Pas dy vitesh mungese rikthehet Festivali i Butrintit

Pas dy vitesh mungese, rikthehet Festivali i Butrintit
I rikthehet traditës pas dy vitesh shkëputjeje, Festivali Teatror i Butrintit. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtori i aktivitetit, z.Alfred Bualoti. Hera e fundit që është mbajtur ka qenë viti 2010, ndërkohë që në vitet 2011 e 2012, ka qenë mungesa e fondeve ajo që penalizoi një sërë aktivitetesh kulturore.

“E kemi marrë konfirmimin që në muajin prill, ndërsa tani që po flasim unë i kam mbyllur përgatitjet për të“, – sqaron Bualoti.

Ai bën me dije se sivjet do të ketë 5 trupa teatrore, nga: Bullgaria, Spanja, Amerika, Ukraina dhe Italia.

“Kemi marrë një fond prej 4 milionë lekësh. Jemi shumë të gëzuar nga vendimi. Sivjet është edicioni i 12-të, që vjen pas dy vitesh shkëputjeje nga tradita”, -citohet ai në “GSH”.

Përveç Bullgarisë, nuk ka vende të rajonit në këtë festival, madje edhe vetë Shqipëria mungon.

Duke filluar nga viti 2000, për herë të parë pas 2400 vitesh zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “BUTRINTI 2000″. Në 11 edicione të këtij festivali kanë marrë pjesë shume trupa teatrore profesioniste nga mbarë bota. Në skenën magjike të këtij teatri kanë pasur fatin të luajnë mbi 2250 artistë dhe janë ndjekur nga rreth 45.000 spektatorë vendës e të huaj. Festivali organizohet me mbështetjen e MTKRS-së, Bashkisë Sarandë, Parkut Kombëtar Butrint, si dhe me ndihmesën e disa donatorëve. Teatri i Butrintit kishte një kapacitet prej 1500 vendesh, u ndërtua në shek IV – III para Krishtit. Zbulimi i tij zgjati për rreth 4 vjet, nga Ugolini; ndodhet në anën jugore të Akropolit të qytetit. Përbëhet nga vendet e ndenjes, skena dhe orkestra. Kishte 19 rreshta me blloqe guri që shërbenin si ndenjëse dhe 3-4 radhë në krye.

Janë ruajtur të plota 13 shkallët e para. Për të kaluar midis rreshtave shërbenin 6 palë shkallë guri; në fillim zbukuroheshin me dy putra luani. Sfondi para skenës përbëhet nga një mur i lartë me tri harqe me zbukurime mermeri. Aty vendoseshin shtatore sipas modeleve të kohës. Sheshi i skenës u shtrua me rrasa guri në periudhën osmane. Para shkallëve gjendet vendi i orkestrës; ka formën e një harku dhe është i shtruar me gurë gëlqerorë me formë kuadrati. Skena dhe orkestra u rindërtuan në shek. II para Krishtit. Skena është e ngritur më lart se sheshi i orkestrës. Skena përbëhet nga dy mjedise: paraskena dhe prapaskena. Në prapaskenë ndodhen korridoret e ngushta që shërbenin për hyrjen dhe lëvizjen e aktorëve. Këtu gjenden edhe disa mbishkrime për lirimin e skllevërve. Thuhet që janë liruar shumë skllevër, një pjesë e të cilëve ishin gra.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama