Realdo Fili dhe Jurgen Bardhi janë dy nga lojtarët e perspektivës që së fundmi kanë gjetur hapësirë edhe tek ekipi i parë i Partizanit.
Fili ka qenë përcaktues në disa raste, ku ka shënuar edhe tre gola, spikat goli i barazimit në derbi. Të dy lojtarët janë edhe kontingjent i ekipit kombëtar Shpresa dhe pas përfundimit të ndeshjes së fundit me Teutën ata do të grumbullohen me kuqezinjtë e trajnerit Redi Jupi.
Grumbullimi nga kombëtarja U-21 nuk u lë mundësi dy lojtarëve që të përfshihen nga klubi me Partizanin B, që të enjten luan "play off"-in me Sopotin.
Fili, debutimin me fanellën e kuqe e kreu me Partizanin B, pasi u federua me këtë ekip në fillim, më pas u përdor nga ekipi i parë.
Ndërsa Bardhi në këtë sezon është aktivizuar me tri skuadra të ndryshme, Partizani U-19, Partizani dhe Partizani B. Në synimet e klubit për këtë vit është edhe ngjitja e ekipit të dytë në Kategorinë e Parë, ku të enjten i pret finalja me Sopotin.
Në këtë takim Partizanit i lejohen që të aktivizojë deri në pesë lojtarë të skuadrës së parë, të cilët nuk do të përfshihen në fushë ndaj Teutës të mërkurën.