Ish- nënkryetari i Partisë Demokratike dhe deputet i kësaj force, Astrit Patozi, ka shpërthyer në një intervistë ndaj ekipit të ri të Lulzim Bashës. “Më shqetëson shumë fakti që në gjithë sjelljen tonë pas humbjes, përpiqemi që të imitojmë Partinë Socialiste, ose më mirë të themi Edi Ramën. Por ç’është më e keqja, jemi një kopje e keqe e tij. Sepse Edi Rama nuk e çoi kurrë aq thellë bisturinë për rrënjët,” thotë Patozi për Panoramën. Sipas tij, Basha ka asgjësuar grupin parlamentar.
Por më i revoltuar është Patozi me faktin se Basha po godet ata që ai i quan “mbështetësit e Olldashit”. “E them pa asnjë mëdyshje, që nga vera e vitit 2013 e deri më tani, është goditur çdo anëtar i PD, që është identifikuar si mbështetës i Olldashit dhe kjo është e turpshme. Kjo është staliniste. Dhe është përgjegjësi e kryetarit të partisë që të ndalë një ditë e më parë këtë kryqëzatë të shpifur,” thotë Patozi.
Duke marrë rastin konkret të Mesila Dodës, Patozi shprehet: “Ndoshta edhe unë e kam optikë krejt tjetër për kauzën që mbron zonja Doda. Por kjo nuk është arsye për ta shpallur “armike” një studentë të Dhjetorit në ditën e përvjetorit të asaj lëvizjeje të fuqishme, që themeloi vetë Partinë Demokratike,” thotë Patozi. Në fund, Patozi thotë se ka shumë njerëz si ai në PD, që mendojnë njësoj dhe kanë po këto shqetësime. Kjo intervistë me gjuhë të fortë vjen në një kohë që vetë Mesila Doda, e njohur si një përkrahëse e grupit të Olldashit, është përfshirë në një debat në distancë për thyerjen e bojkotit të Kuvendit.