Pastrimi i parave sekuestrim pasurie dhe urdher arrest per Beketin

Pastrimi i parave, sekuestrim pasurie dhe urdher arrest per Beketin

Prokuroria e Tiranës sekuestron kompanitë dhe ngrin llogaritë bankare të investitorit italian në Shqipëri, Françesko Beketi, të dyshuar për pastrim parash. Pas lejes së dhënë nga gjykata, Prokuroria ka sekuestruar 60 për qind të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe ka bllokuar llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga italiani Françesko Beketi, nëna e tij Liliana Kondomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash. Sipas organit të akuzës, kjo skemë arrin shuma të mëdha, deri në miliona euro. “Prokuroria e Tiranës, Njësia Task- Force, pas një hetimi të nisur që në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘falsifikimit të dokumenteve të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë’ dhe ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Skema e pastrimit të parave

Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë Tiranë mësohet se është arritur të krijohet një situatë e qartë mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë e pastrimit të parave. Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Françesko Beketin, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Kondomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.

Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Françesko Beketit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Kondomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor nga viti 2007 deri në vitin 2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, që më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.

Shmangia e detyrimeve tatimore

Po ashtu, sipas prokurorisë, rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë detyrime tatimore, të cilat në fakt nuk janë paguar. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj.

Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncensionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Kondomitti (nëna e Beketit). Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Ndërkohë, prokuroria njofton se po vijohet me veprimet e tjera procedurale në kuadër të këtij procedimi penal.

Shoqëritë që bënin pastrimin e parave

Pesë shoqëri të administruara nga Françesko Beketi, si “AgonSet”, “Energji”, “Cable System”, “400 KV” dhe “Fuqi” dyshohet se janë të përfshira në skemën të madhe të pastrimit të parave në miliona euro, me organizator italianin, për të cilin tashmë gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhër arresti, ndërsa ai raportohet të jetë jashtë Shqipërisë. Të gjitha këto shoqëri janë të administruara nga Françesko Beketi, nëna e tij Liliana Kondomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, kjo e fundit e arrestuar nga policia, ndërsa për tri italianët janë lëshuar urdhër arreste.

Kush është Françesko Beketi

Sipërmarrësi Françesko Beketi, themeluesi e pronari i kanalit “Agon Channel” dhe e disa kompanive të tjera që kanë lidhje me ndërtimin dhe energjinë, është nga Roma. Ai ka ardhur në Shqipëri nga mesi i viteve ‘90 për ngritjen e një centrali energjetik e të një impianti për riciklimin e mbetjeve. Beketi është nipi i Manlio Cerroni, “mbreti i plehrave”, njeriu që për tridhjetë vjet ka administruar vend-grumbullimin më të madh të mbetjeve urbane në Itali, atë të Malagrotta- s, në Romë, tashmë i pandehur në gjyq për menaxhimin e mbeturinave në Lazio. Beketi e ndan jetën mes Italisë dhe Shqipërisë. Për herë të fundit në Shqipëri ka qenë katër muaj më parë, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Angli. Organi i akuzës thotë se deri më tani ka siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin se Beketi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pastruar paratë përmes shoqërive që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri.

Katër urdhër arreste për pastrim parash, në kërkim Beketi

Beketi apo administratorët e tjerë të tij kanë falsifikuar dokumente dhe nuk kanë paguar detyrimet tatimore në Shqipëri

Gjykata e Tiranës nxori katër urdhërarreste nën akuzën e “pastrimit të produkteve të veprave penale”, “pastrimit të parave” dhe “shpërdorimit të detyrës”, mes të cilëve edhe biznesmenin italian Françesko Beketi. Në pranga kanë përfunduar dy persona, një drejtore e një filiali banke në Tiranë, Pranvera Gjika dhe një shtetase tjetër, Erjona Troplini, pjesëtare e grupit “BEG”. Ndërsa sipas policisë, vetë biznesmeni Beketi dhe një shtetas tjetër italian, Mauro De Renzis, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishin larguar nga vendi pak kohë më parë. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për biznesmenin italian. Beketi dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shfrytëzuar bizneset e ngritura në Shqipëri për “pastrimin” e rreth 80 milionë eurove që mendohet se kanë burim të paligjshëm. E gjithë kjo shumë, sipas akuzës, ka ardhur nga 4 shtete të ndryshëm, Itali, Austri, Gjermani dhe Luksemburg.

Fillimisht paratë kanë hyrë në Shqipëri në formën e një huaje për investime në kompanitë e Beketit, por më pas janë ritransferuar në shuma të ndryshme drejt kompanive të biznesmenit italian jashtë Shqipërisë. Njësia e task-forcës në prokurori, gjatë fazës hetimore ka ngritur dyshime se biznesmeni italian akuzën e pastrimit të parave, e ka konsumuar me hapjen e televizionit “Agon Channel”, me kompanitë e ndryshme në fushën energjetike, atë ndërtimore apo edhe në kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Për ndërtimin e këtij hidrocentrali, italiani Beketi apo administratorët e tjerë të tij kanë falsifikuar dokumente dhe nuk kanë paguar detyrimet tatimore në Shqipëri.

Këto akuza, dyshohet se i ka konsumuar, pasi ka dorëzuar fatura tatimore të falsifikuara për punë të kryera në këtë kantier ndërtimi, por që realisht asnjë nga këto veprime të paguara, sipas faturave nuk është bërë. Me vendim gjykate, përveç Beketit, urdhri i arrestit është lëshuar edhe për shtetasin tjetër italian Mauro De Renzis, që mbante detyrën e administratorit në disa kompani, duke qenë edhe personi që ka firmosur shumë transaksione të dyshimta. Urdhër arresti, gjykata ka lëshuar edhe për Erjona Troplinin, me detyrë aksionere e televizionit “Agon Channel”. Sipas prokurorisë, në emër të saj janë bërë shumë transaksione të dyshimta.

Nga prokurorja Antoneta Sevdari, është lëshuar një urdhër-arresti edhe për Pranvera Gjikën, me detyrë drejtoreshë e filialit të një banke italiane të nivelit të dytë në Shqipëri. Prokurorët thonë, se e dyshuara Gjika ka bërë lëvrimin dhe transferimin e parave nga llogaritë bankare të Beketit drejt Italisë, pavarësisht se këto kanë qenë të bllokuara për mospagim taksash. Për këtë fakt, është urdhëruar edhe arrestimi i saj. Ndërkohë mësohet se të gjitha llogaritë bankare dhe kompanitë e Françesko Beketit në Shqipëri, janë bllokuar, përfshirë edhe televizionin “Agon Channel”.

Avokati: Prokuroria po vepron pa prova

Theodhori Sollaku, ish-prokuror i Përgjithshëm, në cilësinë e avokatit të dy prej zonjave që janë arrestuar për çështjen “Beketi” nën akuzën për pastrim parash, Erjona Troplini dhe Pranvera Gjika, e quan veprim të nxituar nga ana e gjykatës lëshimin e këtyre urdhër- arresteve. “Lexova vendimin e gjykatës për arrestin, por nuk më duket se ka prova|, tha avokati në një dalje publike në “Agon Channel”.

Sipas avokatit Theodhori Sollaku, prokuroria po vepron pa pasur prova konkrete. Sipas tij, ajo është ndalur vetëm në shqyrtimin e dokumenteve të kompanive dhe pasqyrave të tyre financiare. Për Sollakun, çështja e pastrimit të parave nuk mund të provohet se pse në bankë janë kryer veprime dhe transaksione brenda përbrenda kompanive, pasi kjo nuk është diçka e kundraligjshme dhe nuk përbëjnë vepër penale. Sipas tij, nuk është vërtetuar nëse paratë që qarkullojnë brenda kompanive të Beketit kanë burim kriminal.

“Nëse do të kishte një akuzë të tillë, duhet të provojnë nëse këto para që kanë hyrë në sistem janë të pista apo jo. Në rast se vërtetohet ky fakt, atëherë mund të qëndrojnë këto akuza”, u shpreh Sollaku. Ai tha se, prokuroria nuk ka pritur kthimin e letër-porosive që iu ka nisur institucioneve ekonomike në disa vende të Evropës, ku kërkon informacion mbi llogaritë e Beketit. Sipas tij, ndërhyrja në bizneset e Beketit në këtë formë nga ana e prokurorisë është e rrezikshme, sepse dyshimi i arsyeshëm nuk mbështetet në prova.

Ndërsa për çështjen e Troplinit, Sollaku thotë se ndaj saj akuza është se pse ka firmosur, duke qenë administratore. “Normal që administratorja do të firmosë në momentin që ka një vendim të bordit të aksionarëve”, u shpreh ai. Për dy klientet e tij, ai u shpreh se ato janë thjesht punonjëse dhe nuk kanë lidhje me pastrimin e parave. Sipas tij, për to nuk duhet të ketë masë sigurie “arrest me burg”, sepse ato janë nëna të fëmijëve të vegjël që nuk kanë kryer asnjë vepër penale.

Shkëlzen Berisha: Sulm ndaj shtypit në fushatë

Pas lajmit se Prokuroria e Përgjithshme ka sekuestruar aksionet e kompanive të Françesko Beketit, pasi dyshohet për pastrim parash, ka reaguar edhe djali i ishkryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ai e cilëson këtë veprim si një masë ekstreme të ndërmarrë mes të fushatës elektorale.

“Historia bëhet dhe më absurde, kur në mes të fushatës elektorale sekuestrohet një media e pavarur e që ka paguar çdo taksë, sepse një kompani krejt tjetër e të njëjtit pronar sipas tatimeve nuk ka paguar taksat. Kurrë ndonjëherë në Shqipëri nuk është mbyllur ndonjë media për mospagim taksash. Sot po bëhemi dëshmitarë të instalimit të një regjimi, i cili mbyll mediet, sepse kompani të palidhura me to nuk kanë paguar taksat”, shkruan Shkëlzeni, i cili i referohet edhe denoncimit të rastit të biznesmenit Dzanashvili, duke nënvizuar se për këtë, nuk ka pasur asnjë veprim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama