Pedagoget sulmojne Bashen Opozita ndihmoi ligjin per arsimin

Pedagoget sulmojne Bashen: Opozita ndihmoi ligjin per arsimin

Në përballjen e parë me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, pedagogët dhe ekspertët e arsimit kanë shigjetuar dhe opozitën për letargjinë e treguar gjatë kohës kur po debatohet për ndryshimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Në tryezën e shtruar nga PD-ja për të diskutuar për projektligjin në fjalë, i cili pritet të diskutohet dhe të miratohet në Kuvend, pedagogu Mark Marku dhe Artan Fuga, dy nga kritikët më të ashpër të këtij ligji, nuk janë kursyer me kritikat për qeverinë, por edhe opozitën që nuk ka kërkuar konsensus nga maxhoranca për të bërë një ligj ku universitetet të ishin autonome dhe privatët të mos favorizoheshin pa fund.

Pedagogët sulmojnë Bashën

Pedagogu i departamentit të gazetarisë, Mark Marku theksoi se në këtë tryezë debati ra në kurthin e atyre që kanë hartuar këtë projektligj. Sipas tij, ai nuk ka lidhje me reformën e arsimit, por me interesat e universiteteve private. “Ky projektligj nuk ka pasur ndërmend të bëjë reformën e arsimit të lartë. Ky është pikë për pikë në zbatim të grupit të interesit që favorizon interesa financiare të një grupi me interesa sektoriale”, theksoi Marku. Në vijim, ai tha se opozita nuk mund ta përmbysë situatën, pasi nuk i ka as numrat dhe as nuk ka dashur që të ndalojë këtë ligj. “Opozita po të kishte dashur të ndalonte këtë ligj do të kërkonte konsensus në komision.

Unë personalisht jam pak skeptik për mënyrën si ka funksionuar opozita në raport me këtë projektligj. Ka qenë mjaft hezituese. Edhe sot që po flasim është krijuar ideja sikur opozita po jep një gjysmë “ok” dhe po i jep ca deklarata opinionit publik për të treguar se janë kundër por në thelb nuk kemi parë një qëndrim opozitar të strukturuar për projektligjin”, tha Marku. Më tej ai e quajti të tmerrshme idenë që një grup interesi me pak para dhe me shumë perversitet, ka arritur të implementojë interesat e veta në një projektligj dhe të shkatërrojë sistemin në vitin e ardhshëm. “E shikoj si një precedent nga pikëpamja e hartimit të legjislacionit që shumë rrallë ka ndodhur.

Pra një grup shumë i vogël, por shumë i vogël, të arrijë me financim, korrupsion, duke paralizuar çdo rezistencë institucionale, duke kompromentuar çdo aktor që mund të shprehë zërin, të arrijë të ndërtojë një ligj të vetin në kokë për të shkatërruar sistemin arsimor dhe ta shndërrojë në projektligj”, saktësoi Marku.

Shtetërori pa autonomi, favorizohet privati

Dhe shefi i departamentit në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit, Artan Fuga, i pranishëm në tryezën e thirrur nga Partia Demokratike për të diskutuar për Ligjin e Arsimit të Lartë tha se është e patolerueshme të negociohet liria e mendimit. Fuga tha se në Ligjin e Arsimit të Lartë është ndërhyrë gjithmonë dhe asnjëherë ai nuk ka arritur ta kuptonte këtë ligj. “Kam kërkuar juristë në komision, aty ka, por nuk mund të diskutosh me 'ta sepse ata fillojnë të shajnë e të ofendojnë”, tha Fuga.

Më tej, ai është ndalur te autonomia në arsim dhe kapja e këtij të fundit nga privatët. “Thonë që ka autonomi, por në vendimmarrje na futen “komisarë” të deleguar me një kompetencë të jashtëzakonshme që delegojnë vendimmarrjen. Autonomia të bëjë që privati të vijë e të japë kontribut financiar e jo ta bëjë atë të vijë e të jetë pjesë e agjencisë, kjo është ajo që ngatërrojnë. Kjo është normative dhe unë kam pritur nga deputetët që ata të shkojnë tek problemet ligjorë sepse ata janë përfaqësuesit tanë në Kuvend”, tha Fuga.

Qëllimet e këtij projektligji, sipas Fugës, nuk janë të mira sepse nuk janë të formuluara mirë. Më tej ai tha se nuk është dita nesër (sot) për të diskutuar gjendjen e arsimit të lartë duke iu kërkuar deputetëve që të mos ngatërrojnë statusin e ligjvënësit me statusin e ekspertit. “Do ju lutesha deputetëve të të gjitha palëve të mos bëjnë gabime në parlament e të mos ngatërrojnë statusin e ligjvënësit me statusin e ekspertëve”, tha Fuga.

Basha: Ligji klientelist

Pas kritikave që Artan Fuga dhe Mark Marku bënë kundër politikës në përgjithësi dhe opozitës në veçanti që ka lejuar këtë projektligj të shkojë në Kuvend, ka reaguar dhe kreu i PD- së, duke i dhënë të drejtë profesorëve se ky ligj krijon klientelizëm dhe se do të jetë Rama ai që do të vendosë dhe që është mbi të gjithë botën akademike. Duke iu përgjigjur kritikave të eskpertëve, për qëndrimin e opozitës lidhur me këtë çështje Basha tha se është dakord me 'ta, duke shtuar se ky ligj është klientelist.

“Dëgjova me vëmendje kritikën tuaj, por ky ligj është klientelist dhe është i përcaktuar nga qeveria të kalojë. Pse duhet ta ndjekim ne, kur ai nuk i kërkon model. Ky s’ka as stil, as moral, por ka vetëm qëllime të paracaktuara për klientët e tij”, u tha Basha pedagogëve. Më tej, Basha i siguroi ata se opozita do të votojë kundër një projekti, sipas tij, fatal për sistemin arsimor, por edhe për të ardhmen e brezave. Në këtë frymë Basha ftoi pedagogët për një plan veprimi që nuk do të lejojë implementimin e këtij projektligji.

Ngjela: Ligji i domosdoshëm

Avokati Spartak Ngjela është shprehur dje se ligji i ri për Arsimin e Lartë është hapi i parë për t’u shkëputur nga mediokriteti. “E gjitha kriza që shihni në këto 20 vite është e pamenaxhueshme. Kjo erdhi pas 92shit. Ku u godit rëndë cilësia. qeveria është detyruar të mbrojë një ligj që nxjerr vetë, por duhet të dimë se çfarë sjell”, është shprehur Ngjela. Teksa u ndal tek debatet e ditëve të fundit në lidhje me projektligjin e ri, Ngjela pohoi se notat dhe diplomat vijojnë të blihen me lekë.

“Bota akademike kërkon që të menaxhojë buxhetin, gjë që është e pakuptimtë. Ligji ka një aspiracion, siç është momenti shkencor. Këtu nuk ka shkencë fare. 90 për qind e pedagogëve nuk dinë gjuhë të huaj dhe bëjnë libra. Këtu notat blihen dhe po shiten diploma. Nuk është bërë asgjë. Lufta me mediokritetin është parësore në Shqipëri. Ligji krijon hapin e parë për t’u shkëputur nga mediokriteti. Basha nuk ka asnjë interes për cilësinë e intelektit, jemi në krizë intelekti", tha avokat Ngjela.

Grupi i PS-së, Ruçi: Të gjithë në seancë, të votojmë projektligjin

Grupi i Partisë Socialiste ka vendosur të votojë pro projektligjit për arsimin e lartë. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cila u zhvillua një ditë para seancës parlamentare, ku është thirrur për të diskutuar dhe për tu votuar projektligji për Arsimin e Lartë. Në mungesë të kryeministrit Rama, mbledhja është drejtuar nga kryetari i grupit parlamentar të PSsë Gramoz Ruçi, i cili i ka kërkuar ligjvënësve të majtë të jenë të pranishëm në seancë për të votuar projektligjin për Arsimin e Lartë.

Mësohet se mbledhja ka zgjatur rreth 30 minuta dhe nuk ka pasur diskutime. Ndërkohë pas mbledhjes së grupit të PS-së, përmes një deklarate për shtyp ka reaguar Partia Demokratike, në të cilën thuhet se kryeministri Rama ka urdhëruar grupin e PS-së të votojë në bllok. “Rama ka vendosur të hedhë edhe një lak të ri në fytin e shqiptarëve. Projektligji i tij për Arsimin do të rrisë tarifat e studimit, duke ua kaluar koston vetë studentëve. Kjo skemë, do ta bëjë të pamundur jetën universitare për mijëra të rinj, të cilët edhe aktualisht, në kushtet e sotme, me tarifa të reduktuara e ku shteti merr përsipër shpenzimet në Universitetet Publike, e kanë të vështirë për shkak të varfërisë së thelluar, për shkak se familjet e tyre nuk kanë më burime financiare, për shkak të papunësisë dhe varfërisë në rritje”, thuhet në reagimin e PD-së.

Basha, deputetëve: Të kundërshtohet dhe të votohet kundër

Kreu demokrat urdhëroi ligjvënësit e djathtë që të kundërshtojnë sot në Kuvend projektin e ardhur nga qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë opozita në Kuvend lidhur me votimin e Projektligjit për Arsimit të Lartë. Në fillim të fjalës së tij Basha theksoi se ky projektligj rrit tarifat e studimit, klientelizmin dhe asgjëson autonominë universitare. Kreu i PD-së u kërkoi deputetëve që në seancën e sotme të kundërshtojnë projektligjin për të përfaqësuar qindra të rinj, akademikë e profesorë. “Merreni me mend, pas kalimit të këtij ligji, kur kostoja e studimit rëndon tek studentët, se si do jetë situata. Në thelb projektligji që vjen nesër para jush është një akt armiqësor kundër të rinjve të këtij vendi.

Me këtë akt Edi Rama e fshin të drejtën kushtetuese të rinjve shqiptarë për t’u arsimuar. Edi Rama ka vendosur të shkojë në këtë drejtim të rrënimit të studentëve dhe universiteteve publike të vendit. Ka vendosur të kalojë një ligj vetëm për interesat e tij klienteliste politike dhe korruptive”u shpreh Basha. Basha tha se kryeministri Rama ka zgjedhur ta kalojë këtë ligj në parlament, në kohën kur auditorët janë bosh. Ai përmendi një sërë problematikash që paraqet projektligji, madje duke theksuar se vihet në rrezik ekzistenca e pjesës më të madhe të universiteteve në vend. “Revolucion antiligjor dhe antikushtetues është emri që i kanë vënë akademikë e profesorë.

Edi Rama ka zgjedhur ta kalojë ligjin kur auditorët janë bosh. Ndryshe nga ligjet e mëparshme shteti nuk njeh më detyrim të paguajë pagat e pedagogëve, ua lë në dorë universiteteve të përcaktojnë tarifat. Barazimi i tarifave të universiteteve publike me ato private, heqja e së drejtës së të rinjve për tu arsimuar. Mënyra e re e financimit të universiteteve publike, ndarja e fondeve për arsimin e lartë, do të vënë drejtpërdrejt në rrezik ekzistencën e pjesës më të madhe të universiteteve në vend”, tha Basha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama