Një vit më parë, portieri i skuadrës së Partizanit është dëmtuar në ndeshjen e Ligës së Europës që Partizani ka luajtur në transfertë ndaj skuadrës së Stromgodset.
Në atë periudhë u fol edhe për një operacion të mundshëm të futbollistit, por nuk u krye pasi u mor garanci nga stafi mjekësor.
Por duket se gjuri i portierit të Partizanit dhe Kombëtares shqiptare ka nevojë për një pastrim, të cilin "gardiani" kuqezi do ta kryejë menjëherë sapo të përfundojë impenjimet e tij me ekipin kombëtar, pasi është i grumbulluar nga trajneri Xhani De Biazi në finalet e Kampionatit Europian në Francë.
Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë bërë me dije se lojtari do të kryejë një ndërhyrje të lehtë për pastrimin e gjurit, por do të jetë i detyruar që të qëndrojë minimalisht një muaj jashtë fushave të blerta, çka do të thotë se ai nuk do të jetë gati për ndeshjet e Ligës së Europës që Partizani do të luajë duke nisur nga fundi i këtij muaji.
Edhe pse fillimisht është menduar që lojtari të aktivizohet edhe në këto takime, një opsion i tillë ka rënë poshtë, duke qenë se pas ndërhyrjes lojtarit i nevojitet sërish kohë për t'u rikuperuar. Kështu që kapiteni i Partizanit pritet të jetë sërish gati për të qenë në fushën e blertë në fillimin e sezonit të ri futbollistik.
Por gjatë kësaj periudhe merkatoje nuk përjashtohet mundësia që Hoxha të largohet jashtë vendit, pasi pak kohë më parë në drejtim të tij ka pasur ofertë nga klube të huaja, kryesisht nga Turqia.
Alternativat - Fakti që Hoxha nuk mund të jetë në fushë, nuk është se i ka shqetësuar drejtuesit e Partizanit, të cilët nuk janë futur në merkato.
Dashamir Xhika jep garanci për të kuqtë dhe këtë e ka treguar gjatë sezonit të shkuar në ndeshjet kur i është dhënë besimi. Portieri që është një prodhim i klubit kryeqytetas, sipas të gjitha gjasave, do të mbajë peshën e skuadrës në ndeshjet e Ligës së Europës.