Pasurite e trafikut te droges prokuroria sekuestron mbi kater milione euro

Pasurite e trafikut te droges, prokuroria sekuestron mbi kater milione euro

Prokuroria: Janë sekuestruar mbi 4 milionë euro, tokë,  makina dhe aktivitete biznesi. Rasti i 34-vjeçarit Çavo, që mbi 3 milionë euro pasuri i kishte në emrin e vet 

Krerët e Antimafias italiane, sa herë që  kanë rastin të vijnë në vendin tonë, kërkojnë  me ngulm hetimin e pasurive të shqiptarëve  që rezultojnë të akuzuar, hetuar  dhe të dënuar në vendin e tyre. Madje në  raste të shumta, ata sjellin edhe të dhëna  të plota dhe konkrete në lidhje me pasuritë  e tyre që kanë në vendin tonë.  Shefi i Antimafias Cataldo Motta, vetëm  pak ditë më parë, iu tha homologëve të tij  shqiptarë që pasuritë e njerëzve të krimit  të sekuestrohen dhe të iu ndahen të varfërve.  Ndonëse ndarja e tyre për shtresat  në nevojë këtu ende nuk është aplikuar,  gjithsesi Prokuroria e Përgjithshme,  pikërisht në kuadër të ligjit ‘Antimafia’  muajve të fundit ka konfiskuar pasuri të  shumta të personave të cilët gjenden në  fazë hetimi ose gjykimi. Për këtë fakt,  emrat të cilët janë në listën e konfiskimit  të pasurisë do të jenë vetëm me iniciale,  deri në përfundim të të gjithë procesit  hetimor, ndërsa në shifrat e publikuara  ditën e djeshme nga Prokuroria për Krime  të Rënda mësohet se bëhet fjalë për miliona  euro dhe 140 mijë metër katrorë  tokë, si pasuri e paluajtshme. Gjithashtu  në listën e sekuestrove janë edhe makina  luksoze të të proceduarve. Referuar  të dhënave të hetimit mësohet se sekuestrot  e muajve të fundit, që janë kryer  nga prokuroritë në rrethe, iu përkasin më  së shumti Tiranës, Vlorës dhe Elbasanit. 

Sekuestrot e pasurive të krimit 

Prokuroria për Krime të Rënda mësohet  se ka zhvilluar një analizë mbi ecurinë e  hetimeve pasurore, të realizuara gjatë vitit 2014. Në aktivitetin e kësaj prokurorie,  vlerësohet çështje prioritare investigimi  lidhur me pasuri të prejardhura nga aktivitete  të kundërligjshme, nga persona  të përfshirë në vepra të rënda penale. Ndërkohë që vijojnë të jenë në proces një seri hetimesh pasurore, nga statistikat  e përpunuara prej Prokurorisë për  Krime të Rënda, për 5 muajt e parë të  vitit 2014, rezulton se pas kërkesave të  saj, Gjykata ka pranuar sekuestro për  pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme  në një total prej: Pasuri të paluajtshme:  24.660 metër katrorë, likuiditete në vlerë:  660 mijë euro dhe 8.771.000 lekë. Njëkohësisht  janë sekuestruar edhe tri automjete,  një BMW ‘X6’, një Mercedez dhe  një mjet tip Renault. Sipas hetimit bëhet  me dije se tre shtetasve R.F, K.B dhe R.F,  të hetuar dhe akuzuar për pastrim parash,  të cilët janë akuzuar në grup, u janë sekuestruar 24.660 metër katrorë pasuri  e paluajtshme, me vlerë të deklaruar  7.33 milionë lekë (të reja) si dhe 8.27  milionë lekë të reja depozita bankare. Në  lidhje me O. T., sqaron prokuroria, person  i cili vijon të jetë në proces gjykimi,  për veprën penale të trafikimit të drogës  janë vendosur aktualisht nën sekuestro  preventive shumat prej 10.490 euro dhe  10.600 lekë. Ndërsa për tre vëllezër, të  cilët hetohen për pastrim parash, bëhet  me dije se u janë sekuestruar 310 mijë  euro. Për tre persona, të akuzuar për  prodhim dhe shitje narkotikësh, bëhet ,e  dije se janë vënë nën sekuestro, në njërin  rast shuma prej 21700 Euro dhe 22 200  lekë si dhe një makinë benz, ndërsa për  dy persona të një rrjeti 11.150 euro, në  llogari bankare, 500.000 lekë, në llogari  bankare si dhe dy automjete. Ndërkohë  që dy vëllezër, të cilët hetohen për pastrim  parash u janë sekuestruar nga 8  llogari bankare plot 306.400 euro.  

Rasti i Aleksandër Çavos 

Mbase është rast unik në të gjithë historinë  e sekuestrove që janë bërë publike,  ku një person që sipas drejtësisë së  dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, rezulton  i dënuar me plot 20 vite burg, të  ketë një pasuri që e kalon shifrën e 3 milion euro-ve të gjithën në emrin e tij. Ky  është Aleksandër Çavo, vetëm 34 vjeç, i  cili kishte ngritur në Marikaj një biznes të import-eksportit të pajisjeve të sigurisë  dhe të vëzhgimit dhe mbrojtjes nga zjarri.  34-vjeçari, që sipas drejtësisë italiane, rezulton i dënuar me 20 vjet burg për  trafik droge nga Gjykata e Romës është  arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar,  në afërsi të Zogut të Zi, teksa udhëtonte  për punët e veta në drejtim të Tiranës.  Ndërsa 34 vjeçari është ekstraduar në  drejtim të Italisë, në fillimmajin e këtij viti,  Policia e Tiranës publikoi edhe të dhënat  mbi vënien nën sekuestro të pasurisë së  tij, ndërsa bëri me dije se Çavo ishte i  akuzuar edhe për “Pastrim të parash”.  Referuar të dhënave të policisë dhe të  prokurorisë u bë me dije se ishin vendosur  nën sekuestro preventive rreth 13650  metër katrorë sipërfaqe tokë arë në fshatin  Marikaj, 8 automjete si dhe gjithë shoqëria  “Viktoria Al”. Të gjitha faktet e provuara  deri tani mbështesin dyshimin se  pasuritë e luajtshme e të paluajtshme,  si dhe shoqëria e transportit, janë krijuar  mbi bazën e të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal i shtetasit,  pra, pasuritë dyshohet të jenë produkt i  veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe  shitjes së lëndëve narkotike të kryer  prej tij” shpjegoi policia. 

Kërkesat për sekuestro në Elbasan dhe Vlorë 

Nga të dhënat e prokurorisë së krimeve të Rënda mësohet se si Prokuroria  e Vlorës ashtu edhe ajo e Elbasanit kanë kërkuar në dy raste ndërhyrjet  për të vënë nën sekuestro pasuritë e personave që i kanë nën hetim dhe  për pastrim parash. Sipas informacioneve bëhet me dije se në rastin e  Vlorës, i akuzuari gjendet në fazën e shpalljes së vendimit nga Gjykata e Vlorës, për pasojë është kërkuar vënia nën sekuestro preventive e gjithë  pasurisë së verifikuar të këtij personi. Sipas burimeve të Prokurorisë bëhet  me dije se personit nga Elbasani, emri i të cilit nuk bëhet publik për arsye  hetimesh,( I. K) iu ka sekuestruar shuma prej 100 mijë euro-sh në një  llogari bankare. Ndërsa në lidhje me shtetasin nga Vlora, M.Rr, prokuroria  bën me dije se janë konfiskuar 100 mijë m2 kullotë dhe 2185 m2 truall,  që sipas hetimit kapin vlerën totale të rreth 500.000 Euro. 

