Klubi i Atalantës në Serinë A i është bashkuar skuadrave të tjera italiane të cilat janë vënë në ndjekje të Arlind Ajetit, i cili është lojtar i lirë që pas rënies së Frozinones nga kategoria.
Peskara ishte shumë pranë firmës me futbollistin dhe kishte një akord parimor me të pasi i kishte ofruar një kontratë prej 300 mijë eurosh në sezon, siç ka shpjeguar eksperti i merkatos italiane, Alfredo Pedulla. Por klubi ngurroi të mbyllte marrëveshjen para Euro 2016 dhe tashmë e ka të pamundur të kontrollojë një ankand të mirëfilltë që është hapur për të në Serinë A.
Pas Bolonjës, Torinos dhe Lacios, për lojtarin interesohet edhe Atalanta, e cila do të ishte e gatshme të formonte në prapavijë dyshen e të ardhmes së përfaqësueses shqiptare, Ajeti-Gjimshiti, meqë i dyti është që prej janarit pjesë e këtij klubi.
Ky propozim po tundon Ajetin, i cili tashmë duhet thjesht të zgjedhë projektin sportiv që i pëlqen më shumë.
Për lojtarin ka pasur interesim edhe nga kampionati anglez, gjerman dhe turk, por Ajeti është i ndërgjegjshëm që në elitën e futbollit italian mund të mësojë më shumë për sa i përket pozicionit ku luan në fushë.