"Ky dokument është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS-it, e cila Kosovën e përcakton si territor të Republikës së Serbisë. Edhe dokumenti i mëparshëm i udhëtimit i lëshuar nga UNMIK-u ka qenë në kundërshtim me këtë rezolutë, si edhe targat e automjeteve. Sidoqoftë pasaportat e reja të Kosovës, të cilat do të vihen në qarkullim, nuk do të jenë të pranueshme për serbët, sikurse nuk është e pranueshme as pavarësia e Kosovës", thotë Oliver Ivanoviç.
Që nga përfundimi i luftës, qytetarët e Kosovës janë pajisur me dokumente të udhëtimit të lëshuara nga administrata e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo serbët e Kosovës asnjëherë nuk janë pajisur me këto dokumente. Shumica e serbëve të Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës akoma vazhdojnë ta identifikojnë veten si qytetarë të Republikës së Serbisë, pavarësisht faktit që pavarësia e Kosovës është njohur dhe pranuar nga 43 shtete të botës.
Bekim Shehu/Prishtinë (DW)