Peleshi Brenda 10 vitesh merr fund ceshtja e prones

Niko PeleshiTIRANË, 12 Nëntor /ATSH/ -Zv/kryeministri Niko Peleshi tha sot nga salla e Kuvendit, se Shqipëria e dy viteve të fundit, është Shqipëria e standardeve të tjera.

Duke u ndalur tek standardi i respektimit të të drejtave të njeriut, numri dy i qeverisë nënvizoi se "Shqipëria nuk është sot vend i kulluar i të drejtave të njeriut, por nuk është as vendi ku e drejta e qytetarëve për të protestuar shtypet me zjarr e viktima siç ndodhi në 21 janar. Nuk është as vendi ku gazetari plagoset në rrugë e detyrohet më pas të kërkojë azil jashtë vendi".

Sipas tij, tashmë kemi një standard të ri të sjelljes së politikës ndaj qytetarëve. "Shqipëria nuk ka për të qenë më vendi ku duart e partive politike në fushatë ose jo, të futen në fondet e përkrahjes sociale siç ndodhi në vitin 2013. Sot kemi një skemë pensionesh më të drejtë, por kemi edhe një pension social", vuri në dukje Peleshi.

Gjatë diskutimit të tij, zv/kryeministri preku edhe një ndër çështjet më problematike të trazicionit 25-vjeçar, atë të kthimit dhe kompensimit të pronave, për të cilën bëri të qartë se "nga java tjetër do të vijë në Parlament ligji që merr përsipër të zgjidhë një herë e mirë brenda një përiudhe kohore prej dhjetë vitesh, kthimin dhe kompensimin përfundimtar të pronës".

"Këto dhe të tjera arritje, tha Peleshi duke iu drejtuar opozitës në sallë, nuk na vlejnë vetëm neve, por edhe juve, i vlejnë shoqërisë shqiptare, ndaj nuk duhen gjuajtur me gurë, por duhen përqafuar pasi u shërbejnë të gjithëve"./b.k//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama