Pasuria Meta e Kryemadhi dalin me borxhe

Pasuria, Meta e Kryemadhi dalin me borxhe

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten deputete të LSI-së, Monika Kryemadhi, rezultojnë se janë “të zhytur” në kredi, të cilat janë marrë për blerje banese. Sipas deklaratës së pasurisë për vitin 2013, çifti Meta kanë nga secili nga një kredi për blerje banese, por pa përcaktuar të dhëna shtesë rreth banesës që kanë blerë. Shuma e përbashkët që çifti Meta kanë për të shlyer kredi është 361.185 mijë euro, ku përkatësisht kreu i Kuvendit rezulton se më 2013-n ka një kredi prej 185.785 mijë eurosh, ndërsa bashkëshortja e tij rezulton se ka një kredi prej 175.400 mijë eurosh, që janë marrë gjatë vitit 2013.

 

Të dy bashkëshortët, sipas deklaratës së ILDKPKI-së, janë duke shlyer vlera të caktuara nga këto kredi. Ndërkohë që duke parë deklarimet e të ardhurave, duket se çifti Meta-Kryemadhi bëjnë një jetë modeste, ku të ardhurat kryesore të tyre janë nga pagat që marrin si kryetar dhe deputete në Kuvend. Sipas deklaratës së pasurisë, dorëzuar në ILDKPKI, rezulton se kreu i Kuvendit për vitin e kaluar ka shtuar një llogari bankare në shumën 20.590 lekë, si dhe ka pakësuar gjendjen cash të valutës me shumën 14000 eurove. Duke iu referuar të ardhurave të deklaruara në ILDKPKI rezulton se kreu i Kuvendit jeton vetëm me pagën e tij si dhe të bashkëshortes deputete.

 

Meta ka deklaruar se të ardhurat nga paga për vitin 2013 janë 2.318.887 lekë, ndërsa të bashkëshortes, 663.897 lekë. Meta ka deklaruar si shtim të të ardhurave nga pagat dhe përfitime të tjera financiare, një shumë prej 714.099 lekë. Në deklaratën e Metës rezulton se është edhe një overdraft i pashlyer në shumën 95.093 lekë, që është marrë në emër të bashkëshortes Kryemadhi. Nga ana tjetër, bashkëshortja e Metës, deputetja Monika Kryemadhi, ka deklaruar për 2013 pakësim llogarie bankare me vlerën 243.930 mijë lekë, si dhe një tjetër pakësim llogarie prej 10.000 eurosh për vitin e kaluar. Në të ardhurat e saj për vitin e kaluar rezulton se janë shtuar nga paga e saj si deputete në Kuvendin e Shqipërisë 714.099 lekë si dhe të ardhurat e pagës së bashkëshortit Ilir Meta, me 841.679 lekë. Kryemadhi, në deklaratën e saj, rezulton se ka dhe një overdraft të pashlyer me shumën 95.093 lekë.



E teksa shumicës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë nuk u kanë munguar kreditë e mëdha që kanë marrë, këtyre nuk u ka shpëtuar as deputeti i PS-së, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Në deklaratën e paraqitur pranë ILDKPKI-së për vitin e kaluar rezulton se deputeti Xhafaj ka marrë një kredi prej 100 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti banimi në kryeqytet. Gjatë vitit të kaluar, Xhafaj ka shlyer edhe një hua prej 25.000 eurosh, e marrë për blerjen e një automjeti. Për vitin që lamë pas, deputeti i socialist deklaron se ka shtuar tre llogari bankare përkatësisht me 27.31 euro, 110.640.19 lekë si dhe 571.17 lekë.

 

Janë shtuar dhe dy llogari, një e bashkëshortes me 4.528338 lekë, si dhe një e vajzës me 0.80 euro. Ka dhe dy llogari bankare të deputetit Xhafaj që janë pakësuar një me 324,53 lekë, si dhe një tjetër me 7.324,64 euro. Në të ardhurat për vitin 2014, deputeti i PS-së ka deklaruar se janë ato nga paga e deputetit në Kuvend me 2.372.16 lekë, të ardhura nga paga dhe shpërblimet e bashkëshortes me 822.197 lekë si dhe të ardhura shtesë nga shitja e apartamentit në Pogradec, me vlerën 10.855 lekë. Ndërkohë që bashkëshortja e tij, Mimoza Xhafaj, ka deklaruar se ka shtuar të ardhurat nga shitja e tre apartamenteve, i pari me vlerën 5.058.500 lekë, i dyti, 2.727.342 lekë, ndërsa i treti me vlerë 3.042.414 lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama