Pas parave u iken edhe ...grate

Pas parave u ikën edhe ...gratë
Dështak, humbës i dreqit, i ulërin Keti të shoqit në fytyrë. "Më ke shkatërruar jetën. Shih si më janë bërë flokët, shih edhe thonjtë. Ka dy javë që nuk më ke dhënë para të shkoj te parukierja ime. Ndyrësirë. Ti je askushi". Bashkëshorti i Ketit, Xhek, që punonte deri para pak kohësh në një pozicion shumë të mirë në një bankë, tashmë të falimentuar, në Britaninë e Madhe, sapo i kishte kumtuar së shoqes se duhet të reduktonte vajtjet e saj në sallonin e shtrenjtë të bukurisë në qendër të Londrës, për t‘i kursyer buxhetit familjar 1000 paund në muaj.

 Por veç kësaj, ai sapo i kishte thënë Ketit se duhej që ndër të tjera të mos bënte blerje në "Bond Street". Por ajo që Xhek nuk guxonte t‘i thoshte, ishte se tashmë nuk kishte as paratë për të paguar 60 mijë dollarët në vit që kushtonte shkolla e të birit. Por e mësuar me një lumë parash, Keti nuk mund ta kuptonte një situatë të tillë dhe në vend që të ulej e të diskutonte për daljen nga kriza, u shndërrua në një krijesë agresive, që nuk la gjë pa i thyer në kokë të shoqit, tashmë të shndërruar në një qenie të dërmuar shpirtërisht dhe fizikisht. Nga "dialogu" me bashkëshorten ai doli me një hundë të thyer dhe krejt i gjakosur. Por a është ky vallë vetëm një shembull ekstrem i izoluar, pasojë e krizës ekonomike? Fatkeqësisht jo. Kur super të pasurit ndiejnë krizën në xhepat e tyre, pashmangshmërisht kriza do të përfshijë edhe martesën, e cila shpesh është bërë thjesht për interes.

Por një grua e llastuar dhe e përkëdhelur, që ndodhet befas pa benefitet me të cilat ishte mësuar përgjatë viteve të martesës së begatë, mund të jetë një qenie shumë-shumë e rrezikshme. Të mos e ngatërrojmë këtë lloj bashkëshorteje me ato gra që kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi dhe t‘ia dedikojnë kohën dhe mundin e tyre vetëm familjes. Gratë për të cilat po flasim janë ato që heqin dorë nga çdo lloj pune, menjëherë pas martesës së kamur, me pretekstin që të merren me punët e shtëpisë dhe përkujdesjen për fëmijët, por që sapo e arrijnë një situatë të tillë pajtojnë një ushtri shërbëtorësh dhe atyre nuk u mbetet tjetër për të bërë veç bërjes së pazarit për vete, apo shëtitjes nëpër sallonet e bukurisë. Kjo lloj kategorie bashkëshortesh jepet vetëm pas qejfeve të jetës dhe luksit dhe sigurisht, kur ai merr fund, ato acarohen dhe bëhen të dhunshme me bashkëshortët.

Pikërisht ndryshimi i situatës financiare në shumë vende të Evropës Perëndimore ka bërë që të shtohet shumë numri i divorceve ose i kërkesave për divorc në shtresën e pasur. Madje, sipas shifrave të sakta, që pas krizës së madhe të tregjeve financiare në muajin shtator numri i kërkesave për divorc është shtuar me 50%. Duket se para përkeqësimit të mëtejshëm të situatës financiare shumë çifte po përpiqen që të ndahen, atëherë kur ka ende gjëra për të ndarë, pra sa ka ende para nëpër banka, pasi mund të vijë një moment që të mos ekzistojnë as ato para. Por për bashkëshortet e llastuara zor se mund të ekzistojnë marrëveshje njerëzore. Mosplotësimi i urisë së tyre për para i ka shndërruar në qenie të ftohta dhe të pashpirt. Shumë avokatë rrëfejnë histori pa fund sjelljesh nga më çnjerëzoret të këtyre bashkëshorteve ndaj familjeve dhe bashkëshortëve tanimë jo të pasur.

Duke qenë se specialiteti i tyre është vetëm marrja e parasë në sasi të mëdha, ato nuk kanë shumë ndjesi njerëzore. Tek ato nuk ekziston aftësia njerëzore e mirëkuptimit, apo e ndihmës ndaj një personi që është në nevojë. Ajo çka duan dhe për të cilën falin gjithçka është "paraja". "I thashë sime shoqeje që të hiqte dorë nga çdo lloj blerjeje që i kalonte kufijtë e një çmimi të arsyeshëm, përfshi veshjet e saj, por reagimi që pati ishte pak të thuash shpërthyes", rrëfen një ish-financier. Ai ka një grua shumë të bukur, shumë ekstravagante, që deri më tani ka pasur një standard shumë të lartë jetese, por që së fundmi është acaruar tepër nga mungesa e parave. Sipas një avokati divorcesh, i cili ka klient pikërisht bashkëshortin e saj, gruaja e përkëdhelur ishte mësuar me shumë para. Nuk përdorte kurrë metronë apo transportin publik, por vetëm taksitë dhe i pëlqente që të ushqehej jashtë, në restorantet më të shtrenjta e sigurisht të vishej shik e të blinte dhurata të shtrenjta për personat të cilëve donte t‘u pëlqente.

