FIER, 14 Tetor/ATSH/- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në qarkun e Fierit për të inspektuar në terren situatën e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit nga ku deklaroi se është miratuar projekti për rehabilitimin e lumit Gjanica.
Zëvendëskryeministri u takua me grupet e punës që veprojnë në terren dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se projektideja e rehabilitimit të lumit të Gjanicës është miratuar në KKT dhe se zbatimi i tij do të jetë sfida e përbashkët e institucioneve qendrore dhe vendore. "Në fazën që po flasim sot kemi miratuar projektidenë e rehabilitimit të lumit të Gjanicës në KKT. Kemi hartuar listën e objekteve që do të shpronësohen. Duhet ta plotësojmë me projektin e detajuar. Sfida jonë e përbashkët sot e institucioneve qendrore dhe vendore është të hartojmë një projekt të plotë inxhinierik dhe detyrë e të gjithë qytetarëve është që absolutisht të mos imagjinojnë më se mund të ndodhin ndërtime si këto që shohim këtu."
Në ditën e dytë të inspektimit në këtë zonë, pas takimeve edhe me banorë të saj, Zëvendëskryeministri theksoi se grupet e punës do të konstatojnë të gjitha dëmet e shkaktuara, për të cilat do të mbahet edhe përgjegjësia përkatëse, aty ku ajo do të evidentohet. "Qeveria nuk mjaftohet me konstatimin e problematikës dhe nuk heq përgjegjësinë e vet, pavarësisht se problemet janë akumuluar në 25 vite. Madje angazhohemi t'i mbyllim në tre vjet ato që nuk janë bërë në 25 vitet e fundit. Natyrisht, edhe çdo i dëmtuar nga përmbytjet do të ketë përkrahjen dhe mbështetjen tonë", - u shpreh Peleshi.
Në vijim, Zëvendëskryeministri Peleshi inspektoi edhe zonat e përmbytura në Levan. Punonjësit e ujësjellësit e informuan Zëvendëskryeministrin se hidrovoret e Hoxharës, të cilat mbulojnë zonën punojnë me eficencë të plotë, dhe furnizohen normalisht me energji elektrike. Ata ngritën shqetësimin e kanaleve sekondare kulluese të cilat duhet t'i nënshtrohen ndërhyrjeve të menjëhershme për pastrim.
Zëvendëskryeministri Peleshi informoi se qeveria ka një plan ambicioz për pastrimin e kanaleve kulluese brenda një periudhe tre vjeçare. Zëvendëskryeministri bëri të ditur gjithashtu se ka përfunduar projekti për kanalin Vjosë-Levan-Fier dhe parashikohet të zbatohet vitin e ardhshëm. "Qeveria, ka bërë një plan shumë ambicioz për rreth 270 ha tokë bujqësore që sot mbulohen me kanale kulluese, brenda tre vitesh të pastrohen. Kemi pastruar deri tani në gjithë territorin e Shqipërisë, 32 mijë hektarë. Ngelet një sipërfaqe edhe më e madhe, por në dy vitet që vijnë, me prioritetin e buxhetit të shtetit dhe me projekte të donatorëve, vetëm për zonën e Lushnjes dhe Fierit janë 40 milionë euro, tashmë të kontraktuara të Bankës Botërore, që do të fillojnë të zbatohen vitin që vjen. 6 milionë euro ka filluar të zbatohen në 16 spote në gjithë Shqipërinë, projekte parandaluese, argjinatura, mbrojtje nga erozioni i lumenjve. I kemi vënë vetes objektivin t'i përfundojmë ndërhyrjet në 16 spote, në mënyrë që të jemi gati për të pritur dimrin. Buxheti i shtetit i ka dhënë prioritet të fortë Ministrisë së Bujqësisë dhe programit të kanaleve ujitëse dhe kulluese."
Zëvendëskryeministri theksoi se pushteti vendor do të marrë një rol të drejtpërdrejtë në këtë proces dhe kjo si pasojë e decentralizimit jo vetëm të kompetencës dhe të përgjegjësisë tek pushteti vendor, por edhe të fondeve, burimeve dhe makinerive.
Duke e konsideruar këtë problem të akumuluar në 25 vjet si një sfidë të madhe dhe emergjente, Zëvendëskryeministri konkludoi se "Duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që duhet të ndërtojmë raporte të reja me territorin, me natyrën, me tokën bujqësore, me rrugën, me kanalin, me qytetin, duhet të rrisim përgjegjshmërinë tonë, në raport me natyrën dhe me çka na rrethon." /a.g/