Partizani ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit në kuadër të takimit që do të luajë sot, në orën 19:30, ndaj Ferencvaroshit në Budapest. Trajneri Sormani ka punuar me lojtarët e tij në aspektin taktik dhe atë psikologjik, ndërsa është parë që të flasë për shumë minuta me Emiljano Vilën si një nga lojtarët që do të mbajë një peshë të madhe në mesfushë.
Sa i takon formacionit, trajneri ka lënë të kuptohet se ndryshime të vogla do të ketë mesfusha. Në portë do ta nisë nga minuta e parë Hoxha, ndërsa në të djathtë të mbrojtjes do të jetë Ibrahimi. Arapi dhe Krasniqi në qendër, ndërsa Kalari konfirmohet edhe një herë tjetër në të majtë. Para mbrojtjes do të jetë Batha me Trashin të cilët kanë treguar rendiment në takimet e fundit dhe kanë shpenzuar shumë energji. Të dy lojtarët do të kenë detyra të qarta mbrojtëse.
Ndërkohë, që Vila do të jetë i pozicionuar në të djathtë të mesfushës dhe për këtë arsye trajneri Sormani është parë të flasë më shumë me futbollistin se pjesën tjetër të skuadrës. Kjo edhe për shkak se futbollisti nuk është stërvitur me grupin të hënën në kryeqytet. Në qendër të repartit të mesfushës do të jetë Fili i cili do të ndihmojë edhe në repartin e sulmit, ndërsa në të majtë pozicionohet Torasa, që jep garanci si në fazën sulmuese ashtu edhe atë mbrojtëse.
Sulmi
Ndryshime më të mëdha në formacionin e të kuqve priten në sulm. Ndryshe nga ndeshja e parë, trajneri Sormani këtë herë ka vendosur t'ia besojë këtë repart Ekubanit, i cili ka luajtur për disa minuta në ndeshjen e parë në Elbasan. 22-vjeçari do të ketë një detyrë të vështirë përpara dhe zgjedhja e tij nga ana e Sormanit ka ardhur për shkak të formës së mirë fizike që ai po kalon. Lojtari do të ketë edhe mbështetjen e Filit dhe të mesfushës, ndërsa do të ketë si detyrë kryesore shfrytëzimin e kundërsulmeve me shpejtësinë dhe fizikun e tij.
ARMAND HALILI