 Pak javë pas divorcit ajo kishte gjetur dikë tjetër shumë të pasur dhe me një shpejtësi për t‘u admiruar. Një rast tjetër është ai i Sashës, i cili gjatë muajve të fundit, veç punës shumë të mirë, humbi edhe shtëpinë dhe disa prona të tjera për shkak të bashkëshortes që, sapo filloi kriza, nisi procesin e divorcit dhe e la pa gjë. Sigurisht që ai humbi gjithçka, por ndryshe nga shumë të tjerë që janë zhytur në trishtimin e humbjes, Sasha e kuptoi se më në fund, i mbetur pa para do të mund të gjente një grua që do ta donte për atë çka ishte, dhe jo për atë që kishte në xhep, apo në kartat e kreditit. Sipas disa avokatëve, bashkëshortet e llastuara që duan të divorcohen kanë personalitetin e fëmijëve grindavecë dhe tekanjozë që nuk arrijnë të matin apo parashikojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe mbi të gjitha kanë një shkallë të lartë mungese dhembshurie ndaj ish-burrave të rrënuar.

Këta të fundit ndihen jashtëzakonisht të përdorur dhe shpesh të shkatërruar shpirtërisht e psikologjikisht. "Ato ulërasin dhe egërsohen sapo u mungojnë paratë, siç bëjnë fëmijët e vegjël kur u heqin nga duart një lodër", thotë një avokat me shumë përvoja çiftesh të tillë. "Në jetën e të rriturve kjo lodër është paraja me të cilën mund të blesh një status, pushtetin, famën dhe arrogancën", vazhdon ai. Sipas tij, ka një kategori grash që janë të lindura për të jetuar në mënyrë parazitare dhe përmes bukurisë së jashtme dhe mënyrave ndjellëse të shkatërrojnë jetë meshkujsh, duke i përdorur si limonin që fillimisht e shtrydh dhe më pas e hedh. Në të shkuarën femra të tilla gjuanin raste të ndryshme mondane për të "peshkuar" pretë e radhës, pasanikët me xhepat plot dhe shpesh ia dilnin me sukses që të martoheshin dhe t‘ua bënin rrush e kumbulla të gjitha paratë.

Ndërsa sot ka agjenci të posaçme lidhjesh, ku organizohen njohje mes të pasurve dhe të bukurave, që shpesh përfundojnë në lidhje martesore. Sipas drejtueses së një agjencie, numri i grave të sapodivorcuara për shkaqe ekonomike që kërkojnë ndihmën e këtyre agjencive për gjetjen e personave të tjerë të pasur është shtuar shumë. Zakonisht ato që janë me të vërtetë profesioniste nuk e lënë bashkëshortin e rrënuar pa gjetur një tjetër pasanik për të plotësuar kërkesat e tyre financiare. Një grua e tillë nuk do të mund të jetonte e vetme asnjë sekondë dhe as që bëhet fjalë më për të gjetur ndonjë punë. Por sado të llastuara dhe të kota, gra të tilla kanë një aftësi shumë të madhe, ato janë biznesmene të përkryera dhe dinë si t‘i bëjnë të shitshme shtrenjtë "asetet" e tyre.

 Për to një burrë i pasur është preja që duhet futur në rrjetë dhe nuk ka rëndësi sa i vjetër, i dhjamosur apo me huqe mund të jetë ai. E rëndësishme është që të gjejnë një njeri që t‘u vijë pas gjithë harxhimeve dhe jetës së tyre me një standard shumë të lartë. Gra të tilla dinë si të shtiren të dashuruara dhe zemërdjegura në fillim, dhe është e frikshme për bashkëshortët kur, pasi kanë falimentuar, u duhet të përballen në gjykatë me një njeri krejtësisht të ndryshëm nga ai me të cilin vunë kurorë. Por nga ana tjetër, edhe meshkujt kanë filluar të bëhen të zgjuar. Pas përvojave të këqija, disa prej tyre kanë nisur madje që të marrin mësime private për të dalluar gratë "rrjepëse" nga ato që të duan vërtet për atë çka je.

 Sigurisht që gjëra të tilla nuk mësohen nëpër kurse, por ata mendojnë se është mirë që të merren disa mësime për të mos vuajtur sërish më vonë. Për meshkujt, divorci është një nga aventurat që u merr më shumë para se çdo gjë tjetër në jetë dhe jo vetëm para, por ai është edhe një shkatërrim emocional. Shpesh, fatkeqësisht për shtresën e pasur, kur paratë marrin fund, merr fund edhe dashuria dhe ky është një çmim i dhimbshëm për ata që janë mësuar të kenë çdo gjë dhe të mos dështojnë kurrë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama