Elis Bakaj merr një superofertë nga Malajzia. Për llogari të futbollistit janë gati 300 mijë dollarë nëse firmos për 1.5 vite me FC Perak. Është pikërisht ky klubi që është vënë në "gjurmët" e 28- vjeçarit, duke i bërë një ofertë tunduese financiarisht. Në këtë ekip vite më parë ka luajtur edhe një futbollist shqiptar, konkretisht Uliks Kotrri. Dhe nga sa mësohet është pikërisht shkodrani, i cili kohësh ka edhe statusin e menaxherit, ai që po bën ndërmjetësin për këtë "operacion" merkatoje.
Bisedimet janë duke ecur në rrugën e duhur dhe pritet që brenda pak ditësh të ketë zhvillime konkrete për transferimin e fantazistit drejt kontinentit aziatik. FC Perak këtë sezon (pasi kampionati në Malajzi është ende duke u luajtur) nuk është se po kalon ndonjë formë të mirë. Kur janë zhvilluar vetëm 12 javë, ata kanë grumbulluar vetëm 11 pikë, pas 2 fitoreve, 5 barazimeve dhe po aq humbjeve. Dhe ndoshta kjo ecuri ka kushtëzuar drejtuesit që në merkaton ndërmjet fazave të pasurojnë organikën me kualitete. Dhe në listën e preferencave është pikërisht autori i 14 golave me Tiranën.
Prapaskena
Mësohet se të martën Elis Bakaj mund të niset drejt tokës malajziane dhe nga sa mësohet rrugëtimin mund ta kryejë bashkë me sulmuesin e Partizanit, Xhevahir Sukajn. E paqartë është ende nëse do të firmosin apo jo direkt, apo thjesht do të shkojnë për të parë nga afër edhe kushtet. Megjithatë, nga burime të sigurta mësohet se ekziston mundësia që në Malajzi dy shënuesit më të mirë të ekipeve kryeqytetase të luajnë në një ekip, pikërisht te FC Perak.
Konfirmimi
Elis Bakaj, i kontaktuar nga gazeta për këtë çështje, ka deklaruar se ka një ofertë nga Malajzia, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Megjithatë, golashënuesi më i mirë i Tiranës për dy sezonet e fundit ka sqaruar se gjithçka është e hapur dhe vetëm më vonë ai do të vendosë për të ardhmen e tij.
"Kam pasur një ofertë, por do ta mendoj. Ka akoma kohë", kanë qenë këto fjalët e fantazistit për "Panorama Sport". Pritshmëritë Mesfushori me tipare të theksuara sulmuese pak kohë më parë refuzoi një tjetër ofertë. Sllovan Bratislava ishte gati që t'i jepte 160 mijë euro për dy vite (nga 80 mijë euro në sezon, pa përfshirë këtu bonuset), megjithatë Bakaj i tha "jo" kësaj oferte. Ai vendosi kushte të tjera për klubin sllovak, teksa ua bëri të qartë se nuk do të firmoste pa 200 mijë euro minimalisht.
Por edhe ky opsion ka mbetur pezull, duke qenë se lojtari nuk ishte gati që të nënshkruante me këtë shifër, duke qenë se pritshmëritë e tij janë për më shumë. Futbollisti synon që të luajë jashtë vendit sezonin e ardhshëm, megjithatë nuk kërkon të nxitohet. Ai zyrtarisht është futbollist i lirë në treg. Edhe pse kishte kontratë 1+1 me kryeqytetasit, pak kohë më parë zhvlerësoi opsionin e rinovimit. Ai depozitoi në klub dhe në FSHF një kërkesë, e cila i jep mundësinë që të zgjedhë tjetër destinacion për sezonin e ri.
Adela Merko