Pasi skuadra e Sopotit ra pre e kërcënimit, drejtuesit e klubit kanë vënë në dijeni zyrtarët e ndeshjes në lidhje me këtë ngjarje dhe u kanë kërkuar që takimi të mos luhej, pasi lojtarët ishin të frikësuar.Në këtë mënyrë, librazhdasit kanë qenë të detyruar të luajnë. Vetëm pasi ka përfunduar takimi futbollistët, të shoqëruar edhe nga administratori i klubit, Iridion Bahiti, i janë drejtuar Komisariatit të Fushë-Krujës, ku kanë bërë denoncimin për atë që kishte ndodhur.
Të gjithë lojtarët kanë dhënë dëshmitë e tyre për kërcënimin. Ata kanë përshkruar detajet e ngjarjes, si edhe karakteristikat e agresorëve. Futbollistët kanë sqaruar me detaje se çfarë u kanë thënë kërcënuesit, në një kohë që kanë deponuar edhe se 2-3 persona të tjerë të armatosur kanë qëndruar brenda makinës.
Bëhet e ditur se policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Asnjëherë nuk kishte ndodhur më parë që një ekip futbolli të kërcënohej në këtë mënyrë që të mos luajë ndaj ekipit tjetër kundërshtar. Një ngjarje horror që të rikthen shumë mbrapa në kohë, më 1997 kur "maskat" bllokonin rrugët duke vjedhur dhe ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Masat, në kthim Sopoti u shoqërua deri në Kamzë
Pas ngjarjes së djeshme ku u kërcënuan lojtarët e Sopotit dhe denoncimit në polici, forcat e rendit kanë reaguar për sa i përket sigurisë së librazhdasve në kthim. Pas përfundimit të takimit me Pogradecin, minibusi që transportonte futbollistët është shoqëruar në kthim deri në afërsi të Kamzës. Kjo, për efekte sigurie.
Por, duke parë që librazhdasit u mundën dhe qëllimi i kërcënimit paraprak ishte pikërisht ky, siguria pas ndeshjes dukej paksa absurde. Megjithatë, librazhdasit janë shoqëruar nga forcat e rendit deri në afërsi të Kamzës. Aktualisht, çështja është denoncuar në Komisariatin e Fushë- Krujës, ku lojtarët kanë dhënë dëshmitë e tyre për atë që kishte ndodhur. Për herë të parë ndodh që një ekip futbolli të kërcënohet me armë përpara një ndeshjeje.
Përgatiti: BESAR BOZGO