Pavijoni shqiptar i Calduras

Pavijoni shqiptar i Calduras
Kuratori italian i pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias, dëshiron një ekspozitë që e shfaq Shqipërinë ashtu siç është: një vend kontradiktash dhe në transformim të thellë. Jo më artistë 50 apo 60 vjeçarë, as shqiptarë të famshëm nga bota. Po të rinj që do t'i përgjigjeshin konceptit të Bienales: ILLUMInations.

Pavijonin shqiptar të artit pamor në Bienalen e Venecias edhe kësaj radhe e koncepton një kurator i huaj. Është Riccardo Caldura nga Italia. Ka ardhur në Shqipëri, i ftuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, për të filluar nga puna. Fillimisht duhet të takohet me ata artistë që njeh, të vizitojë studiot e atyre që nuk i njeh, të zbulojë, selektojë derisa të zgjedhë përfundimisht atë informacion artistik që do të zërë vend në pavijonin shqiptar në Bienalen e 54 të Venecias, qershor-nëntor 2011.

Gjatë këtij procesi Caldura mban parasysh disa kritere. E reja është një kriter qoftë për veprën e artit, qoftë për moshën e krijuesit. Artistët duhet të jenë nën të moshën 50 vjeç dhe vepra e tyre të jetë shprehje e një kërkimi artistik në mjedisin shqiptar dhe përtej këtij mjedisi. Sipas Calduras kjo do të jepte mundësinë e vëzhgimit të realitetit artistik shqiptar nga brenda dhe nga jashtë.

Zgjedhja e kuratorit italian duhet t'i përgjigjet temës Bienales: "ILLUMInations".
Caldura do preferonte që punët e pavijonit të hidhnin dritë mbi problematikat e realitetit të sotëm.
Kuratori italianë i ka të qarta idetë dhe e di nga do ta nisë punën. Ka kontakte me artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. E njeh realitetin artistik sepse ka dy përvoja në Shqipëri, në jurinë e "Onufrit 2007" dhe me kurimin e "Onufri 2008".

Po këtë vit, në Itali ka ndihmuar në organizimin e dy ekspozitave dhe në kurimin e tyre: te "Nuk ka si shtëpia/There is no place like home" në Galerinë Contemporanea dhe te ekspozita fotografike "Atelier Albania" në Centro Candiani, Mestre 2007. Riccardo Caldura mban titullin e docentit të fenomenologjisë së artit dhe të profesorit të Akademisë së Arteve të Bukura të Venecias

Në një intervistë për "Shekullin" jep detaje të përgatitjes së pavijonit shqiptar.

Z. Caldura, ku është përqendruar kërkimi juaj për zgjedhjen e pjesëmarrësve shqiptarë në Bienalen e Venecias?

Do të tentojmë të ngremë një ekspozitë të realitetit bashkëkohor shqiptar, të artistëve që jetojnë dhe punojnë në Tiranë dhe ata që punojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Evropës. Është me interes të kuptohet kjo marrëdhënie, midis artit që krijohet brenda dhe jashtë kufijve. Duam të reflektohet ky realitet i dyfishtë që është karakteristikë e artit bashkëkohor shqiptar, pas shembullit të treshes së njohur Anri Sala, Adrian Paci, Sislej Xhafa.

Ne po studiojmë realitetin artistik të brezit tjetër që vijnë pas tyre dhe në një tjetër këndvështrim. Ata janë artistë të njohur në botë, por e kanë lënë Shqipërinë. Tani kemi një realitet tjetër, ka artistë që provojnë të jetojnë dhe të krijojnë në Shqipëri, janë në korrent të zhvillimeve të artit bashkëkohor shqiptar, dhe të tjerë që jetojnë dhe krijojnë ndërmjet Milanos, Berlinit, Londrës dhe Tiranës.

A keni deri tani ndonjë ide, koncept për zgjedhjet e punëve?

Një temë që më tërheq është kontradikta midis imagjinatës dhe realitetit, dukjes dhe thelbit, sipërfaqësores dhe asaj që fshihet nën të. Më pëlqen të punoj me artistë që luajnë me këtë koncept të dyfishtë të marrëdhënies së imagjinares dhe realitetit, për të treguar fytyrën e vërtetë të gjërave.

Ky koncept nuk duket i huaj...

Jam paksa i ndikuar nga përvoja e "Onufri 2008", edicioni që unë kam kuruar. Ai titullohej "A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?", më dukej një titull tërheqës për atë realitet artistik. Në një farë mënyre ky koncept reflektohet deri diku në projektin që po përgatisim. Shqipëria është një vend kontradiktash, në një fazë ndryshimi dhe transformimi të thellë. 15 ditë më parë, kini "shqetësuar" të gjithë Evropën.

Jeni afër, jeni duke hedhur një hap drejt integrimit dhe të gjitha këto anë të realitetit shqiptar duhet të shfaqen. Në këtë moment Shqipëria është një nga vendet më interesante për problematikat që ka. Le të shpresojmë që Bienalja të na ofrojë mundësinë për t'i nxjerrë në pah këto problematika. Arti ndihmon më shumë për ta kuptuar këtë realitet.

A kemi deri tani një temë të Bienales?

Tema është ILLUMInations, një lojë fjalësh. Rrënja e parë do të thotë "të ndriçosh", "të hedhësh dritë" që shpjegon rolin e artit. Por, që arti të iluminojë konceptin e kombit, kjo nuk më bind. Nuk jemi në shekullin XIX. Evropa tani tenton t'i shuajë dallimet mes kombeve.

Ndoshta, zbërthehet në një tjetër formë, që arti ndriçon problematikat e kombeve.
Më duket interesante që titulli nxit problematikën, që na kthen te koncepti i pavijonit shqiptar.

Ka ndonjë kriter tjetër që ju do ta mbani parasysh në ngritjen e këtij pavijoni?

Ka edhe një kriter të tretë, por nuk është artistik. Ka të bëjë me subjektet ekonomike. Një projekt kulturor, duhet të jetë një moment ku ndërtohen edhe marrëdhënie me strukturat ekonomike. E kam fjalën për mundësinë për të pasur subjekte që sponsorizojnë kulturën, ato subjekte që kanë interes të punojnë në Shqipëri, dhe nëpërmjet një projekti kulturor mund të sigurojnë vizibilitetin. E di që ky diskutim duket cinik dhe sikur nuk ka të bëjë me kulturën.

Por nuk është kështu. Në zhvillimin e një vendi ndikojnë njëkohësisht zhvillimi ekonomik dhe kulturor. Do të ishte bukur, që me hapjen e pavijonit të mund të ndërtohej një lidhje edhe nëpërmjet subjekteve që kanë interesa ekonomikë, për të punuar në Shqipëri, për t'u bërë të njohur nëpërmjet një projekti kulturor shqiptar.

Pra ju synoni të zgjidhni kryesisht të rinj...

Po i kushtoj më tepër vëmendje punëve të artistëve që janë në gjysmë të karrierës dhe që kanë një vazhdimësi në krijimtarinë e tyre. Nuk ka rëndësi nëse kjo krijimtari ka nisur dhe është zhvilluar, këtu, apo në ndonjë vend të Evropës.

Nuk do të punoj me artistë 50-60-vjeçarë. Nuk kam dyshim, që mund të ketë të shkëlqyer dhe do të ishte një mundësi e mirë bashkëpunimi, por rasti i kësaj ekspozite ndërkombëtare ka për qëllim të favorizojë ata që mund të jenë protagonistët e rinj të skenës artistike.

Në këtë kuptim do të favorizohet gjenerata e re. Risku i të punuarit me të rinj është mosvazhdimësia në krijimtarinë e tyre. Por do të favorizohen ata që kanë një vazhdimësi dhe një ecuri në kërkimin e tyre artistik.

Fatura e pjesëmarrjes: 80 mijë euro

Kostoja e hapjes së pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias është 80 mijë euro. Këtë të dhënë e jep komisioneri Parid Teferiçi që merret me pjesën administrative të pavijonit. Një pjesë financohet nga shteti, shumica duhet të gjendet.

"Ministria ka dhënë një shtysë fillestare, ka premtuar rreth 20 deri në 25 milionë lekë". Një tjetër mundësi është menduar vjelja e një fondi nga Këshilli i Ministrave. Të tjerat, mendohet të gjenden nëpërmjet kompanive të mëdha private.

Kostoja më e madhe e gjithë faturës i adresohet hapësirës, vendit ku do të ngrihet pavijoni. Teferiçi shpjegon se po shqyrtohen disa mundësi, "një vend qendror i vogël dhe i kushtueshëm, i rrahur nga turistët, apo një vend periferik i lirë, me një hapësirë të madhe, jashtë vëmendjes". Për komisionerin zgjedhja e parë është optimalja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama