Nji numër gjithnji e i ma madh njerzish pa talent dhe pa shije hyjnë në pyllin e vështirë të shqipërimit pa spatë në dorë.
Shumëkush e kujtonte të vdekun e vetëm pak vite ma parë kur kulturës i ra në mend për të - njerzit e morën vesht se Pashk Gjeçi ishte ende gjallë.
Tash, me vdekjen e tij, asgja nuk ndryshon, ai ka me vijue me qenë mes nesh ashtu siç ka qenë ma parë, i shkrimë në nji me "Komedinë hyjnore" e i padallueshëm prej Dante Alighierit. E keqja ma e madhe asht se me të zhduket guri i fundit i mozaikut të shkollës së vjetër të përkthimeve klasike.
E kam fjalën për shkollën veriore, ose ma mirë me thanë shkodrane, të përkthyesve të mëdhaj si: Frano Alkaj, Vinçens Prennushi, Lazër Shantoja, Henrik Lacaj, Cuk Simoni, Mark Harapi, Gjon Shllaku, Mark Dema e shumë e shumë të tjerë që nuk kanë përkthye thjeshtë por kanë shqipërue perla të letërsisë botnore. E njejta gja ka ndodhë me shkollën tjetër, tue nisë prej Fan Nolit e deri te Vedat Kokona dhe shokë.
Qysh prej Luterit e këtej përkthimi ka marrë nji kuptim të veçantë, mbasi përkthyesi modern ka pasë detyrën dhe nderin me ngrit nji gjuhë ma pak të randësishme në kulme të artit botnor. Ky sublimim, edhe shqipes sonë, i ka ndodhë herë mbas here nëpërmjet kryeveprash të letërsisë botnore.
Përkthyesi mund të jetë "tradhtar" i veprës (traduttore, traditore) mbi të cilën punon, por mund të jetë edhe rikrijues i saj. Për me qenë rikrijues duhet me qenë po aq gjenial në rrafshin formal sa edhe autori i vërtetë.
Në historinë e letërsisë botnore kemi me dhjetra shembuj shkrimtarësh që janë ulë me përkthye në gjuhët e veta kryevepra artit, të cilat do të kishin dëshirue me i pasë shkrue ata vetë. Përkthimi u ka dhanë nji mundësi me i shkrue.
Përkthimi pra asht nji mundësi e madhe që na jepet, nji mundësi që vetëm talenti dhe puna e censhme mund ta bajnë realitet.
Me Pashk Gjeçin zhduket nji traditë e lavdishme që me punën e saj formoi shijet estetike të disa brezave, që zhvilloi dhe naltoi gjuhën tonë, tue i dhanë forcë dhe hijeshi, që nxori prej hijet fjalë, shprehje e frazeologji të popullit që pasunuen visarin kombtar, e që mbi të gjitha i dha nji mikpritje të denjë kryeveprave të letërsisë botnore, tue nisë prej letërsisë greke e latine e tue mbarue te letërsia bashkëkohore.
Sot kemi shumë përkthyes dhe pak shqipërues. Nji numër gjithnji e i ma madh njerzish pa talent dhe pa shije hyjnë në pyllin e vështirë të shqipërimit pa spatë në dorë. Nji tmerr i dyfishtë të kap tue pa sesi kryevepra të letërsisë botnore, prej atyne që shungullojnë në çdo kohë tue i folë pa reshtë njerzve, vijnë në gjuhën tonë e duket se qajnë, flejnë, përmirren e tkurren në fraza e në vargje pa kuptim, në rreshta distrofikë që turpnojnë shqipen dhe çnderojnë vetë autorët.
Po shfletoja kohët e fundit tekstin e nji filozofi të idealizmit gjerman të përkthyem shqip, dhe menjiherë pashë se nji prej termave kryesore ishte përkthye shqip në kuptimin ma banal që ka sot, atë që i përshtatet nji manuali të shkollës së ndërtimit dhe jo nji nocioni të përçansuem në mënyrë të pagabueshme prej vetë autorit.
E njejta gja ndodh edhe me sintaksën e mjerë të shumë përkthimeve të sotme që tërheqin rrëshqanë kryeveprat e letërsisë botnore si Akili kufomën e Hektorit, pa u kujtue se ajo sintaksë nuk ka të bajnë asgja me gjuhën shqipe.
Tue lexue përkthimet e të mëdhenjve si Pashk Gjeçi, të vjen me mendue se nji italian do të kishte arsye të mjaftueshme me e mësue gjuhën shqipe për me shijue Dante Alighierin që tingllon mrekullisht bukur në këtë gjuhë. Ne vetë duhet të kishim detyrë me e mësue shqipen e pasun të autorëve të mëdhaj të letërsisë sonë dhe asaj të huej, e jo vetëm ngurtëzimet e saja burokratike e administrative apo zhargonin e turpshëm të politikës.
Tue lexue Paolo e Francesca da Rimini në «Ferrin» e Dantes, shkrimtari i madh fiorentin na duket i joni, mbasi talenti i Pashk Gjeçit i ka dhanë Dante Alighierit nënshtetësinë shqiptare:
"O njeri i mirë e plot me fisnikí,
që zbrite me na pa n'këtë vend mizor
ne që me gjak tokën e kemi rî,
T'kishim mik atë që rruzullimin ka n'dorë,
do ta lutshim n'këtë çast për paqen tande,
mbasi ndjen dhimbë për t'zezët mëkatnorë.
Për çka me ndi edhe me folë të kande;
na do dëgjojmë e gjegjen kem m'iu dhanë,
tash që ka nisë me ra edhe era e randë.
Toka, ku sytë së pari dritën panë,
shtrihet n'atë breg, ku derdhet Po-hi n'det,
për me gjetë paqë me ndjeksa t'vet të tanë.
Dashnija, n'shpirt fisnik që hyn aq letë
për t'hieshmin trup e lidhi këtë fatzinë,
trupin ma rrmbyen e si peng m'ka mbetë
Dashnija, që 'i dashnori i fal dashninë,
nga epshi i këtij më ndezi zhar,
pa mue as këtu, si e sheh s'e gjen qetsinë
Dashnija na flijoi mbi nji altar.
n'kaina raftë ai që na la pa jetë!"
ja, këto fjalë na thanë ata qyqarë.
(Dante Alighieri, Ferri, kanga V, vv. 88-108)#
Ardian Ndreca : Gazeta Shekulli