Partneritetet Publike Private ne bregdet Ministri Ahmetaj dhe shtepia e tij

Partneritetet Publike Private në bregdet, Ministri Ahmetaj dhe shtëpia e tij

Ministrja e Ekomomisë Milva Ekonomi dhe ai i Financave Arben Ahmetaj kanë nisur një fushatë propagandistike për partneritetetet publike private (PPP) në turizëm, në veçanti, në bregdet.

"Si është e mundur që nuk ka asnjë kontratë për partneritet publike private?" - pyeti sot i habitur ministri Ahmetaj.

Pyetja e tij tregon, për të disatën herë, sa pak i informuar është ai mbi ato që ndodhin dhe do të ndodhin në ekonominë e vendit.

Edhe pse nuk quheshin kontrata PPP, gjatë qeverisë Meksi, u dhanë me qera për 99 vjet shumë terrene përgjatë bregdetit, me qëllim ndërtimin të ashtuquajturve fshatra turistikë, ndërtimi i të cilëve ndodhi gjatë qeverisjeve të mëvonshme socialiste--kur Zoti Ahmetaj ishte drejtor i përgjithshëm i tatimeve dhe zëvendës ministër. Kjo skemë u zbatua veçanërisht përgjatë bregut me pisha të Golemit e deri në Qerret.

Por fshatrat e destinuar për infrastrukturë turistike në vend që të përdoreshin si hotele u shndërruan në rezidenca vilash dhe apartamentesh të cilat u shitën individualisht si shtëpi private plazhi, një pjesë për elitën politike dhe shoqërore dhe pasanikët e rinj në vend.

Pastaj, ndodhi që asnjë nga to nuk paguante tarifat e qerasë për terrenin, kështu që një ditë të bukur qeveria u dha të drejtën pronarëve të privatizonin për pak para terrenin nën pronësinë e tyre.

Zoti Ahmetaj ka vetë një shtëpi në një nga fshatrat më ekskluzivë. Edhe shtëpia e tij është ndërtuar mbi një terren të privatizuar nëpërmjet një PPP-je.

Pikërisht këto PPP-të shpikura nga Qeveria Meksi e të finalizuara nga qeveritë Nano-Meta gjeneruan një shëmtirë urbanistike të paparë në ndonjë vend tjetër.

Zoti Ahmetaj hiqet si i paditur në një kohë kur disa nga klientët kryesorë të tij dhe të Zotit Rama janë duke shkatërruar me të njejtin model bregdetin e jugut duke filluar nga Palasa deri në Sarandë.

Madje, nuk do ishte çudi sikur të mësohej që në fshatrat rezidencialë që po ndërtohen në bregdetin e Jonit, ndër të tjerë nga zotërinjtë Mane dhe Sarapuli, të kenë prenotuar vilat e tyre dhe drejtuesit e lartë të qeverisë Rama.

Ky pra është modeli i biznesit inovativ, i cili sipas Rilindjes, do të sjellë zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama