Paskaljevic gjurmon te martuarit

Paskaljeviç gjurmon të martuarit
Kishte pasur frikë se nuk do të gjente ata të duhurit, po tani ka piketuar shumë syresh. I duhet vetëm të zgjedhë. Regjisori serb Goran Paskaljeviç tani mund të marrë frymë i qetë. “Muaji i mjaltit” po merr formë dhe nuk i mbetet veçse ta shijojë. Pasi mori pëlqimin nga Qendra Kinematografike Shqiptare, projekti i përbashkët filmik shqiptaro-serb, po rrjedh në rrugën e vet me ritme të shpejta. Regjisori ishte në Tiranë disa ditë më parë për të zgjedhur aktorët dhe në gusht rikthehet për të përgatitur sezonin e xhirimeve.

Paskaljeviç, një nga regjisorët më të njohur që vjen nga Ballkani (kujtojmë “Fuçi baruti”, “Ëndrra e një nate dimri”), ka gati dy vjet që e ka deklaruar dëshirën dhe idenë e një projekti të tillë.

Dhe tani kjo ide merr formë në një bashkëpunim me kompaninë filmike shqiptare “Ska-Ndal” që drejtohet nga piktori Genc Përmeti. Fillimisht u fol për një projekt të bazuar mbi një tregim të Ylljet Aliçkës, të titulluar “Çifti”, por skenari përfundimtar është një ndërtim i vetë Paskaljeviçit dhe Përmetit, të cilët kanë shkruar dy histori të ngjashme, një serbe dhe një shqiptare, që ecin paralelisht, pa u takuar askund. Nuk bëhet fjalë për ndonjë histori që rrëfen marrëdhëniet shumëshekullore mes dy popujve, bëhet fjalë për realitetet e të dy vendeve, të cilët ngjajnë aq shumë dhe ndajnë të njëjtën shpresë, Evropën.

Për të gjetur një çift të rinjsh, përgjatë 4 ditësh Goran Paskaljeviç ka përfshirë në kinoprovë pothuajse të gjithë studentët e Akademisë së Arteve, si edhe ata që janë diplomuar këto vitet e fundit. Mësohet që të ketë bërë rreth 70 kinoprova dhe si përfundim është ndalur tek 10 të rinj (6 djem dhe 4 vajza). Autori shqiptar i skenarit, Genc Përmeti, thotë se ishin ditë shumë intensive pune. Gjithçka bazohej mbi improvizimin. Paskaljevic qëdronte vetë tek kamera dhe shihte se si të rinjtë do të ndërtonin një situatë të caktuar dhe i mjaftonte një vështrim në sy, për të kuptuar atë që aktori i ri mund të arrinte. “Tani i mbetet vetëm të vendosë së cilët janë dy të rinjtë që mund të “martohen” artistikisht me njëri-tjetrin”, - thotë Përmeti.

Krahas çiftit të ri, i duhet të gjejë edhe një më të vjetër, rreth 55-60 vjeçarë, që sigurisht duhet të dalin nga kasta e aktorëve të njohur. “Për të zgjedhur aktorët e “vjetër” ka parë rreth 20 filma, prodhime shqiptarë të realizuara pas vitit ’88. Tashmë e ka krijuar një ide, por është herët që të të them emra konkretë. Në gusht, ata do të jenë patjetër gati”, - thotë Përmeti i cili tashmë po punon për mbyllje kontratash dhe për realizimin e një posteri për filmin, i cili do të bëjë një prezantim në fillim të gushtit në Festivalin e Locarnos, ku Paskaljeviçi është kryetar jurie.

“Në komunikimin më të fundit me të më tha se kishte qenë i frikësuar se nuk do të mund të gjente karakteret që kërkonte, por tashmë është i qetë dhe më tha me bindje se kemi vërtet aktorë shumë të mirë”, - vazhdon Përmeti, teksa shton se është munduar që deri më tani të mos japë asnjë gjykim prej “shqiptari”. “E kam lënë atë të zgjedhë në varësi të asaj që ka parë. Nuk do të doja të ndërhyja me gjykimin tim, pasi nuk mund ta fsheh që ne i gjykojmë artistët edhe prej raporteve personale që kemi me ta, simpative, apo antipative”.

Sa i përket palës serbe, ajo tashmë është zgjedhur. Duke qenë i “shtëpisë” Paskaljeviç nuk e ka pasur të vështirë të veprojë në këtë terren, ndësa për shqiptarët, të cilët sigurisht nuk i njeh, i duhet ca më tepër kohë. Sheshxhirimet janë përcaktuar. Përmeti thotë se do të xhirohet në veri, në zonën e Komanit, ku mbetet vetëm të gjendet shtëpia, ku për 3 ditë do të vendoset trupa e xhirimit shqiptaro-serbe. “Regjisori kërkon një vend që të jetë gati në kufijtë e së pamundurës për të ekzistuar. Një vend të pastër, të qetë, ku edhe njerëzit janë shpirtërisht më të pastër. Dhe mendoj që në këtë zonë me atë pejzazh të kulluar i përshtatet më së miri idesë së Paskaljeviçit”. Do të xhirohet edhe në Tiranë gjithashtu. Këtu ndodh edhe përplasja. Një botë tërësisht e distancuar përballet me një tjetër të zhurmshme, ku një luks sipërfaqësor të merr sytë. Një familje veriore zbret në Tiranë për një sebep, tek disa të afërm, të cilët e “kanë zënë veten” ekonomikisht. Këtu zë fill edhe drama. Janë dy linja që ecin paralelisht si fillim, ajo ekzistenciale dhe ajo dashurore mes dy të rinjve nga shtresa të ndryshme shoqërore. Sipas Përmetit, ajo e para vjen duke u shuar, për të përforcuar linjën dramatike të dashurisë. Një histori e ngjashme ndodh edhe në Serbi. “Problemet janë po ato, vetëm se linja serbe ka edhe një më shumë, nacionalizmin dhe një lloj agresiviteti, që nuk ndihet në linjën shqiptare”, - thotë Përmeti.

Xhirimet fillojnë në vjeshtën e parë. Po punohet ndërkaq për pjesën jofilmike, për publicitetin dhe sipas Përmetit filmi është “shitur” pa u xhiruar akoma. Ideja është për producentë që do t’i hapnin rrugët filmit për një realizim të denjë. Në këtë pikë duket se u shërbeu edhe një prezantim i parë gjatë festivalit të Kanës, ku mësohet të jetë afruar një bashkëproducent serioz italian.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama