Pedagoget Kuvendit Duam te jemi pjese e diskutimeve ne komisione

Pedagoget, Kuvendit: Duam te jemi pjese e diskutimeve ne komisione

Pedagogët – Propozojmë të jemi pjesë e diskutimeve në komisionet parlamentare në mënyrë që të kemi mundësi të shpjegojmë argumentet tona kundër

Kërkesa – Na jepni mundësinë të ballafaqojmë projektligjet, atë që na është dhënë neve dhe atë që i është dërguar qeverisë për miratim

Peticioni – Profesorët e UT-së kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, prej 10 ditësh, peticionin që kundërshton ashpër projektligjin

 

Debatet e nxitura nga projektligji i ri i arsimit të lartë do të përfundojnë vetëm nëse Kuvendi nuk do ta miratojë pa mundësuar më parë një ballafaqim mes anëtarëve të komisionit dhe palëve të interesit.

 

“Propozojmë të jemi pjesë e diskutimeve në komisionet parlamentare që do të zhvillohen në ditët në vazhdim, në mënyrë që të kemi mundësi të shpjegojmë argumentet tona se përse kapitulli 12 duhet të hiqet nga projektligji. Një tjetër kërkesë drejtuar Kuvendit është edhe të na japin mundësinë të ballafaqojmë projektligjet, atë që na është dhënë neve, pas prezantimit zyrtar të organizuar nga Ministria e Arsimit muaj më parë, dhe atij që MAS ka dorëzuar në qeveri. Ju sigurojmë që janë dy të ndryshëm. Nëse kreu i Kuvendit nuk e beson deklaratën tonë, jemi të gatshëm të përballemi, vetëm të na krijohet mundësia. Është e drejtë ligjore të na vënë në dispozicion të gjitha materialet, përmbajtjet e një projektligji që ndodhet aktualisht në Kuvend dhe që thuhet se do të ndryshojë plotësisht sistemin e arsimit të lartë në vend.

 

Këto deklarata u bënë publike edhe më herët nga profesorë të njohur në fushën akademike, pedagogë dhe drejtues në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si: Artan Fuga, Mark Marku dhe të tjerë, të cilët akuzuan hapur MAS se në qeveri është dërguar një projektligj i ndryshëm nga ai “gjoja” i diskutuar, sipas pedagogëve, në auditorët e hapura. Të mbledhur si forum i lirisë akademike, profesorët e Universitetit të Tiranës dhanë sugjerime se si një projektligj i hartuar me shpejtësi dhe për interesa të caktuara ka defekte të rënda juridike dhe logjike. Për akademikun Artan Fuga, Kuvendit po i thuhen të pavërteta se një komision i pavarur ka hartuar këtë projektligj. Sipas tij, gjithë ky pretendim është një gënjeshtër e madhe. “Kuvendit t’i thuhet se ideja se është krijuar nga të pavarur është një gënjeshtër piramidale faranike.

 

Nuk kemi marrë një herë përgjigje, debat shurdh, nuk ka konsultim aktorësh, kulturë juridike, ekspertë të pavarur, asgjë”, tha Fuga rreth 15 ditë më parë. Sipas tij, rezistenca ndaj këtij projektligji të ndryshuar disa herë do të vijojë, pasi sugjerimet që ky grup interesi ka dhënë në mbi 200 faqe nuk janë dëgjuar, madje janë injoruar. Nga ana tjetër, profesori i Universitetit të Tiranës ka bërë edhe një deklaratë bombë, pasi pretendon se projektligji i dërguar për miratim në qeveri më shumë se dy javë më parë, nuk është i njëjtë me atë që MAS ka prezantuar zyrtarisht në sallën e madhe të kishës ortodokse në Tiranë. Profesorët e Universitetit të Tiranës kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, prej 10 ditësh, peticionin që kundërshton ashpër projektligjin e ri të arsimit të lartë në disa pika.

 

Mirëpo, pavarësisht qëndrimeve kundër, zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku, theksoi se projektligji i arsimit të lartë, i cili pritet të kalojë për diskutim në Komisionin e Medias dhe Arsimit, jo vetëm që nuk cenon lirinë akademike, autonominë, por u jep universiteteve shumë kompetenca themelore, që deri më tani janë administruar nga Ministria e Arsimit.

 

Mazniku këmbëngul se fakti që në vitet e ardhshme akademike, departamentet e fakulteteve do ta kenë vetë në dorë të përcaktojnë kuotat e studentëve, tarifat, numrin e pedagogëve si dhe do të vendosin kritere specifike për të rinjtë, që do të pranohen në universitete, pasi ata të kenë kryer provimet e maturës shtetërore, janë disa prej treguesve që vërtetojnë se zbatimi i këtij projektligji të ri në sistemin e arsimit të lartë në vendin tonë synon forcimin e roleve të universiteteve publike. “Skema e financimit që propozohet nga ligji i ri për arsimin e lartë ka katër elemente kryesore.

 

Ka grantin e përgjithshëm, i cili u jepet institucioneve të arsimit të lartë në bazë të treguesve të performancës. Që do të thotë se, sa më mirë të dalin këto institucione në nivelin e akreditimit, apo të rankimit, në nivelin apo cilësinë e prodhimit të kërkimit shkencor, në llojin dhe cilësinë e studentëve që arrijnë të rekrutojnë, dhe shumë tregues të tjerë që mund të vendosen, në bazë të tyre do të variojë edhe sasia e financimit publik që do t’u jepet atyre nëpërmjet këtij granti të përgjithshëm”, shpjegoi Mazniku. Ai madje theksoi se ekspertët e Komisionit të Arsimit të Lartë kanë reflektuar një pjesë të madhe të kërkesave të universiteteve, pavarësisht se pedagogët e Universitetit të Tiranës pohojnë të kundërtën duke akuzuar se projektligji i ri në Kuvend është totalisht i ndryshëm nga ai që kanë lexuar ata.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama