Partizani me befasoi per mire goli i pesuar nuk i favorizon

Partizani më befasoi për mirë, goli i pësuar nuk i favorizon

Ish-trajneri dhe sulmuesi i Partizanit, Gerd Haxhiu, në intervistën e dhënë për "Panorama Sport" pohoi se ka mbetur i befasuar për mirë nga paraqitja e "demave" në ndeshjen e parë të Champions-it ndaj Ferencvaroshit.

Gerd Haxhiu

Gerd Haxhiu

Haxhiu i ka bërë një skaner ndeshjes duke vlerësuar arritjet e lojtarëve, por ka dhënë edhe pikëpamjet e tija se çfarë duhej bërë më mirë apo çfarë duhet të ndryshojnë në ndeshjen e kthimit.

Ish-trajneri ka bindje se forma e mirë e Filit do ta detyrojë teknikun Adolfo Sormani që të ndryshojë modul loje. Sipas Haxhiut, goli i pësuar ua vështirëson kualifikimin kryeqytetasve.

Haxhiu, si ju duk paraqitja e Partizanit ndaj Ferencvaroshit?

U befasova për mirë, duke e krahasuar me ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Slovan Bratislavës.

Si ish-lojtar dhe trajner i "demave", cila është analiza juaj për këtë 90-minutësh të parë në Champions?

Nuk ndryshonte asgjë nga ndeshja e parë me Slovanin. Të njëjtët lojtarë, i njëjti sistem loje, 4-1-4-1, por në interpretim ishin shumë herë më ndryshe nga ndeshja e parë. Kishte ritëm, saktësi në pasime, rrjedhë logjike në ndërtimin e aksioneve. Pashë një skuadër në ekuilibër, që vendosej e gjitha poshtë vijës së topit në fazën mbrojtëse dhe shumë agresive në markim.

Ekipi ishte i pozicionuar drejt në mbulim. Linja e boshtit funksionoi shumë mirë. Krasniqi, Trashi dhe Fili bënë diferencën. Në momentin e pësimit të golit, mbrojtja ishte ngritur shumë lart. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se ishte aftësia e lojtarit Bode që bëri të mundur barazimin.

A mund të ishte përdoruar ndonjë mënyrë tjetër loje në këtë takim?

Personalisht do të preferoja një pozicionim me koheziv të Ylber Ramadanit në raport me mbrojtjen dhe me dy lojtarët e qendrës, si Batha dhe Trashi. Shpeshherë kemi parë mbivendosje diagonale të Trashit, nga qendra në krah, majtas dhe Ramadani duhet të ngrihej më lart dhe të ndihmonte më shumë në fazën e ndërtimit. Por, dua të them se paraqitja e tij ishte shumë më e mirë në krahasim me ndeshjen e parë ndaj Slovan Bratislavës.

Përveç kësaj, pati diçka tjetër që nuk funksionoi mirë?

Në një sistem të tillë loje, ku mbrojtësit anësorë nuk ngrihen lart në fazën e ndërtimit të aksionit, duhet domosdoshmërisht krijimi i superioritet numerik në situatat një për një të dy lojtarëve anësorë, Torasa dhe Vila. Me sa duket, ata akoma nuk janë në gjendjen e tyre optimale, por kjo konsiderohet normale, pasi është ende herët.

Ndaj hungarezëve debutuan edhe dy sulmuesit e rinj të ekipit, Volas dhe Ekuban...

Nuk mund të jap një gjykim për dy lojtarët sulmues që u aktivizuan, por besoj që do t'i shërbejnë shumë skuadrës në vijim.

Sipas analizës suaj, mund të themi se të kuqtë duhet të ndryshojnë disi stilin e lojës në ndeshjen e kthimit ndaj Ferencvaroshit?

Mund të them që paraqitjet e mira të Filit do ta detyrojnë trajnerin që të ndryshojë sistem loje. Duke parë cilësitë e lojtarëve, mendoj se moduli 4-2-3-1 është ideali për kontingjentin që ka në dispozicion ekipi. Mbrojtja, ajo që është. Batha, Trashi në qendër të mesfushës. Tre të tjerë duhet të jenë më ofensivë, Fili majtas, Torasa në qendër dhe Vila djathtas. Në majë të sulmit duhet të jetë njëri mes Volasit dhe Ekubanit.

Si i shikoni shanset e të kuqve në ndeshjen e kthimit në Hungari?

Në ndeshjen e kthimit besoj që Partizani do të bëjë një paraqitje shumë të mirë. Mirë- po, pësimi i golit në ndeshjen e parë në "Elbasan Arena" e penalizon për kalimin e turit.

Merkato mbetet e hapur, sipas jush, çfarë tip lojtarësh duhet të kërkojë Partizani në vijim?

Partizani duhet të afrojë alternativa serioze në çdo pozicion, pasi vetëm kështu mund të pretendohet titulli.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama