Dy gjërat që zakonisht të kujtojnë menjëherë Pasha Limanin, të zbehen teksa merr rrugën për në Orikum. I pari, incidentet shqiptaro-ruse me reagimin ‘trimërosh’ të detarëve shqiptarë; i dyti nëndetëset. Kadare i ka materializuar në letërsi, kurse mbi këtë fikshën u ndërtua dhe filmi-propagandë “Ballë për Ballë”. Por, historia është tekanjoze, ndërsa faktet kokëforta. Si për dreq, edhe rruga për në bazën e Pasha Limanit bëhet edhe më shumë e bezdisur në këtë ditë nëntori 2007. Ferik H., 68-vjeçar, njëri prej ish-komandantëve të polumbarëve, në të njëjtën kohë, ka mbaruar ditën e tij pa punë dhe kthehet. I bezdisur nga koha. Jeta. Çdo ditë kalon përpara një kopshti të thjeshtë. Banon me të shoqen. Vetëm. E, në të njëjtën orë, tërheq pas derën me një ritëm, që ka ditë, javë dhe vite që e bën. Do pushojë.
...
Incidenti i nëndetëseve ka ndodhur në hapësirat veriore të bregdetit shqiptar paralel me Shëngjinin. “Në momentet kur zhvillohej stërvitja e përbashkët shqiptaro-ruse vjen një urdhër i dyshimtë, i cili kërkonte manovra jashtë ujërave, një gjë, e cila nuk ishte planifikuar. Komandanti shqiptar, i shkolluar në Rusi, mori një vendim për ta kthyer anijen në bazë”. Shefi i ri i Shtabit të Pasha Limanit, Adnand Agastra, që na e saktëson pak minuta më vonë, edhe vetë është rritur me legjendat për Pashain. Ka pasur të atin oficer dhe ‘dardha do të binte mbi dardhën’. Për ne, që e kemi parë shumë pak Bazën me pompozitetin e saj të dikurshëm... është disi “zhgënjyese” me realitetin e saj.
Këtë e ndjen pa të thënë ende askush, kur i shmangesh në të majtë ndërtesës së Bashkisë së Orikumit. Ajo vetë, me elementet e tipit arkitekturor sllav me kapitelet e rëndë dhe harkadën e lartë të portikut të ndërtesës, mbështetur në mure të plota, të mbetet gjatë në mëndje. Aida H., një gazetare në kryeqytet, më ka treguar se vetë kjo godinë ka qenë komanda e filmit. Ka të drejtë. Kjo ngjan me një mish të huaj në qytetin, ku dikur ka administruar Çezari. Tejet është kisha e Marmiroit, ndoshta Gllavenica e vjetër - dhe pastaj ndërtesat e bëra me ngut të kohës së socializmit. Sërish, pak ndërtesa të reja, por që janë si një tjetër mish tjetër i huaj për qytetin. Dhe, askund punë. Nuk ka jetë. Një fshatar është po aq qytetar në Orikum. Vendasit prehen. Kështu, Feriku dhe e shoqja, ish-punonjëse e bazës, ashtu si orikumasit e tjerë - kanë filluar pasdreken, që praktikisht emërohet si një ditë e mbyllur për qytetin e ish-marinarëve.
Drejt Pashait
Katër orë më parë, në një paradite të fundit të vjeshtës së tretë, burokratët ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk na kanë vonuar. Falë ndihmës së shefit të shtabit, Gjeneral-Majorit Luan Hoxha, gjërat janë zgjidhur shpejt. Është dukur edhe ai vetë pak sekonda. “Shkruani mirë për ne. Mos e teproni!”, - na ka inkurajuar. Për çfarë të shkruash?! Ka kohë, mendojmë. Kurajo!... Pas ndërtesës së vjetër me tiparet e muzgut sllav, na pason vetëm një rrugë e keqe. E ngushtë. E pashpresë. Një shi kryeneç mbush gropëzat e vogla rrugëve. Më pas, zgjatja e lejes në postbllokun e Bazës (katër orë nga Tirana) disi mjeran, dhe postblloku e lejon makinën tonë. Për 3 minuta një vazhdim i gjatë në një zonë ushtarake disi djerrinë, kurse era nga veriu i detit e bën vjeshtën shumë më të egër në këto vise. E bash përballë postbllokut të dytë, monotonia thyhet nga dritat e gjata të një “Mercedesi”, ku komandanti i bazës bën shenjë nga pas. Kapiteni i Rangut të Dytë, Artur Meçollari, një burrë i ri, na ka arritur sakaq. Ka marrë lajmërimin nga komanda eprore dhe i duhet të bëjë mikpritësin. Për fatin e keq, jemi vonë. Ai duhet të ikë shpejt. “Do iu flas për gjërat kryesore. Pastaj do kini një njeri tjetër. Kolegu im, Adnandi do ju udhëheqë”. Vërtet na drejton vetë. Nuk është më nevoja e postbllokut të dytë. Marinari-roje na nderon dhe na hedh një vështrim qetësues. Ajo që afrohet më pas, dhe që është baza... ka të bëjë me pak ndërtesa të rrënuara dhe fashitjen pak nga pak të krejt ëndrrës së dikurshme. Duhet të jenë pasojat e pariparueshme komplet të vitit ’97, por edhe tkurrja e skajshme e Bazës së Vlorës. Ndërtesa të braktisura, mjete jo shumë të përdorshme dhe, diku më pas, janë disa mina të hequra prej kohësh, që flenë mbledhur me njëra-tjetrën. Ky është momenti i fillimit. Janë disa masa të mëdha, që u ngjajnë lodrave, këto minat që janë pastruar gjatë kohërave. Shkëmbehemi me makina ushtarake dhe një xhip me ushtarë turq, na kryqëzohet shpejt. Baza në Pasha Liman i është dhënë në përdorim, para gjashtë vjetësh Ministrisë turke të Mbrojtjes dhe flotës luftarake detare të saj, e cila ka punuar shumë në riparimin e anijeve luftarake. Më shumë për të rregulluar tmerrin e vitit 1997. Si për dreq historia të pjek gjithmonë me të njëjtit. Nga këtu, dikur gjyshërit e tyre e rregulluan dhe e morën me një URRA- Otranton. Tash turqit e rregullojnë për shqiptarët. Kohë, Jetë. Zhduken shpejt. Kjo është pjesa e parë, sepse kur i afrohesh komandës, është një ndërtese krejt e thjeshtë, por tepër e pastër dhe larg përfytyrimeve të pompozitetit të dikurshëm. Janë të rregulluara mirë mjediset përreth komandës dhe afër palcës së bazës, ku janë vendosur anijet, peizazhi rregullohet bindshëm. Një imitacion me një spirancë qëndron veçmas. Ka pastërti dhe flamuri kombëtar kreshpërohet krenar. Rreth 150 metra tutje janë anijet e vendosura krejt në rregull. Por, ka ardhur koha e drekës, kohë, që duket se e bën pa frymë bazën. Oficerët largohen. Shpendë të bardhë duken nga larg. Tutje, në shtëpi, polumbari i vjetër, po merr një sy gjumë.
Baza sot
Shkrydhemi. Jemi në zyrë. Komandant i Bazës Artur Meçollari dhe shefi i shtabit Adnand Agastra kanë një formim të plotë, që e kanë plotësuar dhe me shkollimet në SHBA. Duket një frymë e re, sepse ushtarakët e sotëm e kanë marrë seriozisht kthimin e lavdisë së bazës. Por nga e thëna në të bërë është larg.”Më parë baza ka pasur një komandë, me përjashtim të uzinës së riparimit. Sot janë tre komanda të pavarura nga ana operacionale, por që kanë një mision të përbashkët në funksion të forcave detare”, më shpjegon komandanti, kur zëmë vend. E vetmja gjë që të gjithë i shmangen është ’97. Na flet shkurt, por qartë. Tejet në një raft duket një Shekspir në rusisht dhe Henri Kisingeri në origjinal. Çudi apo rastësi?! Jo thjesht interes ,- më shpjegojnë oficerët. I pyes për ’97. “Nuk e konsideroj si turp sesa është një diçka që personalisht nuk dua ta përmend ashtu si nuk duan shumë të tjerë. Eshtë një diçka që nuk duhet të ndodhte këtu nisur nga pikëpamja historike, por edhe nga tradita”, më shpjegon Adnandi. Në fakt, në rënkimin e saj, baza e ka vuajtur shumë dorën e vandalëve për shkak të teknologjisë dhe moshës së vjetër që kishin anijet. Gjithsesi, e ka pësuar kantieri i riparimit për atë teknologji dhe dëmtimet u ndjenë deri në vitet më pas. Sot, e kësaj dite, anijet që mund të riparoheshin aty riparohen jashtë. Këtë trishtim do e kuptoj lehtë, pak orë më pas, nga fjalët e polumbarit të vjetër, që në këtë kohë pushon. “Na kanë prishur jetën. Na kanë djegur të gjithë dokumentacionin. Ishim ne aty. Jeta jonë në letra. Ishte e gjithë jeta e polumbarëve”.
Për Pasha Limanin
Biseda është e shkurtër me oficerët, por e plotë. Na përcjellin drejt dokut, ku janë anijet. Kapiteni i Rangut të Dytë, Adnandi, do na drejtojë. Komandant Meçollari largohet për një tjetër detyrë. Galant dhe shumë i prerë na vë në dispozicion, gjithçka që mundet. Dhe, duke na kujtuar të fundit që: “Baza e Pasha e Limanit është baza kryesore e forcave detare ose baza mëmë e pjesës më të madhe të anijeve të flotës detare. Këtu janë të dislokuar Flotilja Detare Jugore, kantieri i riparimit të anijeve dhe batalioni i mbështetjes logjistike të forcave detare. Pra, mbi 50% e kapaciteteve të forcave detare janë të dislokuar në bazën e Pasha Limanit dhe përbëjnë një nga elementët kryesorë të forcave detare. Aktiviteti operacional i forcave jugore mbështetet kryesisht nga baza e Pasha Limanit. Këtu janë të dislokuar dhe disa nga anijet kryesore të flotës detare”. Ndahemi. Sytë i kemi teksa afrohemi tek nëndetëset. Shkëmbejmë përshëndetjet me një grup marinarësh. Poshtë këmbëve janë ato. Katër nëndetëset, që qëndrojnë si bisha të plagosura, mbuluar nga një ndryshk shumëvjeçar- nuk bëzajnë. Skaji i njërës prej tyre, ka vërtet imazhin e tmerrshëm të një gjëje të frikshme. Dikur ishte krenaria jonë reale. Por, demokracia ‘i vrau’ ato. Tingulli i këmbëve tona mbi to është i boshtë. Adnandit nuk i bëjnë përshtypje. “Mbase nuk do i shohësh më”, më ka thënë dikush. Ndaj shikoj, sikur po shoh dikë, që e kanë dënuar me vdekje. “Pas vitit 1992, për shkak të ndryshimeve dramatike dhe ndryshimin e raporteve midis aleancave dhe fuqisë ushtarake, nisi periudha e ndryshimeve dhe zvogëlimit të Flotës Luftarake Detare. Aktualisht Forcat Detare përveç misionit të tyre kushtetues të mbrojtjes së tërësisë territoriale detare të RSH, qysh nga viti 2002 përmbushin edhe misionin e Rojës Bregdetare për kontrollin e zbatimit të ligjit në det dhe shpëtimin e jetës dhe pasurisë në det. Kanë pasur bashkëpunim me strukturat homologe të vendeve aleate”, shpjegon nga pas Adnandi, ndërsa baresim mbi kuvertën e njërës prej nëndetëseve. Në të gjithë molin janë anije të disa tipeve, duke përfshirë mjete të ish-Bashkimit Sovjetik; anije kineze; motovodetat ish-amerikane dhe ish-italiane. Në përgjithësi janë disa të amortizuara nga jetëgjatësi 20-40-50 vjet. “Megjithatë forcat detare janë në procesin e zbatimit të një plani shumë ambicioz të pajisjes së flotës me katër anije të mëdha patrulluese 4 Anije Patrulluese STAN Patroll 4207, prodhim i Kompanisë holandeze DAMEN Shpyards. Këto i ka Holanda për doganën e saj dhe disa flota të Karaibeve dhe Azisë”, kujtoj fjalët e komandantit, që tani duhet të jetë larg bazës.
Mbi nëndetëse
Ne vazhdojmë brenda, në kurrizin e këtyre bishave të vrara. Për të krahasuar çmimin e një nëndetëseje, më japin një shifër. Ndërsa gjuajtësi F-16 pa armatim shkon te 74 milionë USD. “E, një nëndetëse, nuk është një avion, më sqaron oficeri, duke më dhënë një shifër shumë më të madhe”. Nëndetëset janë krejt jashtë funksioni dhe ka ekzistuar një projekt ide për një nga këto që të kthehej në një nëndetëse - muze për shkak të krenarisë që pasqyron. Jam informuar janë bërë disa studime, por të riparosh një të tillë dhe ta kthesh, ajo, duhet të ketë të njëjtën pamje dhe komoditet sikur ishte operacionale. Ndaj nuk është e lehtë”, sqaron Adnandi. I përkëdhelim me sy. Të kujtosh se për këto është bërë gjithë ajo luftë nuk të besohet. Por, kjo është jeta. Ka një fillim do ketë dhe një fund. Shef Adnandi nuk na lë në meditim. E pyes për flamurin e marinës. Çuditërisht, ka me vizë jeshile, blu dhe të kuqe. “Veprojnë në një flamur të vetëm, por sipas funksioneve që kanë në bazë të misionit kemi anije luftarake me flamur Jeshil për mbrojtjen bregdetare; i kuqi i atyre luftarake; dhe blu për ato ndihmuese”. Kaq. Asgjë më shumë. Anijet dremisin. Një oficer largohet i fundit nga njëra prej anijeve me flamur jeshil. Ka varur dhe një shirit me hudhër te timoni i anijes...Pashai dremit i tërë. Retë po e ndjellin më shpejt muzgun.
Kthim pas
Gjithçka nisi më 1957, kur Flota Luftarake Detare Shqiptare e atëhershme mori nga ish-Bashkimi Sovjetik anijet e para, të cilat i dhanë kësaj Flote karakteristikat e një flote klasike, ndër të cilat mund të përmendim, katër nëndetëse, dy Dragamina të Mëdha, katër Gjuajtës të Mëdhenj Detar, gjashtë Dragamina të Vogla, dymbëdhjetë Katra Silurues etj. Ishte realisht baza e parë e flotës detare dhe deri në fund të viteve ‘70-të Flota Luftarake u përhap nga Pashalimani dhe u vendos edhe në baza të tjera si: Sazan, Durrës, Sarandë dhe Shëngjin. Për fat në vitin 1974 Flota Luftarake u pajis edhe me anije të tjera Kineze, gjashtë Gjuajtës të Vegjël Detar, tridhjetë Katra Silurues etj. Po ashtu në vitin 1987 u përurua edhe Baza Detare e Palermos, në të cilën u vendosen nëndetëset që gjendeshin në Pashaliman. Kapiteni i Rangut të Dytë, Meçollari, ma ka treguar thjesht historinë.
...
Me Nandin e vazhdojmë pjesën e plotë të vëzhgimit deri në anijet. E pyes, sepse është ndryshe të jesh në Pasha Liman për oficerët. “Ka pak tis moral, - sqaron - sepse në këtë vend ka shumë histori. Jo më kot është vendlindja e Flotës Luftarake klasike Detare Shqiptare, por edhe baza më e madhe. Sot, në Bazën e Pasha Limanit janë të dislokuara të gjitha anijet dhe motovedetat e Flotiljes Detare Jugore, Kantieri Detar dhe kapacitetet kryesore te Batalionit të Mbështetjes së Forcave Detare. Planet e Forcave Detare janë për shndërrimin e kësaj baze në bazë mëmë, për të gjitha anijet e tyre. Kaq mjaftojnë besoj, më shpjegon burri, që tregon se e ndjen peshën e Pashait në tubime, ku CV e njerëzve të Pashait shikohet ndryshe...
Rekuiem
Ekonomikisht Shqipëria ishte e varur nga kreditë e shumta sovjetike. Por edhe ushtarakisht pranimi i Shqipërisë në Paktin e Varshavës ishte një rrezik i parashikuar dhe i llogaritur nga BS. Më 12 shtator të vitit 1957, në Tiranë, midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u nënshkrua një marrëveshje ushtarake, nga shefi i Shtabit të Ushtrisë shqiptare, gjeneral A. Hasko dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë sovjetike, admiral A.V. Fokin. Marrëveshja do të zgjaste dhjetë vjet dhe sipas saj në gjirin e Vlorës do të vendoseshin katër nëndetëse, anije dhe një varg armatimesh dhe pajisjesh të tjera ushtarake. Të gjitha këto, së bashku me instruktorët, do t’i siguronte BS. Një muaj më vonë, në tetor 1957, kur ministri i Mbrojtjes i BS, marshalli S. Zhukov vizitoi Shqipërinë, E. Hoxha i ofroi atij bazën e Vlorës dhe Sazanin, si bazë ushtarake jo vetëm të sovjetikëve por edhe të Paktit të Varshavës. Në gusht 1958 në bazën ushtarake të Pashalimanit (një nga stacionet e bazës së gjirit të Vlorës) erdhën katër nëndetëset e para. Ky moment shënon dhe praninë e parë sovjetike në Mesdhe. Flota sovjetike kishte arritur të çante bllokimin në Detin e Zi, bllokim i shkaktuar nga konventa Montreux e vitit 1936, e cila kufizonte kalimin e anijeve luftarake në ngushticat turke të Bosforit. Pikërisht në gjirin e Vlorës, ajo gjendej ballë për ballë me flotën e VI amerikane në Mesdhe. Madje sipas marrëveshjes së shtatorit 1957, “po ta kërkonte situata, në bazën ushtarake dhe në portet e Shqipërisë mund të çoheshin për një bazim të përkohshëm pjesë të flotës ushtarako-detare të BS”. Ky funksion e shndërronte bazën e Vlorës në mënyrë të pashmangshme në një prej objektivave të goditjes së bllokut kundërshtar.
Po të kihen parasysh premtimet e S. Zhukovit në tetor të vitit 1958, se në vitin 1962, BS do të sillte në Shqipëri raketa me rreze veprimi 400 km, del qartë se marrëveshja për bazën e Vlorës do të shndërrohej në pjesë të politikës MAD (Mutually Assured Destruction) ose “Shkatërrimi i Sigurt Reciprok.” Sipas politikës MAD, të dy superfuqitë kishin qindra raketa, të cilat ishin instaluar, duke pasur në shënjestër njëra-tjetrën.
...
Adnandi fillon të shfaqë pak padurim, por mbetet shumë i sjellshëm. Të nesërmen do udhëtojë në Poloni. Por, na bën një të mirë të fundit. Në kthim na përcjell tek një nga legjendat e Pasha Limanit, komandantin e polumbarëve Ferik Harkën. Ndahemi me të. Ndahemi me bazën. Në atë kopsht, ku ai është futur prej vitesh e përshkojmë dhe ne. Një shtëpi e pastër dhe e thjeshtë, mban një nga burrat më interesantë të Pashait. Nuk flet shumë. Por pas minutash të tërë, ku kemi folur për gjëra të përgjithshme dhe ku ai sheh pafund poshtë...flet pak fjalët e para: Duhen ditë që të jemi këtu. Në atë kohë, me krijimin e flotës ushtarake detare flota mori zhvillim dhe u krijua më 1956, por zhvillimin e mori më ’58, kur erdhën anije moderne, nëndetëse, gjuajtës, katra-silurues... Ne duhet të siguronim përgatitjen luftarake, stërvitjet me silurët, ti siguronim, por edhe gati, që t’u jepnim ndihmë nëndetëseve në momente avarie në thellësi deri 70 metra. Dhe, këtë detyrë, ai me shokët e tij e kreu për dhjetëra vjet. Ne kishim dy detyra. Ne kishim detyrë ushtarake, por duhet të ndihmonim edhe ekonominë. I kanë bërë të dyja. Dhe, nuk e rreh gjoksin si shumë pseudo. Ndërsa tash pushon. Me një brengë të madhe në zemër, kur i dogjën vandagjet e dokumentave, sepse i kanë fshirë jetën. Por, atë që ka bërë për vite, javë dhe ditë... Vërtet duhen ditë që të flasësh për atë kohë. Si ushtarak i mirë thjesht na dëgjon. Na përcjell. I përsërisim se asgjë nuk ikën. Tund kokën. Çelet. E shoqja e sheh në sy. Edhe i biri i tyre dikur ishte atje. Por, nuk u kthye më në bazë. Nuk e beson se Pashai do të ringjallet, ashtu si shumë syresh. Ikim. Muzgu e mbledh agoninë e vjeshtës 2007 dhe e zbeh pak nga pak edhe trajtën e Orikumit.
*Materiali historik, i konsultuar dhe citohet nga një Dossier kushtuar Bazës së Vlorës nga Prof. Dr. Ana Lalaj
Ben Andoni : Revista Mapo