Pasqyra sa me shpesh te shihemi aq me mire na ben te ndihemi

Pasqyra, sa më shpesh të shihemi, aq më mirë na bën të ndihemi
Për shkencëtarët, thjeshtësia dhe natyra e saj e ndërlikuar i ka nxitur ata të studiojnë çështje të ndryshme që lidhen me perceptimin dhe njohjen e qenieve njerëzore, apo specieve të tjera, për të kuptuar se si truri i interpreton dhe reagon ndaj morisë së informacioneve shqisore që vijnë nga bota e jashtme. Studiuesit i kanë përdorur pasqyrat në mjekësi për të krijuar imazhin e pasqyruar artistik të pacientit, ose të pjesëve të tjera të trupit dhe "ta gënjejnë" trurin, në mënyrë që trupi të ndihet më mirë. "Në një farë mënyre, pasqyrat janë sistemi më i mirë i realitetit virtual që mund të ndërtojmë", ka thënë një studiues nga Universiteti i Liverpulit. Objekti brenda pasqyrës është virtual, por për sa u përket syve tanë, ai ekziston po aq sa objekti i vërtetë. Studiuesi dhe kolegët e tij kanë ekzaminuar me kujdes se çfarë mendojnë njerëzit në përgjithësi për pasqyrën dhe për imazhet që reflektohen. Ata kanë zbuluar se pothuajse të gjithë të intervistuarit (madje dhe studiuesit e fizikës dhe matematikës) hutohen kur qëndrojnë para saj.

Studiues të tjerë kanë arritur në konkluzione se pasqyra mund të ndikojë për keq në sjelljen e njeriut, por çuditërisht shpesh ndikon pozitivisht. Për ta vërtetuar më mirë këtë janë kryer disa eksperimente. Një grup personash janë mbyllur në një dhomë të mbushur me pasqyra dhe është vënë re se kanë punuar më qetë, më mirë dhe më shpejt në krahasim me grupin tjetër, që ishte mbyllur në një dhomë pa pasqyra. Pas këtij eksperimenti, studiuesit janë shprehur se personat që punuan në një dhomë të mbushur me pasqyra, nuk kanë treguar interes të gjykojnë të tjerët, për shembull çfarë gjinie janë, ku jetojnë, apo cilit besim i përkasin.

Edhe pse e njohin përmendësh veten e tyre, njerëzit vazhdojnë të shihen në pasqyrë. Në një studim të publikuar online në një sajt shkencor, dy studiues amerikanë përshkruajnë disa eksperimente, ku një grupi individësh iu kërkua të njihnin fotografitë e tyre mes shumë fytyrave të ngjashme, të cilat ishin krijuar për t‘i ngatërruar. Pjesëmarrësit i identifikuan menjëherë fytyrat e tyre edhe pse fotografitë ishin modifikuar me kompjuter, duke i bërë 20 për qind më të bukur se origjinali.

Por si është e mundur që ta gënjejmë kaq hapur veten, kur e vërteta shfaqet në pasqyrë, para syve tanë? "Edhe pse shihemi në pasqyrë çdo ditë, asnjëherë nuk jemi njësoj", shpjegon një profesor shkencash nga Universiteti i Çikagos. Në fakt, secili prej nesh ka disa lloj fotosh për veten, të cilat i sheh në pasqyrë: për shembull, në mëngjes kur ngrihemi nga gjumi, kur bëhemi gati për të shkuar në punë, apo kur do të shkojmë në një festë elegante. Cili është imazhi ynë i vërtetë? "Kërkimet tona kanë treguar se çdo individ e zgjedh pamjen në favor të tij", shpjegon studiuesi.

Ashtu siç tregojnë edhe studimet e profesorit nga Liverpuli, kur shihemi në pasqyrë bukuria jonë relative nuk është e vetmja gjë që gjykojmë në mënyrë të gabuar. Nëse do të shohim me kujdes përmasat tona origjinale, pa u parë në pasqyrë, do të vëmë re se përmasat e shëmbëllimi tonë janë më të mëdha se ato reale. Më pas, nëse do të bëjmë një, dy apo tri hapa prapa, do të vëmë re se linjat nuk do të ndryshojnë: do të mbeten gjithmonë sa gjysma e përmasave reale të fytyrës sonë, edhe pse imazhi i asaj që na rrethon do të ndryshojë gjithnjë e më shumë. Ky rregull i përmasave të përgjysmuara, ndryshe nga realiteti, nuk vlen për imazhin e dikujt tjetër që po lëviz në të njëjtën dhomë. Nëse ulemi para pasqyrës dhe një shoqe na afrohet e më pas largohet prej nesh, përmasat e personit në pasqyrë ose do të zvogëlohen, ose do të zmadhohen. Çfarë fshihet në shëmbëllimin tonë, që funksionon sipas këtyre rregullave kaq të çuditshme? E rëndësishme është se, pavarësisht sa larg apo afër ndodhemi nga një pasqyrë, shëmbëlltyra jonë në pasqyrë është e barabartë me gjysmën e përmasave reale.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama