Pavaresia

Pavaresia
(Historian)

Për këtë ngjarje të shquar të historisë sonë kombëtare është shkruar dhe vazhdon të shkruhet, prandaj është e vështirë t’u shmangesh përsëritjeve, megjithatë do të përpiqem që në këtë shkrim të shkurtër të sjell “mendoj unë” diçka “të re” duke u mbështetur në shkrimet e Mustafa Merlikës (Krujës), pjesëmarrës në Kuvendin për shpalljen e pavarësisë dhe firmëtar i saj, të Teodor Ipenit dhe Edit Durhamit, të cilët bëjnë pjesë në plejadën e atyre studiuesve dhe intelektualëve të huaj, që Shqipërinë e patën jo atdhe të lindjes, por vendin e tyre të zemrës dhe të punës së tyre intelektuale. Duke i përmendur me nderim këta personalitete, ne u japim atyre mirënjohjen e duhur që në përgjithësi u ka munguar.

Mustafa Merlika shkruan gjatë për këtë ngjarje të rëndësishme. Ai paraqet dhe analizon kushtet historike dhe politike të kohës, të cilat rrezikonin ekzistencën e popullit dhe të vendit tonë si dhe reagimin e popullit tonë në krye të të cilit u vunë patriotë nga familje të mëdha shqiptare, duke veçuar atë të Vlorajve dhe Toptanëve. Thekson ndihmën e kolonive shqiptare të Bostonit, Kajros dhe Bukureshtit.

Mbasi flet për përpjekjet për t’u lidhur dhe gjetur përkrahje te Fuqitë e Mëdha të kohës, ai tregon se shpresat përqendrohen në mbështetjen e Austro–Hungarisë, interesat e së cilës përputheshin me interesat tona kombëtare. Në këtë rast, ai na jep një hollësi interesante, siç thotë vetë ai, gjatë diskutimeve në Kuvendin për shpalljen e pavarësisë. Po e citoj: “Asht shumë interesante këtu, nga shumë pikëpamje, me përmendun nji hollësi të bisedimit mbi përmbajtjen e letrës qi po shkruhej për mbretin e Austrisë.

Qe dëshirë e mbledhjes që të tregohej edhe se si e mendojshin dërguesit e asaj letre formën e përtardhmen e Shtetit të tyre. Të gjithë u bashkuen në nji mendim qi Shqipnija duhej t’ishte nji Shtet federativ si Helvetija (Zvicra) e Shtetet e Bashkuara t’Amerikës së veriut. Por nji prej shokësh të mbledhjes shtron përpara nji mendimi të ri, t’arsyetuem me nji realizëm e llogjikë turbulluese: Nji Shqipni qi ka rruem katër shekuj e gjysëm nën nji sundim barbar e qi për këtë shkak gjindet sod n’ato kushte shoqnore e ekonomike qi dijmë të tanë, për ma tepër rrethuem gjithandej me fqinj të panginjëshëm”, thotë Salih Gjuka. “Nuk mundem me e bamë përnjiherë Shtet mbë vete edhe me jetuem e përparuem pa ndihmën e projën e një Pushteti të madh dashamirës!”. E proponon qi duhej kërkuem prej monarqisë austro-hungare qi shteti shqiptar të të vihej nën projën e saj deri qi të bahej i zoti me qëndruem mbë këmbët e veta.

Një shqiptar mysliman po dëshironte, jo vetëm me e shkëputur vendin e vet prej zotnimit të sulltan kalif, por edhe me e shtimë nën hijen e perandorit “fort katholik” t’Austro-Hungarisë. E kush është i pari qi kundërshton? Prifti katolik Nikolla Kacorri i cilli do t’ishte gati me pranuem për nji Shqipni “autonome” ma parë projën e perëndorisë athomane, “qi- kështu arsyeton Kacorri-pa dyshim s’do të kishte ma nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t’ja kishte të sigurtë pamvarësinë e saj”. Mbledhja tek e mbramja, e la mënjanë kët’aspekt të problemës shqiptare. Rëndësija e bisedimeve të saj qe vetëm fakti qi vuni n’evidencë në nji rasë aqë konkrete se te patrijoti intelektual shqiptar ndejnja e idesë e kombësisë qëndronte përmbi ato të fesë.

Me interes është dhe e dhëna që na jep Mustafa Merlika për vendin ku do të mbahej mbledhja për shpalljen e panvarësisë. Ai shprehet kështu: Po ku do të mbledhej Kuvendi Kombëtar? Vjena e Roma kishin porositur për nji qytet breg t’Adriatikut për shumë arsye praktike në lidhje me luftën që po zhvillohej. Pra Durrësin ose Vlorën. Prej këtyne dy skelave u pa ma me vend Vlona. Viset rreth e qark Durrësit ishin të banueshme prej myslimanëve fanatikë, të cilët të lidhur shpirtnisht me kalifatin e Stambollit e tue mos i dhanë dum ende gjendjes kritike në të cilën ndodhej mbretnia othomane, nuk do ta pritshin mirë një kryengritje të hapur kundër saj.

Komandanti i batalinot territoria të Durrësit, Hamit Toptani, nuk merrte asnji përgjegjësi për njerëzit qi komandonte, të gjithë banorët e asaj zone, kur t’a merrnin vesh se Shqipnia po i bie mohit sulltan kalif. Ndryshe ishte populli i krahinës së Vlonës. Ndonëse myslimanë edhe ai, qe liberal, e kishte nji zgjueti politike ma të gjanë. Prinjësi atje vetë ishte nji beg i atij vendi pra i njohun e i ndërgjegjshëm ma fort atje se në Durrës. Ma në fund kablla telefonike me Evropën atje i kishte kryet e për të do të kishte nevojë të domosdoshme qeverisje e re. Për të tana këto arsye, Ismail-Kemali vendosi me e thërritun Kuvendin Kombëtar në Vlonë. Por ftesat i u derdhën gjithë Shqipnisë telegrafisht nga Durrësi me porosi qi delegatët t’u nisshin për Vlonë.

Më poshtë ai vë në dukje qëndrimin diplomatik e shumë të mençur që kanë mbajtur pjesëtarët e mbledhjes ndaj Turqisë. Ai thotë: “S’ishin mbledhun gjind revolucjonarë, por gjithaqë doktorë t’urtë për konsultim rreth nji të sëmuri delikat qi ishte në rrezik jetë. E kjo ndoshta ishte vetë rasa. Frika për ekzistencën e kombit nuk ndihej n’armikun e vjetër qi po shkonte por në të riun qi po vinte”.

Teodor Ipeni në vitin 1886 emërohet në Shkodër konsull i përgjithshëm i Perandorisë Austro-Hungareze. Në 7 vitet e qëndrimit të tij si konsull ai do të kryejë një punë intensive diplomatike e hulumtuese duke u bërë një njohës kompetent i historisë së popullit tonë. Ajo që është me shumë interes është se ai do të caktohet më vonë në krah të përfaqësuesit austro-hungarez, kontit Mensdorff në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe praktikisht ishte i vetmi specialist dhe njohës i Shqipërisë ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve të tjerë të cilët ishin diplomatë që operonin sipas nevojave dhe diktateve politike. Duhet thënë se pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Fuqitë e Mëdha disa muaj më vonë, më 29 korrik 1913, me kufijtë politikë që kemi sot.

Megjithëse trojet tona u ndanë përgjysmë, duhet thënë se edhe ajo pjesë që mbeti ishte pa dyshim edhe punë e këtij njeriu. Ai kishte realizuar dhe harta gjeodemografike të vendit tonë, të cilët u përdorën si argument për mbrojtjen e kufijve veriorë. Dhe të gjitha qëndrimet që mbajtën përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në këtë konferencë hartoheshin nga Teodor Ipeni. Austro-Hungaria deklaronte se do të ishte absurde të krijohej një Shqipëri anemike, atrofike që do të bartte që në lindje tharmin e vetëshkatërrimit të saj, duke luajtur në duart e fuqive që e kishin krijuar një rol qesharak.

Edith Durham, mjaft e njohur për shqiptarët kur shkruan për frymë patriotike tek ne, thotë se ajo qëndron mbi çdo besim. Ajo përmend si shembull Elbasanin, ku patriotizmi ishte i fuqishëm sidomos në shkollën për mësues (siç e përmend ajo), e cila kishte personel myslimanë e të krishterë. Prandaj në Elbasan këndohej kënga:

Për mëmëdhën për mëmëdhën
sna ndan as kisha as xhamia,
feja e shqiptarit është shqiptaria.

Edhe kjo sjell një të dhënë interesante që përputhet me atë të Mustafa Krujës. Ajo përmend famullitarin e shquar Preng Doçi, i cili ka këtë qëndrim politik ndaj Turqisë: “Më mirë të mbahemi të lidhur me Turqinë derisa Shqipëria të forcohet dhe të organizohet më mirë e të qëndrojë në këmbë me këmbëtë e saj se sa të ndodhemi përballë një armiku më të egër siç është Serbi që do t’i binte vendit përsipër”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama