Mark Vilmots duket se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga drejtimi i Belgjikës pas dështimit të radhës me një brez shumë të talentuar lojtarësh. Por largimin e tij mund ta dekretojë në javët në vijim Federata Belge, e cila ka bërë të ditur se do të ulet në tavolinën e bisedimeve me trajnerin.
"Pas konsultave mes drejtuesve të lartë, kemi vendosur të mos ndërmarrim asnjë vendim të nxituar por të punojmë disa javë mbi një vlerësim të hollësishëm të paraqitjes së ekipit kombëtar.
Një vendim rreth kësaj çështje do të jepet kur të merret, por nuk duhet pritur në ditët në vijim", ishte qëndrimi zyrtar i Federatës Belge, i publikuar nga "Sky Sport".
Të gjitha mediat belge kanë cilësuar Vilmots si shkaktarin kryesor të humbjes së kombëtares me Uellsin dhe kërkojnë shkarkimin e tij, ndonëse ai ka edhe dy vite kontratë në drejtimin e Belgjikës.