Ju jeni lindur në Prishtinë, por keni tashmë lidhje të shumta edhe me Shqipërinë me angazhimin tuaj në kombëtare. Cilat janë lidhjet tuaja me Shqipërinë dhe Kosovën?
Gjithmonë kur kam qenë i vogël, pavarësisht se jam nga Kosova, kam patur dëshirë që të luaj për kombëtaren shqiptare. Është një gjë fare normale. Përderisa për ne lojtarët nga Kosova nuk parashikohej ndonjë kombëtare tjetër, dëshira për të luajtur me kombëtaren shqiptare vjen në mënyrë natyrale dhe me një lloj patriotizmi brenda, që secili duhet absolutisht ta ketë. Ndërkohë që lidhjet e mia me Shqipërinë janë të shumta. Që kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 2002, miqtë e mi më të afërt dhe më të ngushtë i kam këtu. Ndërkohë që në Kosovë kam shumë familjarë, rrethi më i afërt, familja ime jeton në Gjakovë, por miqësinë më të ngushtë dhe më të afërt e kam në Tiranë.
A ka ndikuar karriera futbollistike e babait tuaj, si një pikënisje për karrierën tuaj?
Sigurisht që ky pasion ka ardhur nga familja, sepse babai im ka patur një karrierë rreth 15 vjeçare si futbollist profesionist dhe ka arritur të bëjë emër në Kosovë në kohën e ish-Jugosllavisë, që në fakt ka qenë mjaft cilësor në atë periudhë. Pastaj unë jam rritur në botën e futbollit edhe si një djalë nga Ballkani, ku të gjithë djemtë e kanë pasion futbollin. Në fakt, nuk e paramendoja që do të bëhesha një futbollist profesionist, por jam përpjekur dhe kam punuar në atë drejtim, kam patur mbështetjen e babait, por edhe kushtet i kam patur, pasi ne u larguam nga Kosova. Të gjitha ishin në anën time për të arritur këtë qëllim.
Përtej sportit cilat janë disa nga hobet, interesat e Lorikut? Është e vërtetë që ju intereson arkeologjia?
Kam në fakt disa interesa të ndryshme që nuk kanë lidhje fare me futbollin. Gjithmonë kam qenë i apasionuar pas historisë dhe veçanërisht historisë së popullit shqiptar, dhe ky drejtim më ka orientuar më pas, drejt disa pasioneve të tjera siç janë arkeologjia, etimiologjia etj, por nuk kam kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar. Jam regjistruar në Universitetin e Tiranës për t’u diplomuar në degën Histori, në part-time, edhe pse me angazhimet aktuale që kam do të më duhen më shumë se katër vjet për të përfunduar. Por dua të investoj në këtë drejtim, në mënyrë që kur të mbaroj me futbollin të kem një orientim në Histori, pse jo, sepse mua më pëlqen, dhe ndoshta mund të angazhohem më shumë në këtë drejtim pas futbollit. Një tjetër pasion i kohëve të fundit është ai i garave me kuaj, hipizmit si dhe sportet automobilistike në përgjithësi.
Ju keni krijuar një profil mjaft interesant dhe të pëlqyeshëm për publikun duke marrë pjesë në disa iniciativa bamirësie si dhe jeni shpallur ambasador i UNICEF në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni për këto eksperienca?
Më duket diçka shumë normale, kur e ke mundësinë, kur je një figurë publike, sidomos në fushën e sportit, sepse sporti është një ambasador i jashtëzakonshëm i një vendi sidomos në lidhje me aktivitetin me fëmijët. Më duket një gjë më se normale që të përdorësh emrin dhe imazhin tënd për gjëra të tilla. E bëj me shumë dëshirë dhe kur kam mundësi, sigurisht që angazhohem me këto gjëra, që unë i konsideroj si shumë të rëndësishme.
Për shkak të karrierës tuaj futbollistike ju është dashur që të ndryshoni disa herë vendin ku keni jetuar nga Zvicra, Franca, Anglia dhe tashmë Turqia. Në planin personal, ju pëlqen një jetë e tillë apo e konsideroni edhe një lloj sakrifice?
Në fakt, unë nuk e kam patur shumë problem një gjë të tillë, pasi që fëmijë jam mësuar me lëvizjet, kur kam lëvizur në fillim në Zvicër, e më pas nga Zvicra për në Francë. Kam kaluar shumë vite në Zvicër dhe në Francë, dhe sigurisht nuk ishte e lehtë për t’u larguar nga këto vende. Në fakt këto eksperienca më kanë mësuar që kur shkoj në një vend të ri të ambientohem shumë shpejt. Ne shqiptarët kemi një aftësi natyrale që të mësojmë gjuhët e huaja shumë shpejt dhe një gjë e tillë më ka ndihmuar jo vetëm për t’u përshtatur, por edhe për të njohur mentalitete të ndryshme.
Ju jeni një ndër figurat më të preferuara sidomos për vajzat. Çfarë mund të na thoni për jetën personale? A ka ndikuar fama juaj në privatësinë tuaj?
Kam patur një farë avantazhi që kam jetuar përgjithësisht jashtë vendit, dhe kjo gjë më ka mbrojtur në një farë mënyrë nga shumë gjëra. Unë nuk e kam problem të flas për jetën time personale, por ka disa momente që flitet edhe për gjëra që nuk janë fare të vërteta, megjithatë unë jam mësuar me këto gjëra, është diçka e ditur për njerëzit e njohur. Përgjithësisht, gjërat personale i mbaj për vete, megjithatë unë mendoj se, nëse ka diçka të rëndësishme në jetën time, të cilën njerëzit kanë nevojë për ta ditur, se kam problem për ta thënë, nëse jam në lidhje me dikë, dëshiroj të martohem me dikë, diçka e rëndësishme për jetën time, do ta them. Mund të them se asnjë moment nuk ka qenë i tillë dhe asnjëherë nuk kam dalë në publik me dikë. Kaq e thjeshtë është.
Si e shihni të ardhmen tuaj në Kombëtaren shqiptare?
Unë jam munduar ta ndërtoj karrierën time si futbollist me një lloj angazhimi për veprim dhe për rezultate, përpiqem që të jem një shembull dhe mundohem të hap rrugë edhe shumë lojtarëve të tjerë që do të vijnë pas meje. Unë jam i bindur që ka për të patur edhe shumë lojtarë shqiptarë që do të vijnë pas meje, që do të jenë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare dhe do të jenë edhe më të mirë se unë. Jam i kënaqur që kam qenë ndër të parët që kam patur sukses në arenën ndërkombëtare e që kam patur mundësinë të luaj në kompeticionet më të rëndësishme. Do të doja që edhe shumë të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të zgjedhin përfaqësuesen kombëtare kuq e zi. Besoj që gjatë viteve të fundit kombëtarja shqiptare ka ecur përpara, ndoshta mund dhe ka për të ecur edhe më shumë. Unë personalisht kam edhe disa vite përpara dhe do të angazhohem në të njëjtën mënyrë, për të arritur rezultate akoma më të larta.
Çfarë mendoni se i mungon kombëtares tonë të futbollit? A mendoni se është koha për përfshirjen e elementëve të rinj?
Ne shqiptarët kemi patur elementë të spikatur me talent, si ballkanas dhe si shqiptar, por natyrisht po të shohësh kushtet me të cilat përballen të rinjtë tanë janë të vështira. Ajo që do të ndryshoja tek Kombëtarja, është gjetja e lojtarëve të rinj shqiptarë jashtë vendit, siç unë kam filluar të kërkoj tashmë. Këta të rinj i kanë të gjithë kushtet për të arritur sukses dhe shihet se në vende si Zvicër apo Gjermani, lojtarët shqiptarë janë ndër lojtarët më të mirë mes të rinjve dhe unë vetë jam shembulli më i mirë në këtë aspekt, pasi jam rritur në Zvicër dhe kam arritur nivelin tim më të mirë në Zvicër dhe Francë. Këtë pikë do ta kisha ndryshuar patjetër. Sigurisht që është e vështirë për lojtarë që nuk luajnë në klubet më të mira apo në kampionatet më të mira dhe jo rregullisht, që të jenë në formën e tyre më të mirë. FSHF ka ndërmarrë një nismë për gjetjen e elementëve të rinj. Ka disa vite në fakt. Kemi filluar një audicion për gjetjen e talenteve të reja për të arritur sa më lart. Unë e mbështes këtë nismë për të ardhmen dhe apeloj ata lojtarë që luajnë jashtë vendit, që të luajnë edhe për kombëtaren shqiptare.
A do të jetë e ardhmja juaj në Turqi? Apo është ende shpejt për ta thënë?
Kur jam larguar në Turqi kam shkuar së paku në një vend dhe në një klub, ku kam patur dëshirë të luaj që kur kam qenë i vogël. Gallatasaraji është në fakt një klub që ka shumë simpatizantë në Kosovë. Ka edhe një histori me të përbashkëta me vendin tonë. Gallatasaraji është themeluar nga një shqiptar, pikërisht djali i Sami Frashërit, Ali Samijen. Gallatasaraji ka qenë një universitet, me një traditë 300-400 vjeçare dhe djali i Sami Frashërit ka patur këtë iniciativë për të ngritur një klub futbolli dhe kjo në fakt më ka nxitur që ta mbështes. E kam thënë gjithmonë që kam dëshirë të luaj me këtë klub, më ka ardhur mundësia dhe ja ku jam. Gallatasaraji është një klub me famë botërore dhe mundësia m’u dha më herët se ç’ishte parashikuar, dhe nëse klubi më krijon mundësinë për të arritur rezultate të mira, do të rri edhe disa vite të tjera.
Ju kërkojnë shumë skuadra, të cilat mund të konsiderohen të rëndësishme, në Angli, Francë etj. Cila arsye do t’ju çonte drejt ndryshimit?
Unë kam vërtet dëshirë të rri gjatë tek Gallatasaraji në Turqi, por sigurisht kam shkuar në Turqi, në mënyrë që ky klub të më japë mundësinë të luaj në ligat europiane. Përveç dashamirësisë, duhet të merren parasysh edhe objektivat sportive. Këtë vit kemi patur disa probleme në aspektin sportiv, por nëse gjithçka shkon mirë, do të vazhdoj të rri aty.
Kush është çelësi i suksesit për të rinjtë që duan të bëjnë karrierë në fushën e futbollit sipas jush?
Gjëja më e rëndësishme është pasioni i tyre, unë i kuptoj përballjen me shumë vështirësi, edhe për të gjetur një fushë është një problem në vendin tonë. Megjithatë edhe unë kështu e kam nisur duke luajtur në rrugë në Kosovë, sigurisht më vonë kam patur fat dhe kam patur mundësi të tjera. Këshilla ime është që të bëjnë maksimumin dhe të punojnë fort, dhe unë mendoj që vendi ynë mund t’u japë mundësinë për të luajtur edhe jashtë absolutisht. Megjithatë edhe nëse nuk arrijnë të bëhen patjetër futbollistë, sporti i futbollit është shumë i mirë në jetën e tyre.