Pas binjakezimit Vlora dhe Yangzhou nisin projektet e perbashketa

Vlora-2-303x200-Hidhen bazat për investime në rrugë, porte e aeroporte

VLORE, 21 tetor/ATSH-Harilla Koçi/.- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, priti sot një delegacion të qytetit Yangzhou (Kinë), pjesë e të cilit ishin edhe përfaqësues e drejtues të mjaft kompanive të njohura në Kinë, veçanërisht në fushën e infrastrukturës. Gjatë këtij takimi, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Jiang Yu, u diskutuan drejtimet kryesore të bashkëpunimit mes qytetit të Vlorës dhe qytetit Yangzhou, me të cilin pak javë më parë, u nënshkrua edhe një marrëveshje binjakëzimi. Investime konkrete në rrugë, në porte e aeroporte, ishte kryefjala e takimit, ku dëshira dhe angazhimi reciprok për konkretizimin e bashkëpunimit, ishte e dukshme.

Vizita e delegacionit kinez të qytetit të Yangzhout, që kryesohej nga Prof.dr. Sun Yongru, zëvendës Drejtor i Komitetit të Përhershëm Komunal të Kongresit Popullor të këtij qyteti dhe President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, pason atë që zhvilloi pak javë më parë në këtë qytet, kryebashkiaku Dritan Leli, ku u nënshkrua edhe marrëveshja e binjakëzimit.

"Bashkëpunimi aktual ka një bazë të mëparshme, miqësinë e dikurshme mes dy vende tona", theksoi në këtë takim kryebashkiaku Leli. Ndërkohë, që, të pranishmit ndanë mendimin se, kjo miqësi, tashmë do të përkthehet e përshtatet në kushte e mënyra të reja, për ta shndërruar atë në projekte e investime konkrete, për të cilat biznesi kinez, i përfaqësuar me kompanitë më të njohura në Kinë, është mjaft i interesuar.

Sipas Lelit, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës, ka rrënjë të thella, ka fillesa shumë më të hershme, kur miqësia shqiptaro-kineze ka qenë në klimën e saj më të mirë. "Ky bashkëpunim, veç aspektit kortezial dhe miqësor, do të ketë edhe interesin reciprok për të patur zhvillim të dyanshëm. Çdo hap i hedhur deri tani, serioziteti i negociatave, ndjeshmëria e komunkimit, ndjeshmëria e lartë politike, janë garanci e madhe që ne të vazhdojmë të ecim, ashtu si shqiptarët dhe kinezët kanë ditur të ecin prej vitesh", shtoi ai, duke u ndalur edhe në disa aspekte të efekteve pozitive që krijoi Reforma e re Territoriale e Administrative edhe në fushën e bashkëpunimit.

Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Jiang Yu, vlerësoi bashkëpunimin e Vlorës me qytetin e Yangzhout, ndërkohë që u shpreh se, pas binjakëzimit të dy qyteteve, ky nivel do të jetë edhe më i lartë. Ambasdadorja Yu theksoi se, bashkëpunimi në fusha të ndryshme në infrastrukturë, turizëm etj, duhet të jetë vetëm fillimi.

"Jam dakord me dy kryetarët e Bashkive që, duke shfrytëzuar miqësinë e dikurshme mes dy vendeve tona, në kushte të reja dhe në një kohë të re, të shkojmë përpara me projekte konkrete", u shpreh ajo, ndërkohë që sqaroi se, në këtë takim janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e disa prej firmave më të fuqishme në Kinë në fushën e infrastrukturës. Ambasadorja Jiang Yu shprehu publikisht dëshirën dhe vullnetin e firmave më të njohura kineze, për të investuar dhe për të marrë pjesë në projekte të infrastrukturës, duke përfshirë rrugët, aeroporte e porte në Vlorë, por jo vetëm. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama