Pas përfundimit të sezonit të fundit, Partizani është përfshirë në valën e ndryshimeve, që nisën nga drejtori i përgjithshëm dhe do të përfundojë te punëtorët e fushës. Procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri u shoqërua me disa emra, dhe në orët e fundit, presidenti Demi surprizoi me përzgjedhjen e tij, Genc Tomori. E njëjta praktikë po ndiqet edhe me zëvendësuesin e Andrea Agostinelit, ndonëse ai konsiderohet ende si trajner i Partizanit.
Prej ditësh janë lakuar disa emra kandidatësh, si nga vendi, por edhe nga Italia. Gjasat janë që edhe Partizani i sezonit të ri ta nisë punën nën drejtimin e një tekniku italian. Përpos konfirmimit të Agostinelit, përgatitësi atletik i skuadrës, Kristiano Xhanoti, ka sponsorizuar disa trajnerë të tjerë, me të cilët ka punuar tek akademia e Napolit.I pari doli në skenë Xhanpaolo Saurini, i cili është trajner i të rinjve të Napolit. Por, më pas, bisedimet nisën edhe me Adolfo Sormanin, i cili, në sezonin 2011-2012, ka punuar me të rinjtë napolitanë së bashku me Xhanotin, ndërsa në sezonin 2012-2013 ka qenë ndihmësi i Xhanfrako Zolës tek anglezët e Uatfordit.
Burime pranë të kuqve bëjnë me dije se klubi i ka prerë biletën Sormanit për të mbërritur në Shqipëri, ku do të diskutohen edhe detajet e fundit. Ndonëse nuk është zyrtare, burime pranë klubit bëjnë me dije se Partizani i Europës do të nisë punë nën drejtimit e Adolfo Sormanit. Nesër pritet që drejtuesit e klubit ta prezantojnë trajnerin e ri para mediave, ku mes të tjerave do të shpallen edhe termat e kontratës, si dhe objektivi që ka marrë përsipër të kryejë te Partizani ish-lojtari i Napolit dhe Parmës.
Eksperienca
Adolfo Sormani është djali i ish-futbollistit të Romës, Milanit, Napolit dhe kombëtares së Italisë, Anxhelo Sormani, dhe hapat e para si futbollist i nisi te skuadra napolitane. Në vitin 1986-1987 Sormani ka qenë pjesë e skuadrës së Parmës, që asokohe drejtohej nga trajneri Arrigo Saki. Ish-mesfushori nuk ka eksperiencë të madhe si lojtar në Seria A. Karrierën si trajner, Adolfo Sormani e ka nisur në ligat e ulëta në Itali, ndërsa për tri sezone ka punuar si trajner moshash te Juventusi. Në sezonin 2011-2012, Sormani ka qenë trajner i të rinjve të Napolit, ku ka punuar edhe me përgatitësin atletik të Partizanit, Kristiano Xhanotin. Eksperiencën e parë si trajner jashtë Italisë, Sormani e ka në Angli, ku në sezonin 2012-2013 ka qenë ndihmësi i Xhanfrako Zolës te skuadra e Uatfordit.
Ilir Cara