Gjatë këtyre ditëve është përfolur shumë lajmi se Hamdi Salihi mund të jetë goditja e madhe e Partizanit për ndeshjen e Europës dhe për vitin e ardhshëm.
Mirëpo, diçka e tillë nuk i ka tingëlluar aspak e mirë presidentit të klubit korçar, i cili, përveç faktit se u përball me një situatë të vështirë nga pezullimi i UEFA-s, ka vendosur ta mbajë yllin e skuadrës së tij edhe për sezonin e ardhshëm.
Ardjan Takaj i ka bërë barrikadë dëshirës dhe synimit të të kuqve për të pasur në ekip sulmuesin më të mirë të Superligës. I pyetur nga "Panorama Sport" në lidhje me të ardhmen e sulmuesit dhe faktin nëse do ta linte të lirë për të shkuar te Partizani, Takaj u përgjigj:
Ta harrojnë! Ai kishte kohë për të bërë edhe ironi apo batuta me ekipin, ku një vit më parë rivalizoi deri në javën e fundit për titullin kampion.
"Partizani nuk e merr dot Salihin dhe unë nuk kam ndër mend ta lëshoj. Ata ta harrojnë se mund ta kenë në ekip, jo vetëm Salihin, por asnjë punëtor fushe të Skënderbeut", tha Takaj për gazetën.
Hamdi Salihi u transferua një vit më parë në Korçë, duke u shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës. Ai e ndihmoi ekipin të kualifikohej për në grupet e Europa Ligës dhe të fitonte sërish kampionatin, pavarësisht garës së fortë me Partizanin.
Bomberi shkodran iu bashkua korçarëve në stërvitjet që zhvilluan në Austri dhe tani është në pritje për të vendosur të ardhmen. Në fakt, Takaj është i qartë. Sipas tij, Salihi do të vazhdojë të qëndrojë në Korçë.
Ll. Saro