin e një vendimi të KEsë në rregulloren e aktivitetit.

Në këto kushte, Partizani është i vendosur që t'i hapë "luftë" Federatës për dënimin absurd, pasi me atë rregullore ata kanë luajtur gjatë gjithë vitit me Partizanin B, gjë të cilën e praktikuan edhe në raundin "play off" me Sopotin. Fillimisht, Partizani do ta apelojë vendimin e Disiplinës në Komisionin e Apelit në FSHF, proces i cili do të kryhet sot. Nëse Apeli lë në fuqi vendimin e Disiplinës, klubi kryeqytetas do ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.

partizani

"Sigurisht që vendimi i Disiplinës do të apelohet nga Partizani, pasi është një ndëshkim i padrejtë për ne. Është rast unik, që një vendim gjyqësor të konstatojë faktin se je pa faj dhe në fund të të dënojnë. Gjatë gjithë ditës së sotme (dje) kemi kërkuar që ta na e nisin vendimin në mënyrë zyrtare, por nuk na e kanë sjellë. Vendimin do ta apelojmë sot, ku do të paraqesim edhe dosjen tonë me fakte", u shpreh për "Panorama Sport" sekretari i Përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Gerald Burba. Vendimi i fundit i Disiplinës tregon një tjetër "lajthitje" të këtij Komisioni, që e pranon se Partizani B nuk ka pasur faj, por janë të detyruar që ta ndëshkojnë.

Vendimi

Ja një pjesë e vendimit të çuditshëm të Komisionit të Disiplinës për Partizanin B: "Nga ana tjetër, konstatohet fakti që në Rregulloren e Aktivitetit të sezonit 2015- 2016 për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë, në publikimin e bërë nga ana e FSHFsë, nuk rezulton të jetë pasqyruar kjo vendimmarrje e Komitetit Ekzekutiv, çka bën që në vështrim të tekstit të publikuar në përmbajtje të këtyre rregulloreve shkelja e pretenduar të jetë realizuar pa faj nga KF 'Partizani B'. Pavarësisht këtij aspekti, nisur nga fakti që vendimet e Komitetit Ekzekutiv janë të detyrueshme dhe mbizotërojnë mbi përcaktimet e tjera që bien në kundërshtim me to, kërkesa e KF 'Sopoti' gjendet e drejtë dhe e bazuar në rregullore".



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama