Blerja më e re e Partizanit, sulmuesi slloven, Dalibor Volas, me të zbarkuar në Shqipëri, është vënë menjëherë nën urdhrat e teknikut Sormani. Në seancën e djeshme stërvitore, 29-vjeçari është ingranuar me pjesën tjetër të ekipit, duke marrë edhe dozën e nevojshme të stërvitjes. Madje, me të dhe pjesën tjetër të ekipit të fazës ofensive është marrë vetë italiani i pankinës së kuqe, i cili ka aplikuar skema nga më të ndryshmet se si futbollistët të dalin para portës kundërshtare dhe të shënojnë.
Duke parë që slloveni u bashkua menjëherë me pjesën tjetër të grupit, forma e tij fizike u duk optimale dhe ndoshta do të jetë pikërisht "asi nën mëngë" i Sormanit për sfidën e nesërme në "Elbasan Arena" përballë Ferencvaroshit në Ligën e Kampionëve.
Formacioni
Siç është bërë traditë, trajneri italian formacionin e mbajti sërish "të fshehur", teksa në sfidën miqësore brenda grupit përzjeu kartat me lojtarët në fushë. Vetëm më prapavijë nuk ka pasur ndryshime në pamje të parë, me Kalarin në të majtë, Arapin me Atandën në qendër dhe Ibrahimin në të djathtë. Në mesin e fushës Sormani bëri lëvizje me vetëm Torasën dhe Trashin në ekipin që presupozohet titullar, si edhe dy të rinjtë Likën dhe Ismailajn. Ndërkohë, në sulm provoi dyshen më të re, Ekuban dhe Volas. Pra duket qartë se Partizani nuk do të hyjë në fushë për t'u mbrojtur ndaj hungarezëve, madje kërkohet që të shënojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ra në sy aktivizimi i Bathës, Vilës, Ramadanit dhe Filit me ekipin rezervë, lojtarë të cilët kanë qenë titullarë në ndeshjen ndaj Slovan Bratislavës. Gjithsesi, nuk pritet të jetë ky formacioni zyrtar i ditës së nesërme, edhe pse për Bathën dhe Vilën ndoshta ka ende dilema për t'u hedhur nga minuta e parë apo jo. Krasniqi I vetmi që ka bërë stërvitje veçmas grupit ditën e djeshme ka qenë mbrojtësi Gëzim Krasniqi, i cili pas disa vrapimeve të lehta bëri masazh. Me shumë gjasa, mbrojtësi nuk do të aktivizohet ditën e nesërme, vetëm nëse rikuperohet në kohë rekord. Gjithsesi, vendin e tij pritet ta zërë Atanda në qendër të mbrojtjes.
VLADIMIR MEMA