Pastrimi i parave Shqiperia nen monitorim deri ne dhjetor 2014

Pastrimi i parave, Shqiperia nen monitorim deri ne dhjetor 2014

Gazheli - “Nga prokuroria në gjykatë, numri i çështjeve të referuara për pastrim parash është shumë më i vogël”


Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri janë regjistruar 546 raste të dyshimta të transaksioneve të parave, por ka pak raste të hetuara dhe të ndëshkuara. Këtë konkluzion e tërhoqi Komisioni Europian në raportin e tij vjetor, ndërsa Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, pranë Këshillit të Europës në Strasburg, në sesionin e 45-të plenar, vendosi të mbajë nën vëzhgim vendin tonë deri në dhjetor 2014.

Vendimi

Komiteti, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të Autoritetit Shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare, u mblodh për vlerësimin e masave të marra në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Aty u lexua edhe raporti analitik për progresin e Shqipërisë lidhur me rekomandimet e Grupit të Punës për Veprimtarinë Financiare (Financial Action Task Force, FAFT), ndërsa Shqipëria kishte paraqitur kërkesë për t’u hequr nga procedura e raportimit të rregullt. Sekretariati paraqiti konkluzionet kryesore dhe rekomandimet. Në to u theksua progresi që ka bërë Shqipëria që prej nëntorit 2010, pas vizitës në vend të këtij grupi pune dhe veprimet pozitive për të përmbushur mangësitë kryesore. Megjithatë, iu propozua seancës plenare që Shqipëria të kryejë raportim edhe në dhjetor 2014, duke e plotësuar me informacion shtesë. Në raport thuhej: “Që nga vizita në vend, Shqipëria ka zbatuar legjislacion të ri, i cili ka rishikuar kuadrin ligjor në një sërë çështjesh. Ky kuadër ligjor është i ri dhe informacioni lidhur me efektivitetin nuk është bërë i mundur në disa aspekte.

 

Në përgjithësi këto ndryshime në mënyrë të dukshme përmirësojnë zbatimin nga Shqipëria të kërkesave. Gjithsesi, duke parë një numër boshllëqesh në informacionin për praktikat në terren, vërehet se nuk është arritur akoma niveli i përputhshmërisë LC (e përputhur tërësisht)”. Më pas u kaluan me radhë raportet nga Bosnjë-Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Qipro, Republika Çeke, Rusia, Sllovakia e San Marino. Në një nga seancat mori pjesë dhe Mbretëresha e Holandës, Maxima, në cilësinë e saj si avokate speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për shërbimet financiare të arritshme. Mbretëresha Maxima nënvizoi rolin që shtetet mund të luajnë në përmirësimin e aksesit në shërbimet financiare. Ajo theksoi se instrumentet ekzistuese ligjore lejojnë shtetet të sigurojnë që lufta kundër pastrimit të parave dhe zhvillimi i shërbimeve financiare për të gjithë shtresat e popullsisë, të plotësojnë njëri-tjetrin. Në sesionin plenar, u propozua edhe ngritja e një grupi pune për hartimin e ndryshimeve lidhur me rekomandimin e KE-së për teknikat speciale të investigimit.

Denoncimet

Duke raportuar para disa muajsh në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gazheli, tha se ka pasur 23 raste të denoncuara vetëm tre muajt e parë të 2014-s.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama