Partizani ka afruar disa lojtarë në këtë pjesë të merkatos, por të kuqtë mbeten të përfshirë në këtë proces, madje pas dy sfidave të Champions-it me Ferencvaroshin priten përforcime të tjera. Mesfusha dhe mbrojtja janë repartet që pritet të rifreskohen dhe një nga emrat që është lakuar së fundmi te "demat" është ish-lojtari i kombëtares shqiptare, Vullnet Basha.
Burime pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dije se kanë nisur bisedimet me mesfushorin qendror, i cili në fund të sezonit të fundit ka dalë lojtar i lirë. Përpos zërave që qarkullojnë te të kuqtë, lojtari i kontaktuar nga "Panorama Sport" e ka hedhur poshtë këtë pistë, pasi ai pret të mbetet sërish në futbollin spanjoll.
"Këto janë zëra merkatoje, por për mua nuk ka gjë të vërtetë, pasi nuk jam në kontakt me Partizanin. Brenda këtyre dy ditëve pres të firmos me ndonjë klub spanjoll. Klubet me të cilët jam në kontakt janë Kadiz dhe Murcia", u shpreh Vullnet Basha.
26-vjeçari në sezonin e fundit ka qenë pjesë e skuadrës spanjolle Ponferradina, e cila në fund të kampionatit nuk mundi të mbijetojë në Ligën e Dytë. Vullnet Basha ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, por me ekipin e parë ka qenë pjesë e Shqipërisë, ku ka luajtur vetëm një ndeshje, në miqësoren e datës 14 gusht 2013 ndaj Armenisë. Në maj të këtij viti, 26-vjeçari iu bashkua të vëllait, Migjenit, te Kombëtarja e Shqipërisë, por pas miqësores me Armeninë, ai nuk gjeti më terren te kuqezinjtë.