Në këto materiale del edhe se Presidenti i asaj kohe, Lyndon Jonson i gënjeu amerikanët kur vendosi që të shtrinte luftën, veç Vietnamit, edhe në Laos dhe Kamboxhia, pas premtimit se nuk do ta bënte një gjë të tillë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 1964. Në to tregohet edhe se si ky president, që më parë i kishte premtuar popullit që të mos çonte trupa tokësore amerikane në betejë, kishte urdhëruar personalisht gjeneralët e tij që të bënin pikërisht këtë gjë në vitin 1965, ndërsa pretendonte se ishte duke u konsultuar me këshilltarët për një gjë të tillë.
“New York Times” publikoi në atë kohë pjesë të të gjithë materialit që ia dorëzoi Ellsberg, i cili vetë kishte arritur që ta fotokopjonte një pjesë të tij. Publikimi i këtyre materialeve shkaktoi në vitin 1970 edhe përplasjen më të madhe mes medias dhe qeverisë amerikane, që në atë kohë drejtohej nga Presidenti Riçard Nikson, i cili tentoi shumë që të ndalonte publikimin. Madje, për pak ai ia doli që të siguronte një vendim gjykate për ndalimin e publikimit, por disa ditë më pas Gjykata e Lartë Amerikane vendosi që gazeta kishte të drejtë, që bazuar në Kushtetutën amerikane të publikonte të gjithë materialin. Ndërsa gazeta mori çmimin e famshëm gazetaresk “Pulitzer” për lëshimin e këtyre dokumenteve, vetë njeriu që guxoi t’i dorëzonte ato, Ellsberg u akuzua për vjedhje dhe konspiracion në bazë të ligjit për spiunazhin dhe u përball me një dënim prej 115 vitesh në burg. Në një intervistë që dha javës që shkoi, ai tha se ishte absurde që u deshën 4 dhjetëvjeçarë për deklasifikimin e plotë të materialeve.
Ndërkohë, ndikimi që publikimi i 40 viteve më parë pati në marrëdhëniet mes qeverisë amerikane dhe popullit amerikan ishte i jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha, gjëja më e rëndësishme ishte forcimi dhe rëndësia që iu dha rolit të medias. N ë publikimin e plotë të fundit del edhe njëherë gjithë mashtrimi i madh që iu bë votuesve në lidhje me luftën e qeverisë amerikane në Indo-Kinë. Kurrë më parë votuesit nuk janë ndodhur para një prove të tillë të qartë dhe të dhimbshme të mashtrimit të politikanëve që i kishin zgjedhur për të mos bërë pikërisht atë që ata e bënë fshehurazi. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë e kishte të qartë domethënien e materialeve të “rrjedhura”.
Si rezultat i kësaj prove të madhe, njerëzit mësuan se qeverisë nuk mund t’i besohej më verbërisht, se politikanët ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë dhe mbi të gjitha, edhe vetë institucioni i Presidentit që kishte qenë deri në atë moment i “pacenueshëm dhe i pagabueshëm” ishte goditur rëndë. Ndërkohë, u krijua edhe përplasja më e madhe mes qeverisë dhe medias, një përplasje e pa hasur më parë dhe kjo veçanërisht në momentin kur Nikson siguroi përkohësisht një instrument ligjor për ndalimin e publikimit. Ndërkohë që gazeta ishte duke luftuar në shkallët e tjera ligjore vendimin e marrë pro Niksonit, gazeta “Washington Post” vazhdoi me publikimin e materialeve, por edhe ajo shumë shpejt u ndalua.
Të dyja gazetat atëherë e apeluan këtë vendim dhe në një çështje të përbashkët dhe të kombinuar shkuan në Gjykatën e Lartë. Në 30 qershor të vitit 1971, gjykata vendosi 6-3 në favor të gazetave. Ky vendim që do t’i jepte një përkrahje shumë të madhe lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dhjetëvjeçarë me radhë konfirmonte mungesën e provave dhe argumenteve që dha qeveria për të argumentuar ndalimin e publikimit të materialeve. Qeveria kërkoi anashkalimin e Amendamentit të parë për arsye të sigurisë kombëtare, por sipas gjykatës kjo nuk ishte e vërtetë.
Në arsyetimin e vendimit, njëri nga gjykatësit e çështjes, Hugo Black thoshte: “ndër detyrat kryesore dhe përgjegjësitë e medias së lirë është detyra për të parandaluar çdo lloj segmenti qeveritar për të mashtruar popullin”. Por vendimi i vitit 1971 nuk mbrojti Daniel Ellsberg, njeriun që mori materialet, i cili u akuzua dhe u përball me një dënim prej 115 vitesh burg. Por në fakt ai nuk e pati fatin e keq, duke qenë se dy vjet më pas shpëtoi kur doli në dritë se operativët e administratës së Niksonit i kishin grabitur zyrën në një përpjekje për ta diskredituar.