Pasaportat biometrike ndryshon forma e aplikimit

Pasaportat biometrike, ndryshon forma e aplikimit
Policia do të verifikojë fotografinë, vendbanimin, adresën dhe numrin e telefonit para aplikimit. Paraqitja në zyrat e ALEAT me formular me foto nga rajoni i lagjes. Në momentin e paraqitjes në rajonin e policisë, personi që aplikon për pasaportë duhet të ketë me vete një fotografi portret dhe pas verifikimeve të nevojshme në organet e policisë duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi. Formulari në fjalë plotësohet në dy kopje, njëra nga të cilat i paraqitet më pas zyrës së aplikimit për pasaporta biometrike të kompanisë “ALEAT”, pra zyrës ku është kryer deri tani aplikimi për pasaportë.

Sipas udhëzimit, qytetarët që kërkojnë pasaportë biometrike nuk mund ta fillojnë procedurën e aplikimit pa u paraqitur në zyrat e ALEAT me formularin e marrë nga rajoni i policisë që mbulon vendbanimin e tyre. Ndryshimi i procedurave të aplikimit për pajisje me pasaportë biometrike është bërë pas një propozimi të drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndryshimi i procedurave të pajisjes me pasaporta sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme ka disa qëllime. Qëllimi i parë është unifikimi i procedurës së aplikimit dhe lëshimit të pasaportave, por, mbi të gjitha, është parandalimi i veprimtarisë kriminale të falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës.

Kontrolli

Nga përmbajtja e udhëzimit të Ministrisë së Brendshme duket se me propozim të Policisë së Shtetit është vendosur një forcim i filtrave të kontrollit në pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike. Duke marrë shkas nga disa raste kur persona të caktuar me foton e tyre kanë marrë pasaporta në emër të personave të tjerë, duke përdorur patenta apo certifikata false, policia ka propozuar ndryshimin e procedurave. Këto procedura nënkuptojnë paraqitjen e shtetasit në rajonin e policisë që mbulon vendbanimin e tij dhe depozitimin aty të një fotografie me përmasa 5×4. Fotografia në fjalë i bashkëngjitet formularit që bëhet në dy kopje dhe që plotësohet nga qytetari pas verifikimit të informacioneve të tij nga punonjësi i policisë. Ky është momenti me të cilin është tentuar që të shmanget çdo lloj abuzimi i qytetarëve me aplikimin për pasaportë biometrike.

Formulari

Dokumenti që duhet të plotësojnë qytetarët në polici kur paraqiten për nisjen e procedurës përmban disa opsione shënimi për emrin, mbiemrin, atësinë, datë-lindjen, vendlindjen, adre-sën e saktë të shtetasit dhe numrin e telefonit. Më poshtë formulari shprehet: “Deklaroj se të dhënat e paraqitura nga ana ime në këtë formular……dhe autorizoj kontrollin e vërtetësisë së tyre nga zyrat e gjendjes civile dhe Policia e Shtetit”.

Më poshtë dokumenti ka zonën e nënshkrimit nga deklaruesi dhe më tej nga punonjësi i gjendjes civile. Në fund të shkresës ka edhe një përgjigje nga punonjësi i policisë pas verifikimit të të dhënave të shtetasit që kërkon të kryejë aplikimin. Në fund të formularit shkruhet se trajtimi i të dhënave personale në vijim të përdorimit të dokumentit në fjalë do të bëhet nga Policia e Shtetit dhe gjendja civile. Deklarimi i rremë shkakton përgjegjësi penale për falsifikim e dokumenteve zyrtare në bazë të nenit 186 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

MB: Procedura e pasaportave ndryshoi me kërkesë të Policisë

Ministria e Brendshme konfirmoi mbrëmë ndryshimin në procedurat e pajisjes me pasaportë biometrike. Sipas një deklarate për median shpërndarë dje në mbrëmje nga zëdhënësi Fatmir Konja, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka nxjerrë më datë 11.11.2011 një udhëzim të ri “Mbi procedurat e pajisjes me pasaportë biometrike të shtetasve shqiptarë”. Sipas deklaratës, udhëzimi me nr. 394/4 ka për objekt një ndryshim në udhëzimin e mëparshëm nr:308, datë 08.05.2009, ‘Për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasve’ të ndryshuar, parashikon një procedurë të re të pajisjes me pasaportë biometrike”.

Sipas kësaj procedure, “shtetasit shqiptarë që aplikojnë për pasaportë biometrike, për çdo herë duhet të pajisen me formular identifikimi me fotografi nga komisariati i policisë ku kanë vendbanimin, i cili plotësohet në dy kopje. Formulari i identifikimit miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kopje e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të gjendjes civile pranë zyrës së aplikimit”. Ky është përcaktimi i procedurës së re të pajisjes me pasaportë biometrike, konfirmuar mbrëmë me deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme në Tiranë.

Nga Policia e Shtetit është pohuar ndërkohë se kërkesa për ndryshime në procedurën e aplikimit për pasaporta është bazuar në disa precedentë abuzimi me këtë proces, ku persona të caktuar kanë përdorur fotografinë e tyre dhe identitetin e personave të tjerë për të marrë pasaportë. Personat abuzues kanë qenë kryesisht nga jashtë Shqipërisë dhe kanë pasur për qëllim të udhëtojnë pa viza në zonën “Shengen”.

Procedura e re mësohet se është krijuar pikërisht për të shmangur dhënien e informacioneve të rreme nga aplikuesi për pasaportë. Nga abuzimi me aplikimin deri tani viktima kanë rënë qytetarët që nuk kanë aplikuar ende për pasaportë, pasi dokumenti është tërhequr në emrin e tyre nga persona të tjerë. Në disa raste abuzimi ka ndodhur në sajë të shpërdorimit të detyrës nga punonjës të zyrave të gjendjes civile që kanë lëshuar certifikata të parregullta, por edhe nga punonjës të kompanisë konccesionare “ALEAT”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama