Pero Pejiç është nostalgjik për Skënderbeun. Që pas largimit nga Kukësi, kroati po aktivizohet në Iran me Esteghalin, por ruan ende kontakte me shumë lojtarë të skuadrës korçare.
Dy sezone më parë, goli i tij la Partizanin jashtë Ligës së Europës, ndërsa tani Pejiç kërkon të bëjë parashikuesin. Ai mendon se Skënderbeu do të fitojë sërish. Në një bisedë për "Panorama Sport", kroati theksoi se Hamdi Salihi do të vendosë ndeshjen.
"Do ta ndjek me shumë kënaqësi takimin mes Skënderbeut dhe Partizanit, pasi kam ende në mendje kujtime të bukura nga Korça dhe titujt e fituar. Është një ndeshje e madhe, ku Skënderbeu do të arrijë të sigurojë titullin e gjashtë radhazi. Një gjë të tillë besoj se do ta bëjnë me një fitore 1-0 dhe mendoj se do të shënojë Salihi. Gjykoj se është një ndeshje që nuk do të ketë shumë gola, pasi dy ekipet shquhen për mbrojtje të mira. Por, mendoj se Partizani nuk e ka forcën e duhur për të arritur të fitojë në Korçë, prandaj dhe Skënderbeu do të fitojë titullin", deklaroi Pejiç.