Pelikanët
Nëse për të blerë ushqime apo gjëra të ndryshme zgjedh disa nga supermarketet e mëdha të vendit, atëherë mos u habit kur për kusur të marrësh edhe “pelikanët”, njëlekëshat të cilët plotësojnë bilancin midis kasieres dhe blerësit. Gjithashtu, nëpër banka kjo monedhë e “padëshirueshme” njihet dhe jepet nga arkëtarët, njëkohësiht ajo pranohet nga ata. Ky institucion dhe disa supermarkete janë të vetmit të cilët i njohin dhe i pranojnë monedhat e vogla me prerje 1 lek. “Ne në bankë kemi një detyrim, ku njëlekëshin apo, si njihet ndryshe “pelikanin”, duhet ta japim. Por nuk na e pranojnë klientët. Nëse dikush kërkon që të tërheqë të gjitha lekët dhe për të plotësuar të gjithë shumën duhet të shtojmë ndonjë monedhë njëlekëshe, atëherë ne jemi të detyruar t’ia japim. Shpesh kam pasur rastin të dëgjojmë edhe reagimet e klientëve. Ata shprehen: “Po tallesh ti me këtë monedhë. Ajo nuk të hyn në punë për asgjë”. Ndaj dhe unë shpesh mundohem që të jap prerje të tjera me vlerë për ata. Këto monedha janë thuajse si të “vdekura” për klientët”, shprehet V.L., arkëtare në njërën nga bankat e kryeqytetit. Gjithashtu, nëpër supermarkete shprehen se është një detyrim për kompaninë për t’i kthyer çdo para klientit. “Në momentin që duhet dhënë kusuri, ai nuk duhet të jetë as i mangët dhe as i tepërt. Ndaj për të plotësuar kuotën jepen njëlekësha, pasi një monedhë për shembull prej 3-lekësh nuk ka, ndaj detyrohemi të japim 3 njëlekësha. Megjithatë, duhet thënë se zakonisht ato nuk pranohen”, shprehet një kasier supermarketi.
Fenomeni
Por çfarë ndodh pasi një person vendos që ta marrë njëlekëshin?! Ai është i “vdekur” për pjesën tjetër të tregut. Po përse ndodh ky fenomen? Ngurrimi për të pranuar gjerësisht 1-lekëshin si mjet pagese ka të bëjë me faktin se ai përdoret vetëm për të kthyer kusur nga një pjesë e supermarketeve duke bërë kështu që të ketë një përdorim të kufizuar. Kjo gjë bën që kusuri që marrim qytetarët nga pikat që e përdorin këtë monedhë, t’u mbetet në xhep ose duhet të shkojnë përsëri në këto pika për t’i shpenzuar.
1 cent vs 1 lekë
Paralelisht edhe Bashkimi Evropian, “ëndrra” e popullit tonë, emeton si monedhë të vogël 1 cent. Në vlera sipas kursit të këmbimit sigurisht janë të ndryshme, por në simbolikë janë të njëjta. Megjithatë, kur flasim për një tjetër vlerë, atë që i japin qytetarët është diçka tjetër. Ndryshimi këtu është mëse i dukshëm. Në njërin krah qëndrojnë evropianët të cilët 1 cent, jo vetëm që e njohin dhe e respektojnë, por edhe e pranojnë në çdo moment pasi për ta ajo është një monedhë dhe ka vlerën e parasë. Ndërkohë, për ne shqiptarët 1-lekëshi nuk ka asnjë vlerë, madje ai thuajse nuk ekziston. Dhe të imagjinosh që ne proklamojmë shpesh rrogat e majme të qytetarëve të BE-së dhe habitemi kur ata i japin rëndësinë edhe 1-centëshit, ndërkohë ne me rrogat tona të vogla kemi luksin që të kthejmë një monedhë në të pavlefshme.
8.1 milionë “pelikanë”
Aktualisht, në Shqipëri përdoren monedha me gjashtë prerje të ndryshme. Monedha janë të prerjeve 100 lekë, 50 lekë, 20 lekë, 10 lekë, 5 lekë dhe 1 lek. Referuar raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi qarkullimin e monedhave në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre janë prerje 20 dhe 10 lekëshe. Të dyja ato bashkë përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të monedhave metalike në qarkullim. Së fundmi, sipas BSH-së, është vërejtur një rritje e peshës së monedhave 100 dhe 50-lekëshe për shkak të përdorimit të gjerë të tyre në rrjetet e supermarketeve. Për t’u konsideruar është edhe sasia e monedhave njëlekëshe që qarkullojnë në treg. Në Shqipëri qarkullojnë momentalisht më shumë se 116 milionë monedha metalike të prerjeve të ndryshme. Nga ky total, 7 për qind e përbëjnë monedha e prerjes 1 lek. Përllogaritet që numri i tyre të jetë pak më shumë se 8.1 milionë copë.
Vëzhgimi, çfarë blen me 100 copë 1-lekësha
Një pjesë e tregtarëve as nuk i njohin. Blerësit druhen t’i marrin si kusur, ndihen “të fyer”
Ndryshe nga shqiptarët, të huajt sillen natyrshëm me më të voglën e monedhave që qarkullon këtu
Megjithëse është një monedhë e cila ka një vlerë dhe duhet pranuar në treg, ajo çka ndodh në realitet është krejt ndryshe. Kjo monedhë nuk ka asnjë “vlerë”. Tregtarët nuk e pranojnë.
Vazhdimisht kishim hasur në ngurrimin e tregtarëve të pikave të shitjes me pakicë për të pranuar blerje duke përdorur si mjet pagesë “pelikanët”, por kësaj radhe ne të “Shekullit” menduam të bëjmë një provë. Kthyem në prerje 1 lekëshe plot 100 lekë. Më pas, me xhepin e mbushur plot nga këto monedha tentuam të blejmë produkte në pika të ndryshme tregtare në Tiranë. Rezultati? Pranohen vetëm nga supermarketet, kurse tregtarët e tjerë as që i njohin!
Logjikisht me 100 njëlekësha sot në treg mund të blesh diçka: mund të blesh një bukë, mund të blesh një lëng në market, mund të marrësh një pako patatina tek shitësit ambulant, etj. Në tregun e frutave perimeve kërkuam që të blejmë një kile patate me to. Por ja çfarë përgjigje na dha shitësi: “Nuk i marr unë ato. Ato janë lekë të cilat nuk kanë asnjë vlerë. Asnjë nuk i përdor më ato. Nuk i njeh njeri ato lekë. Unë për vete nuk i pranoj, nëse dëshiron të blesh diçka tek mua, por edhe në të gjithë tregun atëherë të duhet të paguash me para të cilat kanë vlerë. Kjo monedhë edhe nëse unë e marr nuk kam se ku ta çoj, më bie që unë të ta dhuroj mallin tim”. Quhet Bedri Sh. dhe është tregtar fruta-perimesh në një nga tregjet e kryeqytetit. I pyetur nëse është në dijeni që kjo monedhë është zyrtare dhe duhet pranuar me ligj, ai u shpreh: “Asnjë nuk e përdor. Për ne është njësoj sikur nuk ekziston dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë njëri të thotë që jam i detyruar qoftë me ligj ashtu edhe me rregull që më duhet ta marr këtë monedhë”.
Pas tij provuam që të blinim një shishe me lëng frutash në një dyqan të vogël. Shitësja në momentin e pagesës u step pasi nuk dëshironte ta pranonte këtë lloj monedhe. “Kjo është një monedhë e cila nuk përdoret. Ndaj unë nuk e përdor ndonjëherë dhe nuk e pranoj ndonjëherë. Kam pasur një rast ku një i huaj m’u paraqit në dyqan dhe për të plotësuar shumën që duhet të paguante shtoi edhe 5 njëlekësha. Në moment unë ia ktheva njëlekëshat, megjithëse nuk e vura në pozicion të vështirë për të më dhënë 5-lekëshin. I habitur më pyeti se përse dhe i sqarova se kjo monedhë nuk është e vlefshme në vend. Me të nuk mund të blesh asgjë. Pas atij rasti nuk më ka ndodhur ndonjëherë të vijë njeri dhe të blejë me këtë monedhë. Unë me sa di supermarketet e mëdha e pranojnë dhe e japin gjithashtu si kusur, por nëpër marketet e vogla dhe kudo tjetër ajo nuk njihet. Është e kotë të provosh të blesh me këtë monedhë”, shprehet Mira A. Gjithashtu edhe shitësit ambulantë të cilët kanë të bëjnë së tepërmi me monedha të vogla, shprehen se nuk e përdorin këtë lloj monedhe. “Nuk kam rastisur ndonjëherë të ketë ardhur dikush me këta monedha. Dhe unë nuk ia kam dhënë ndonjëherë dikujt për kusur”, shprehet një shitës ambulant.
Me sa duket njëlekëshi në treg praktikisht nuk ka asnjë vlerë. Për të gjithë ata që disponojnë ndonjë monedhë të tillë, bëjnë mirë ta thyejnë atë me prerje më të mëdha në bankë ose supermarketet që e përdorin atë.
Jo vetëm pa vlerë, por edhe i padëshiruar
Sikur të ishte një mallkim të mbaje në xhep këtë monedhë për shqiptarët. Të gjithë stepen në momentin që i bie në dorë. Supermarketet e mëdha dhe bankat, të vetmet që e përdorin këtë monedhë, shprehen se shqiptarët stepen në momentin që marrin këtë monedhë si kusur. “Asnjë nuk i dëshiron këto monedha. Të gjithë i kthejnë ato dhe i lëë si bakshish për kasieren. Të huajt i marrin, por shqiptarët asnjëherë”, tregojnë nëpër supermarkete. Madje, edhe kur pyet dikë se çfarë mund të blesh me to, ai tregon: “asgjë, janë para pa vlerë”. Megjithëse çdokush është në dijeni që kjo monedhë është e emetuar nga Banka e Shqipërisë dhe si e tillë është në qarkullim njësoj si 5-lekëshi, 10-lekëshi, 20-lekëshi, 50-lekëshi dhe 100-lekëshi dhe çdokush është i detyruar që ta njohë. Por me sa duket askush nuk dëshiron ta respektojë këtë detyrim.
153 milionë copë kartëmonedha
Numri i kartëmonedhave që qarkullojnë në vend është diku tek 153 milionë copë. Kartëmonedhat janë të prerjeve të tilla si 5 000 lekë, 2 000 lekë, 1 000 lekë 5 00 lekë dhe 200 lekë. Sipas BSH-së, struktura e kartëmonedhës në qarkullim është disi më e balancuar në raport me monedhat. Kjo për shkak edhe të përdorimit të gjerë të kartëmonedhave të prerjeve të mëdha nga sistemit bankar. Po ashtu, vërehet një rritje e peshës së prerjes 2 000 lekë në qarkullim. Këto lloj prerjesh kanë hyrë prej tre vitesh në përdorim duke zënë kështu një pjesë të mirë të tregut.
Pjesa më e madhe e kartëmonedhave përbëhet nga ato të prerjes 1 000 lekë me 42 për qind të totalit, e ndjekur nga prerjet 500 lekë me 30 për qind. Prerjet 5 000-lekëshe përbëjnë rreth 11 për qind të totalit, ndërsa prerjet 2 000-lekëshe janë rritur deri në 8 për qind të totalit të numrit të kartëmonedhave që qarkullojnë në Shqipëri.