Klubi i Partizanit ka bërë të ditur se ka arritur akordin për firmën e një sulmuesi i cili do të zëvendësojë Xhevahir Sukajn, i larguar pak ditë më parë në drejtim të Malajzisë.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Partizani ka zyrtarizuar marrëveshjen njëvjeçare me Kaleb Ekuban.
"Klubi njofton se ka arritur marrëveshjen me Kievo Veronën për transferimin në formën e huazimit të Kaleb Ansah Ekuban. Sulmuesi 22 vjeçar me pasaportë Italiane, do të jetë pjesë e 15-të herë kampionëve të vendit për sezonin e ri futbollistik 2016 - 2017. Ekuban, i cili prej 10 ditësh i është bashkuar skuadrës në seancat stërvitore, ka bindur trajnerin Sormani dhe sot ka nënshkruar marrëveshjen me të kuqtë", shkruhej në njoftimin e klubit.
Lojtari nuk është i federuar për ndeshjet e para të Partizanit në Ligën e Europës dhe mund të aktivizohet në arenën ndërkombëtare vetëm nëse të kuqtë kalojnë turin.