Hyrja në fuqi e ligjit për patentën me pikë, në muajin qershor të 2013-ës, detyron të gjithë drejtuesit mjeteve të marrin një leje drejtimi të re, ku të jenë të pasqyruara përveç gjeneraliteteve, fotos dhe grupit të gjakut edhe të dhëna të tjera shtesë ku të mund të shënohen pikët që ka drejtuesi i mjetit në çdo moment. Ndryshimet e ligjit në Kodin Rrugor janë miratuar që në fund të vitit 2011, ndërsa në qershor të 2013-ës u miratuan edhe të gjitha aktet nënligjore.
Sipas Ministrisë së Transporteve ligji duhet të niste zbatimin në fillim të këtij viti, por Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor e kanë lënë pezull funksionin e sistemit me pikë të patentave. Ligji parashikon ngritjen e një sistemi elektronik në Drejtorinë e Policisë, ku për çdo shkelje që bëjnë shoferët, atyre u hiqen pikët në mënyre automatike nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor.
Sistemi i patentës me pikë parashikon edhe masa të ashpra për drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Sistemi bazohet ne një total prej 20 pikësh, të cilat zbriten në bazë të llojit të shkeljes së këtyre rregullave. Ata që humbasin totalin prej 20 pikësh, parashikohet testim nga e para, por me shkallë vështirësie më të reduktuar.