Vijojnë hetimet për bashkëpunëtorët e  Sajmir Bajramit, ndërsa një ‘shef policie’  bie në rrjetën e politikës 

‘Bomba’ e lëshuar gjatë marrjes në  pyetje të të katërtit të ‘avionit të Divjakës’,  që lidhet me një person që  është prezantuar si shef policie, ka  futur në kurth politikën, pasi të dy  kahet kanë ia kanë faturuar ‘shefin’  njëra-tjetrës. Ndërsa Kleviol Ahmeti,  i cili në momentet e arrestimit nuk  pranoi se kishte lidhje me drogën  e Sajmir Bajramit, 39-vjeçarit krutan, tashmë ka pranuar të tregojë  se veç të qënurit paketues vetë ai  ka thirrur edhe shokët e tij për ta  ndihmuar që të paketojnë drogën në  mënyrën më të mirë të mundshme,  për shkak që të zërë sa më pak vend  në avion. Mirëpo, emri i Kleviolit, të  riut që u vu në pranga disa ditë  më parë nga policia e Lushnjës,  njihet prej disa vitesh, pasi ai me  shokët e tij i kanë kushtuar një  këngë Ledion Marës, të riut që u  vra në masakrën e pistës “Iliria”  në Durrës, ku humbën jetën katër efektivët e skuadrës operacionale  të Policisë, ndërsa plumbat i morën  jetën edhe Ledion Marës. 

Shoqëria me Marën 

Kleviol Ahmeti, njihet si shok i  Ledion Marës të vrarë në 7 gusht  2009 në Durrës. Sipas burimeve  të prokurorisë Ahmeti, gjatë kësaj  periudhë i ka kushtuar dhe një  këngë të ndjerit Ledion Mara, e  cila është hedhur në Youtube me  titullin: “Kujtim për Ledion Marën”.  Kjo nuk është kënga e vetme  që Ahmeti i ka kushtuar Ledion  Marës, pasi disa vite më parë ai ka publikuar në rrjetet sociale dhe një  këngë ku shante efektivët e Policisë  së Shtetit që morën pjesë në  arrestimin e Dritan Dajtit, operacion  ku veç katër policëve mbeti i  vdekur dhe shoku i tij Ledion Mara.  Mirëpo, Ahmeti, miku i Marës, jo vetëm që ka bërë këngë për shokun  e tij që nuk i jeton më, por edhe  në profilin e tij në Facebook, ai ka  shkruar se puna me të cilën merret  është trafiku i drogës. Aktualisht,  sipas të dhënave, pretendohet se  edhe ky, ashtu siç u pretendua edhe  për Sajmir Bajramin, pritet që  të marrë statusin e bashkëpunëtorit  të drejtësisë, paçka se tashmë,  dëshmia e tij, ka rrëzuar versionin e  39-vjeçarit krutan. 

Braçe: Shefi i policisë  është i ‘Berishës’ 

Pas arrestimeve më të fundit për rrëzimin  e avionit në Divjakë dhe dëshmisë  së dhënë nga Kleviol Ahmeti, ka  reaguar edhe deputeti socialist Erion  Braçe. Në faqen e tij në “Facebook”,  deputeti ndërsa thotë se kjo ngjarje  është një inskenim për rrëzimin e avionit  me drogë, shprehet se çështja do  të vijojë të hetohet deri në fund “pasi  radhën e ka ish-shefi i policisë në  kohën e Berishës”. "Ngjarja e Divjakës  po bëhet shumë interesante!! Njëri  pas tjetrit po vihen në pranga!! Por  mbi të gjitha; njëri pas tjetrit po dëshmojnë  se ç`ka ndodhur duke treguar  qartësisht inskenimin në Divjakë!! Tani  radhën e ka ish-shefi i Policisë në  kohën e Sali Berishës”. 

Trafiku i drogës, pranga 2  grekëve dhe 3 vlonjatëve 

Në dy operacione policore antidrogë  janë sekuestruar mbi 600  kg hashash ndërsa janë sjellë në  pranga 5 persona. Një çift muzikantësh  grekë, me origjinë nga  Selaniku janë arrestuar në kushtet  e flagrancës në Kakavijë, ndërsa  udhëtonin në drejtim të vendit  të tyre mbrëmjen e së shtunës.  Policia e Gjirokastrës ka sqaruar  ditën e djeshme se janë arrestuar Anastasia Vogiatzi dhe  Panajotis Markopolos të cilët po  transportonin 63.5 kg marijuanë. Sipas policisë shtetësja Anastasia Vogiatzi është bashkëpunëtore  e Panajotis Markopolos. Droga  po transportohej me një mjet  tip “Opel” me targë IPP3885 dhe  ishte fshehur në shasinë e makinës.  Një pjesë e lëndës narkotike  ndodhej në sediljen e pasme të  makinës. Ndërsa në Vlorë, orëve  të vona të së shtunës është bërë   e mundur të sekuestrohet një sasi  prej 560 kilogramësh e lëndës narkotike të hashashit. Sipas të  dhënave dyshohet se droga është  blerë në Lazarat dhe destinacioni  ka qenë Italia.

Policia e Vlorës ka  bërë me dije se gjatë një operacioni  të koduar me emrin “Weekend”  u bë e mundur të ndërhyhet  në kushtet e flagrancës. Blutë e  qytetit arrestuan tre persona të dyshuar  si organizatorë të trafikut, përkatësisht  shtetasit Dorian Hametaj,  Viron Sadikaj dhe Besnik Bushi. Sekuestrimi  i drogës u bë në afërsi fshatit  Kuç, ku policia ndaloi mjetin me të  cilin po transportohej kanabisi, një  kamionçinë me targë “AA 396 IU”.  Nga të dhënat mësohet se sasia e  drogës ishte fshehur në dyshemenë  e automjetit të ndaluar. Burimet  sqarojnë se nga hetimet e para rezultoi  se droga vinte nga Lazarati  dhe kishte si destinacion Italinë. 

SHKB-ja: 42 oficerë spiunuan  operacionin “Fund Marrëzisë” 

Shërbimi i Kontrolli të Brendshëm  në një raport ka faktuar shkeljet e  bëra nga oficerë policie gjatë operacionit  kundër lojërave të fatit  të koduar “Fund Marrëzisë”. Operacioni  që nisin në Tetorin e vitit  të kaluar, duke bërë të mundur ndërhyrjen në shumë biznese të lojërave  të fatit, ku u kryen sekuestrime  kompjuterësh, procedim të  disa prej pronarëve dhe favorizim  të disa të tjerëve, rezultoi se në disa  raste operacionet edhe u dekonspiruan  nga punonjës policie. Kështu në raport thuhet: “Inspektimi i  procedurave të ndjekura nga Seksionet  Kundër Krimit Ekonomik në  kuadër të operacionit “Fund Marrëzisë”,  dhe mbi bazën e konstatime   të evidentuara në raportin e inspektimit  u sugjerua strukturave kompetente  të Policisë së Shtetit, fillimi i  ecurisë disiplinore për 42 punonjës,  nga të cilat 17 prej tyre janë trajtuar  si “shkelje e rëndë” e disiplinës  dhe 15 prej tyre si “shkelje e lehtë”  e disiplinës. Ndërsa për 7 punonjës  është sugjeruar “këshillim”, si masë  jo disiplinore”, thuhet në raportin e  SHKB-së.

Ky institucion ka kallëzuar  në prokurori 2 raste të kryerjes së  veprës penale “të veprimeve që pengojnë  zbulimin e së vërtetës” dhe  “shpërdorimit të detyrës” para dhe  gjatë kryerjes së këtij operacioni  policor, nga 4 punonjës policie në  bashkëpunim dhe me 25 persona,  pronar lojërash fati”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama