Mustafa Nano ka vendosur që përmes librit “Pax Albanica” të reformojë klishenë që u bë e njohur prej poemës së pashait katolik të Perandorisë Osmane Pashko Vasa (aka Vaso Pashë Shkodrani), i cili ndërsa sundonte për llogari të Sulltanit njëkohësisht Kalifit të Islamit, Libanin, shkruante: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Këtë Nano duke e shkëputur prej romantizmit e lidh me laicitetin e elitës shqiptare që ka sjellë tolerancën fetare dhe ndihmuar Shqipërinë të ekzistojë si komb. Libri i Mustafa Nanos u promovua dje në Kinema Imperial, ndërsa në sfond shfaqej një dokumentar gjerman për Shqipërinë e 100 viteve më parë. Të ftuar ishin miq të autorit, publicistë, shkrimtarë, por si rrallë herë mungonin politikanët të cilët nuk ishin ftuar. Fjalët e rastit u mbajtën nga botuesi Besnik Myftari, drejtor i botimeve “Saras” dhe Remzi Lani drejtor i Institutit të Medias. Promovimi i librit, i cili u bë në stilin e një “Jamais Vu- je” nga miku i tij, Enkel Demi, ishte një qasje fillestare ndaj veprës përballë një publiku kureshtar. Remzi Lani në fjalën e tij vuri në dukje se e kishte marrë me skepticizëm në dorë librin, por sipas tij ky skepticizëm ra kur mbaroi leximin. “Është Pax Albanica (paqja mes shqiptarëve) që e shtyu Papa Franceskun të zgjidhte Shqipërinë si destinacion të vizitës së tij të parë në Evropë”, tha Lani.
Sipas studiuesit Agron Gjekmarkaj e vetmja kritikë për autorin ishte të qenit autoreferencial, “por ndoshta kjo prej fakti se Mustafa do të thotë i zgjedhur nga Zoti, pra më shumë se sa një kritikë kjo është një lëvdatë”. Duke folur për librin Gjekmarkaj tha se shqiptarët e Mustafa Nanos nuk i përshtaten besimeve, por i përshtatin ato.
“Historikisht ne shqiptarët kemi pasur probleme të mëdha me përcaktimin e saktë të origjinës tonë dhe prandaj zgjodha ta nis këtë libër me një historik të familjes time.” kështu shprehet autori i librit “Pax Albanica”, analisti dhe gazetari Mustafa Nano. Në pamje të parë, duket sikur libri ka natyrë historike, por në fakt ai është larg një libri mirëfilli historik edhe pse është mbështetur i gjithi mbi fakte të historisë tonë, ku përfshihen personazhe vendas dhe të huaj. Cila është “feja” e vërtetë e shqiptarit?
Kjo është problematika që ngre autori, ndoshta edhe me skepticizmin që karakterizon zakonisht një sekularist. Disa lexues, ndoshta mund të kenë menduar se një libër i tillë mund të trajtohet i plotë vetëm nga një historian pas viteve të tëra studimi, por nga eksperienca e atyre që e kanë pasur në dorë “Pax Albanica”, rezulton se pena e shkathët dhe mendja e kthjellët e një gazetari, mund t’i shkojë me mjaft objektivitet deri në bërthamë pyetjeve që shumë prej nesh kemi ngritur me zë të lartë ose jo.
Jo pa qëllim libri nis me historinë e emrit të autorit, Mustafa, që është një emër tipik mysliman, e më pas kalon edhe në emrat e familjarëve të tjerë, për t’i bërë kështu një historik të hollësishëm prejardhjes së tyre fetare. Natyrisht që për të trajtuar një temë kaq delikate në kohëra jo më pak delikate, duhet një punë e stërmadhe studimore dhe jo thjesht perspektiva e një publicisti. Sipas autorit, ndër arsyet që kanë ndikuar në konvertimin e shqiptarëve në myslimanë, dhuna është e fundit në radhë. Më shumë se dhuna, ajo që ka sjellë këtë konvertim është vetë zgjedhja e prijësve tanë për t’u bërë myslimanë sipas interesave të tyre të ngushta të cilat janë shumë larg idealeve që lidhen posaçërisht më një fe apo me tjetrën. Populli ynë ka qenë gati gjithmonë indiferent karshi përkatësisë fetare dhe pikërisht ky indiferentizëm ka sjellë konvertimin pa shumë imponim.
Kjo është edhe arsyeja pse shqiptarët kurrë nuk kanë pasur ndasi të vërteta fetare mes vedit e madje kanë festuar së bashku festat fetare përkatëse. Notat patriotike të teksteve të historisë apo aktet heroike të luftëtarëve tanë në kohën e pushtimit Osman, sipas Mustafa Nanos, nuk janë veçse një trill dëshirash dhe fantazie për të mos u zhytur kthjelltësisht në të vërtetat e ngjarjeve. Faktet demonstrojnë se ne, përkundrazi, kemi qenë për një periudhë të gjatë të shkrirë brenda Perandorisë Osmane.
Ekzistenca e shumë feve në një vend është megjithatë një parehati dhe aspak një faktor favorizues, sipas Nanos. Madje ai e quan një plagë të vërtetë që na e ka lënë e shkuara, ndërsa thekson se toleranca ndërfetare vjen jo prej vetëdijes se është e vetmja mënyrë për të mbijetuar si komb. Libri nuk mbyllet me një zbulesë, por me apel. “Çdo trill e mbrapshti mund t’ia lejojmë vetes, por jo ndonjë sosh që na krijon probleme mes feve”, shkruan Nano. Ai thotë se është e rëndësishme të respektohen të gjitha bindjet fetare, duke shmangur me çdo kusht radikalizmin dhe duke sjellë kështu një shembull të mirë përballë kombeve të tjera me konflikte të rënda fetare.