Ndodhitë e fundit në kampionatin shqiptar, ku Skënderbeu është mundur në shtëpi nga Partizani duke lënë të hapur kështu luftën për titullin kampion, kanë qenë kryefjala e gjithçkaje në futbollin e luajtur.
Normalisht për një gjë të tillë nuk kishte si të mungonte komenti i ish-portierit të Skënderbeut dhe Kombëtares, Jani Kaçi, i cili gjatë një interviste të dhënë për "Panorama Sport" ka analizuar me kujdes ndeshjen e luajtur në Korçë dhe aksionin e golit që i dha fitoren Partizanit.
Gjithashtu ka shprehur bindjen e plotë se Skënderbeu në Vlorë do të shpallet kampion për herë të shtatë.
Profesor Kaçi, humbja e Skënderbeut në Korçë kundër Partizanit a ishte përcaktuese për titullin kampion?
Ishte një humbje që në Korçë u prit keq, pavarësisht se në futboll ka gjithmonë tre rezultate të pranishme dhe asgjë nuk duhet të bëhet dramatike. Është një humbje që la të hapur garën e titullin kampion deri në javën e fundit të kampionatit.
Si do ta përcaktonit atë ndeshje që u luajt në Korçë?
Nëse duhet të analizojmë të dy ekipet, takim që e kam parë me kujdes, mund t'ju them se vihej re qartë që të dyja skuadrat kishin një interpretim të ndryshëm të lojës. Skënderbeu ishte më i kujdesshëm se Partizani dhe gjithmonë kërkonte të mbulonte zonat e prapavijës me kujdes, ndërsa nga ana tjetër Partizani ishte duke vënë grintën në ballë të lojës për të marrë rezultatin që kërkonin.
Cila mendoni se e dominoi këtë takim?
Nuk mund të flasim për dominim të mirëfilltë, pasi realisht të dy ekipet u kujdesën shumë për të mbyllur kundërshtarin, u kujdesën për të qenë në lojë për 90 minuta, sidomos Partizani që kërkonte fitoren. Nga ana e tij, Skënderbeu u kujdes shumë, ndoshta më shumë sesa duhej në disa momente, dhe këtë me bindje se edhe barazimi i bënte punë shumë. Porta nuk u godit shumë herë dhe prandaj për dominim nuk mund të themi për asnjë ekip.
Ku gaboi Skënderbeu në momentin e golit në këtë ndeshje?
Goli erdhi nga një goditje standarde dhe normalisht në atë minutë i gjithë ekipi duhet të ishte më i vëmendshëm në mbulimin e zonës. Gabimi erdhi nga lojtari që mbeti i zbuluar në qendër, pasi Bardhi ishte i vetëm. Natyrisht që kujdesi duhet të ishte më maksimal për këtë aksion që ndoshta mund të ishte aksioni i fundit.
Sa do të ndikojë kjo humbje në titullin kampion?
Është një rezultat që e mban të hapur luftën për titull dhe i jep shansin Partizanit që të jetë edhe në garë deri në javën e fundit dhe të shpresojë për një titull pas 23 vitesh, çka është shumë për atë ekip. Ndërsa Skënderbeu ka shtyrë festën, pasi mund ta kishte nisur prej ditësh.
Ju jeni i bindur që titulli mbetet në Korçë edhe këtë vit?
Po, kam bindjen e plotë. Kjo, për disa arsye që po i shpjegoj një e nga një. Fillimisht Skënderbeu ka një ekip me shumë lojtarë me eksperiencë, të cilët dinë si të marrin rezultatin, pas një humbje dinë të ringrihen. Mendoj që eksperienca, por edhe uria për fitore është nga ana e Skënderbeut, ndërsa Flamurtari, pasi ka siguruar 99% mbijetesën, nuk ka më objektiva sezonalë dhe do të jetë më i lirshëm nga përgjegjësia.
Po në Vlorë Skënderbeu ka vuajtur gjithmonë?
Po, është e vërtetë. Megjithatë, këtë herë them se do të kalojnë me një fitore. Flamurtari, sikundër e thashë, do të jetë më i lirshëm tani që ka marrë rezultatin dhe objektivin sezonal. Por, nga ana tjetër, Skënderbeu ka lojtarët cilësorë për të fituar në çdo fushë. Ka qenë karakteristikë e tyre që, pas një humbjeje, të rikthehen shumë shpejt në krye.
Nga ana tjetër, Agostineli ka theksuar se pavarësisht gjithçkaje do të jenë ata kampionët moralë...
Është një shprehje e bukur që i shkon për shtat një trajneri italian sikundër është Agostineli. Një gjë të tillë as unë nuk e mohoj. Kanë bërë një kampionat të mirë dhe ia vlen të ndihen ashtu, pasi mundën Skënderbeun në Korçë.
Por, mendoj se një gjë të tillë Agostineli e ka nxjerrë për të larguar presionin nga vetja, pasi në momentin kur erdhi në drejtim të Partizanit premtoi që të ishte kampion, prandaj e bën një gjë të tillë. Por, të themi të drejtën, të jesh kampion moral është diçka e bukur, por në futbollin e luajtur është shumë larg kampioni moral nga ai aktual.
Skënderbeu i ka bërë shumë "dhurata" me gabimet e tij Partizanit...
Po, por nuk ka më "dhurata" për të bërë ma merr mendja. Partizani ka përfituar nga këto gabime të Skënderbeut dhe është ende në lojë, por tani e vetmja "dhuratë" e fundit që i ka mbetur Skënderbeut është ta shpallë veten kampion dhe Partizanin kampion "moral".
LLAZI SARO